E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi politik. Si e mbrojtën dhe si ia futën njëri-tjetrit gjeneralët në Plenumin e 5-të të KQ të PPSH

Leci Nr.6
Plenumi i 25-26 korrik 1976
Arkivat. Gjeneralët akuzojnë njëri-tjetrin
Një realitet i dhimbshëm shfaqet që në nisje të "fshesës" mbi "armiqtë" në krye të ushtrisë, para e veçanërisht në Plenumin e 5-të të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë në fund-korrikun 1976: Gjeneralët dhe oficerët madhorë të akuzuar, jo vetëm që nuk gjejnë mbështetje tek kolegët, nuk guxojnë të mbrojnë veten e tyre nga akuzat e rënda, por bëhen protagonistë të akuzave ndaj njëri-tjetrit, në funksion të vërtetimit të akuzave të formuluar nga Enveri e udhëheqja e kohës. Ja disa pohime të protagonistëve-viktima, shkëputur nga Proces-Verbali i Plenumit të 5-të të KQ të PPSH, të fund-korrikut 1976:
Petrit Dume: Beqir Balluku donte të fuste pyka dhe përçarje në Ushtri. Këto veprime të ulëta janë pjellë e hipokrizisë, e intrigave dhe qëllimeve të errëta e djallëzore. T'i jepet dënimi që meriton dhe i dubluar, si funksionar partie dhe si ushtarak!
Hito Çako: Të gjitha idetë e Beqir Ballukut janë lakra, fataliste e kapitullante. T'i pranosh ato, do të thotë t'i vesh minat Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. Ai është i gjunjëzuar, i krimbur, i thyer nga presioni i huaj. Ka shkelur betimin ushtarak. T'i jepet gjyqit!
(Pas këtyre diskutimeve, në korrik 1974, ku Petrit Dume e Hito Çako e shitën Beqirin, Enver Hoxha i bëri zëvendësministra të Mbrojtjes deri në dhjetor 1974. Në dhjetor i arrestoi).
Halim Ramohito: Ti, Beqir Balluku, je intrigant e karrierist, mosmirënjohës ndaj Mehmet Shehut, ndaj përfundove në koshin e plehrave të Shqipërisë.
Sadik Bekteshi: Ai (Beqir Balluku) me metodat denigruese (përça e sundo) nuk la gjë pa përdorur për të prishur unitetin e goditur vigjilencën. T'i jepet organeve të drejtësisë!
Dilaver Poçi: Teoritë e tij (të Beqir Ballukut) donin t'i vinin kazmat atdheut.
(AQSH, Fondi 14, Lidhja 1, Dosja 1)
Kujtim Boriçi
Ekskluzive/ Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci, nëpërmjet dokumenteve arkivore e dëshmive të Rrahman Përllakut, Elami Hados e Ernest Jakovës, sjell momentet e rënda e tepër kritike për ushtrinë e vendin pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, deri tek akuzat e stisura në gjyqin farsë ndaj gjeneralëve.
Plenumi i 5-të i Komitetit Qendror të PPSH, i mbajtur në datat 25-26 korrik 1976, nxori në bankën e akuzës politike (e njëjta akuzë u dha dhe në gjyq) ministrin e Mbrojtjes, Gjeneral Beqir Ballukun dhe zëvendësit e bashkëpunëtorët e tij më të afërt, gjeneralët Petrit Dume, Hito Çako, Rrahman Përllaku, si dhe shumë ushtarakë të tjerë madhorë. Për studiuesit, analistët por dhe për opinionin e gjerë, ndëshkimi i tyre nisi në bazë të një skenari të përgatitur me hollësi, duke i gjykuar ushtarakët madhorë që nga repartet e njësitë, baza, shtabet, organizatat e Partisë, deri në Plenumin e KQ të PPSH e Byronë Politike. Në këtë mënyrë, organizimi i ndëshkimit në formë plebishiti, ku dhe një kapter i thjeshtë jepte shembuj të "veprimtarisë armiqësore" të gjeneralëve, synonte jo vetëm parimin e "vijës së masave" të praktikuar gjerësisht nga udhëheqja e kohës, por dhe për të bindur opinionin për dëmet e "armiqve të Partisë e Ushtrisë". Arkivat, por dhe dëshmitë e protagonistëve të kohës, pas disa vitesh nga kjo ngjarje e rëndë, evidentojnë dy momente: Së pari, skenari i qëllimshëm i Enverit e bashkëpunëtorëve të tij, për të dënuar ajkën e ushtrisë, e; së dyti, faktin tjetër, ku mjerisht, nga vetë ushtarakët e akuzuar por dhe të tjerët, nuk u krijua dot një front, për të parë e pohuar atë që kishte ndodhur dhe gjykimin real për ngjarjen. Për më tepër, dhe vetë gjeneralët apo ushtarakët madhorë që u pushkatuan apo u dënuan me burgime të gjata, ishin jo vetëm të akuzuar si "armiq", por ishin në të shumtën, njëkohësisht dhe akuzues për njëri-tjetrin.
