E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa herë në ditë duhet ta ve fëmijën në gji?

Përgjigjet
1 Dr. Çimi, si nënë e re do te desha te di se: sa herë në ditë duhet ta ve fëmijën në gji dhe sa është koha e domosdoshme për ta mbajtur atë në gji për një pirje?
E nderuar zonjë!
Pyetja juaj besoj se është një shqetësim edhe për për nëna të tjera, kështu që do t'ju përgjigjem me kënaqësi.
Përgjithësisht fëmijët vihen në gji në intervale të rregullta kohore të cilat, variojnë nga 2 deri në 3 orë nga një dhënie në tjetrën. Në ditët e para të jetës foshnja vihet më shpesh në gji, Çdo dy orë, madje edhe gjatë natës. Kjo mënyrë të ushqyeri, në këto ditë, nuk ka lidhje shumë me sasinë që do të marrë fëmija por me stimulimin sa më të mirë të gjirit në procesin e tij të prodhimit të qumështit. Aty nga fundi i dyjavorit të parë, gjiri ka arritur të prodhojë sasinë e domosdoshme të qumështit që i duhet fëmijës për çdo vakt dhe mund të arrihet në ushqyerjen 5 deri 7 vakte gjatë 24 orëve. Por a janë të gjithë fëmijët njëlloj dhe me të gjithë duhet të mbajmë të njëjtin qëndrim? Jo! Kjo nuk do të ishte e drejtë! Çdo fëmijë ka veçoritë e tij edhe në mënyrën e të ushqyerit, ashtu si edhe në të gjitha fushat e zhvillimit e të rritjes së tij. Për këtë arsye është e nevojshme që të mbajmë parasysh disa këshilla:
Fëmija duhet të vihet në gji sa herë që ai ka nevojë! Ju duhet të jeni në gjëndje që të përktheni qartë se kur ai ka nevojë. Në se gjatë kohës së pirjes fëmija thith ritmikisht 2-3 herë e gëlltitet një herë, atëhere të jeni e bindur se sasia e qumështit të marrë prej tij është e bollshme dhe nuk mund të ketë arsye për ndjenjën e urisë pa kaluar, 2.5 deri 3 orë. Në këto kondita qarja e fëmijës, që është zakonisht arsyeja më e shpeshtë që nënën e detyron ta verë fëmijën në gji, nuk mund dhe nuk duhet të jetë pasojë e mosngopjes. Arsyeja e këtyre të qarave duhet të kërkohet në arsye të tjera. (javën e ardhshme do të shkruaj pikërisht për ato). Po kështu edhe futja e gishtave apo duarve në gojë, lëpirja e çarcafëve, batanieve apo çdo rrobeje që vjen në kontakt me faqen dhe gojën e fëmijës, nuk janë e nuk mund të jenë "kërkesë për të pirë". Nëse vëreni se të qarat lidhen vetëm me mosngopjen, vëreni pakësimin e sasisë së urinës së fëmijës e mbi të gjitha vëreni frenimin apo renien në peshë të fëmijës suaj atëhere shikoni se fajin e ka pamjaftueshmëria e prodhimit të qumështit. Në këtë rast, natyrisht, duhet të modifikohet mënyra e të ushqyerit. Asnjëherë nuk do të mundnim ta ushqenim fëmijën duke e vënë atë, kohë e pa kohë në gji.
Përsa i përket kohës së mbajtjes në gji, përsëri kjo varet nga një fëmijë tek tjetri. Ka të tillë që pijnë shpejt dhe për 10 minuta e kanë marrë sasinë e qumështit që u duhet. Ka të tjerë që janë më të ngadalshëm dhe sasinë e nevojshme e marrin për 15-20 minuta. Sido që të jetë është e këshillueshme që fëmija të mos mbahet më shumë se 20 minuta në gji. Së pari për vetë fëmijën, sepse pas kësaj kohe ai, pothuajse, nuk merr më asnjë pikë qumësht. Gjiri për të kthehet në një farë loje dhe kështu përftojmë reflekse negative të panevojëshme. Së dyti, për nënën, tek e cila vërehen dëmtime të thithkave të gjoksit e që çojnë në vështirësi të të ushqyerit të mëtejshëm.
Përshëndetje
Dr.Cimi
2
Si duhet të jetë pesha e fëmijës tim?
Doktor, në bisedat që bëjmë mes nënash, duket se shumë kanë dëshirë të kenë një peshe të madhe të fëmijës së tyre, disa të tjera nuk janë dakort me një mendim të tillë ato janë të kënaqura me një peshë më të vogël. Cila do të ishte këshilla juaj?
E nderuar lexuese:
Për t'ju përgjigjur pyetjes suaj dhe mendimeve që ndahen mes nënash,do të ishte e nevojshme të shpjegoja se ç'është nënpesha apo siç quhet në gjuhën popullore distrofia dhe, mbipesha apo obeziteti. Mbase një gjë të tillë do ta bëj në një të ardhme të shpejtë. Si do qoftë, për mua, të dy palët e nënave nuk kanë të drejtë. Si për çdo gjë, ekstremet nuk janë ndonjë shfaqje për t'u apasionuar ndaj tyre apo për t'i neglizhuar. Të dy format e peshës së fëmijëve duhet të evidentohen në bashkëpunim me mjekun. Në rast se vendoset që fëmija paraqet probleme të rritjes, atëhere duhet të gjëndet shkaku dhe të mjekohet apo të ndihmohet të arrijë peshën e duhur.
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›