Plenumi i 1976-ës, ndëshkim plebishitar
Krahas dokumenteve zyrtare të kohës, me rëndësi janë dhe vlerësimet e gjykimet e të ndëshkuarve të atij Plenumi.
Rrahman Përllaku: "Dënimi me anë të plebishitit, i cili rrok periudhën nga korriku në dhjetor, u bë për dy arsye: E para, nëpërmjet diskutimeve në masën e ushtarakëve, synohej që ata të bindeshim se ne ishim tradhtarë dhe si tradhtarë, të grumbulloheshin sa më shumë fakte kundër nesh. E dyta, duke e çuar problemin tonë në çdo aktiv, u lihej të kuptohej oficerëve se ju që mbeteni, vërini gishtin kokës dhe popullit, se ushtarakët tradhtarë i ka dënuar masa e ushtrisë. Ja, kështu u veprua. E vunë punën e Beqir Ballukut para kuadrove dhe atyre u thanë: "Hë, diskutoni për materialin". E ç'të diskutonin oficerët, ku dinin ata se si ishin punuar materialet, cila ishte rruga e ndjekur etj. Me ne kryesorët u veprua ndryshe. Beqir Ballukun e vunë në plate, i vunë dhe dy roje anash dhe nisi me ç'ka thënë Beqir Balluku në Byronë Politike dhe akuzat që i janë bërë atij në Byronë Politike. Cili do ngrihej kundër? Asnjë. Do më pyesni mua, pse bëre autokritikë?
Unë isha më afër Beqir Ballukut. Isha marrë me materialet dhe i kisha mbështetur me shkrim ato. Kisha bërë edhe vërejtje dhe kisha dhënë mendimin tim dhe të tijin, që këto materiale duhet t'i shkojnë ushtrisë. Beqir Balluku, që dija se çdo gjë ia ka thënë Partisë, del dhe i mohon, atëherë unë nuk kisha rrugë tjetër. Mendoj se cilido që të ishte, po të vepronte ndryshe, o do të ishte i çmendur, ose do të gjente rrugën për të pranuar e akuzuar Beqirin".
Si e mbrojti dhe si e kritikoi Përllaku, Beqir Ballukun
Rrahman Përllaku, një nga gjeneralët e njohur të vendit, ishte një nga të dënuarit e "grupit puçist" në Plenumin e 5-të të Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, në korrik 1974, njëkohësisht, një nga kuadrot ushtarakë ndër më të aftët dhe bashkëpunëtor i ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku. Arkivat dhe dëshmitë, konfirmojnë se Përllaku ishte dhe ndër personat e paktë që u morën me "materialet e zeza", deri në shpërndarjen e tyre nëpër korpuse e njësitë operative të vendit. Në opinion, por dhe nga kolegë, ka pasur mendime se ushtarakët madhorë që u dënuan, por që i shpëtuan pushkatimit, krahas akuzave për faje, që në fakt nuk i kishin, kanë dhe mëkate: që heshtën apo dhe akuzuan kolegët, për aktivitetin që kishin kryer në detyrat e tyre funksionale. Ja mendimi i Gjeneral Përllakut për ato kohë, pas kaq vitesh:
Rrahman Përllaku: "Edhe unë do t'ju bëj një kundër-pyetje: Ç'rrugë do të ndiqja, kur vetë Beqir Balluku i mohoi punimet e materialeve sipas porosive të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e Hysni Kapos?! Unë nuk mund të dilja të pohoja, kur ai i mohoi, sepse kjo donte të thoshte se ky po gënjen dhe nuk ka pse të gënjejë, por jo gënjejnë ata (Hoxha, Shehu, Kapo). Kishte njeri ta bënte këtë?! Kini parasysh atë opinion që ishte atëherë për Enver Hoxhën. Pra, isha i detyruar, jo vetëm i detyruar, por kisha edhe njëfarë bindje. Beqir Balluku vetë thotë se nuk u kam raportuar. Mua më kish thënë ua kam raportuar. Unë shikoj një dyfytyrësi të Beqir Ballukut. Në atë kohë, ishte një dyfytyrësi që sot shikohet ndryshe".
Referuar arkivave, diskutimet që u mbajtën në ato plenume, apo aktive (viti 1976) përbëjnë anën e dukshme dhe të turpshme të vlerësimit të atij momenti. Të pakuptueshme, të dhimbshme vlerësohen (jo vetëm sot) edhe diskutimet e atyre ushtarakëve që do ta kishin vdekjen apo burgun, edhe ata, shumë shpejt prapa qafe. Ja në vazhdim, gjykimi i Gjeneral Përllakut për përgatitjen dhe realizimin e "fshesës së hekurt" në ushtri:
"Janë dy momente. Momenti i parë, është fillimi, ku dënohem unë dhe Beqir Balluku. Unë dhe ai jemi të akuzuar nga Komiteti Qendror. Nga ky moment (korrik 1974) Petrit Dumja e Hito Çako e të tjerët, janë në ngritje. Enver Hoxha tha dy gjëra: "Kuadrot e dënuan Beqirin, por mbështetën Mehmetin", se Mehmeti i drejtonte aktivet".
Në mbledhjen e Byrosë Politike, më 2 korrik 1974, Enver Hoxha do të shprehej: "Në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, propozoj shokun Mehmet, i cili do të vazhdojë të jetë edhe Kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Detyra plus që po i ngarkojmë, është një barrë e vështirë që po i shtohet.
Natyrisht, ne duhet të kemi parasysh edhe shëndetin e shokut Mehmet. Si një organizator i shquar, ta organizojë punën në mënyrë të tillë që kjo ngarkesë e re, të mos e dëmtojë fizikisht. Ndërsa për ushtarakët e tjerë (Petrit e Hito) do të lëshonte këto portofol. Shoku Petrit dhe shoku Hito, kanë mbrojtur vijën e Partisë dhe kanë meritë. Natyrisht, unë mendoj se këta ashtu të qëndrojnë, aty ku janë, por propozoj që Hiton ta bëjmë zëvendësministër të parë të Mbrojtjes. Që të dy këta, të jenë zëvendësministra të lirë.(AQSH, Fondi 14, po aty). Ja pohimet e Gjeneral Përllakut: "Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu ua kishte sëpatën nën gunë, por këto momente ai do t'i shfrytëzonte. La po ata, Hiton dhe Petritin, dhe Mehmet Shehun e çoi ministër Mbrojtjeje. Dikur ky kishte qenë edhe ministër i Brendshëm. Besën nuk ia kishte. Krahët i duheshin krasitur. Iu kthye procesit nga e para: "Po ti Petrit, që i ke ditur, pse nuk ke ardhur? Po ti Hito, ku ishe, se ti ke thënë që Ushtria pa Komitet Partie mund të bëjë, por pa Shtab jo?!". Ai ishte Drejtor Politik. Petrit Dumen e thirri dhe i tha se, ty Petrit të ishte lëkundur besimi në Komandantin e Përgjithshëm? I tha Petriti: "Po, kisha menduar se mbështesje Beqirin". "Atëherë ku e kishe besimin, te Mehmet Shehu?".
Goditja, "shkrihet" Ministria e Mbrojtjes
Por kjo do të ishte një kronikë e shkurtër e atij korriku të nxehtë të vitit 1974, që nuk zgjati shumë sepse shpejt do të vinte dimri i acartë, me Plenumin e 6-të. Frika dhe izolimi që e kishte pushtuar Enverin, do ta detyronte të kalonte në një përmbysje rrënjësore të të gjithë aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes. Me të vërtetë një tërmet dhe një spastrim, ku kuadrot nuk po merrnin vesh se ç'bëhej dhe askush nuk mund ta paramendonte fatin e tij. Në drekë njoftim. U fshinë të gjitha, u harruan lajkat, u shembën fronet. Në atë plenum, zilia e pabesia do të ishte e jashtëzakonshme. Petrit Dumen do ta zinin për gryke e do t'i thoshin: "Na u përgjigj për tradhtinë tënde!". Ke qenë kundër Letrës së Hapur. A nuk je ti një Zhivkov i Shqipërisë?! Na trego planin, si e ke hartuar me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm! Ke mbajtur lidhje të vazhdueshme me njerëzit e gruas, që kanë qenë kapobanda e Ballit Kombëtar. T'i jepet gjyqit bashkë me Beqir Ballukun. Ndërsa Hito Çakon do ta vinin me shpatulla për muri. E tërë partia dhe ne, jemi të bindur që ti je tradhtar i Partisë, popullit dhe i revolucionit. Ke bashkëpunuar me armiqtë, kokë e këmbë. Nëse don të shpëtosh, duhet të flasësh. Ata folën, thanë se nuk ishin armiq, thanë se nuk ishin tradhtarë e komplotistë. Po kush i dëgjoi?! Propozimi ishte kolektiv. Dorëzo teserën! T'i jepet gjyqit!
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›