E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajo ç’ka i mungon Shqipërisë është opozita

është më e lehtë të bësh opozitë sesa të qeverisësh. Por është shumë e lehtë të qeverisësh kur ke një opozitë kombëtare. Sot më shumë se kurrë shqiptarëve u mungon njëra: opozita. Një opozitë e ndërgjegjshme për funksionet dhe detyrat e saj, për solidaritetin e pakushtëzuar (nga kutitë e lagura), si dhe për bashkëpunimin në hartimin e një “exit-strategy” nga Emergjenca natyrore që po hasim në këtë fillimviti 2010. Zgjidhja nuk është vetëm shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sepse gjendja, për arsye që kuptohen vetiu, vetëm e zakonshme nuk është; por menaxhimi dhe survejimi i mëtejshëm i situatës do një koordinim jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga ato politike. Alarmizmi nga hidro-fobia nuk është përgjegjshmëri, dhe si e tillë edhe akuza politike nuk është impenjim, as helmimi i arsyes nuk është solidaritet në këtë moment. Morfologjia e kampit opozitar është në një konfuzion të paparë sesi të sillen përpara ngjarjeve të ditës, ku e vetmja mënyrë për të bërë politikë është demonizimi prej gogoli në konferenca për shtyp, ku riciklohen hartimet cinike të egoarkut Edi Rama. Dhe po ta mendoni mirë e gjitha kjo është në kuadër të Politikës së re, që është për të Majtës dhe të Djathtës së kryetarit mesianik, njeriut që do të ndajë ujërat, që ka panacean për të gjitha fatkeqësitë, që ka largpamësinë e një të verbëri në tunelin e Thirrës.  Edhe dje si për ditë akuza politike u mor përsipër nga një deputete e mbetur në tentativë me mbiemër Gjermeni,  gjë e cila për çudi të asocon mendimet me një tjetër Gjermen në drejtësinë shqiptare. Janë si pika loti mbi qelqin opozitar dy Gjermenët e Shqipërisë, që kanë si qëllim të pashpallur spekulim me kartën e  drejtësisë për të shpëtuar nga bataku i çiftëzimit me ligësinë. Përsa i përket qëndrimit të PS për dëmshpërblimet mbi tërmetin e ndodhur në Dibër, duhet më thënë se është pak me vonese, të paktën një ditë nga edicioni e lajmeve të Top-medies, ku Edvin Rama riciklon çdo intervistë, çdo pakënaqësi si super-strukturë e keqqeverisjes.Mirëpo gjithçka që paraqet opozita shqiptare sot është e një niveli aq banal, sa mund ta krahasojmë vetëm me republikën e Shijakut të Haxhi Qamilit, ku interesohej për një gjeografi të përkufizuar nga Tirana deri në Shijak. PS si partia më e madhe opozitare në vend duhet të largohet nga qëndrimet groteske të të fajësuarit të qeverisë për çdo gjë. Pasi e ka administruar pushtetin në këtë vend edhe përpara se të kapej peng nga i përzgjedhuri i Bllokut. Kuptohet vetiu se qëndrimet racionale të të fajësuarit të një subjekti politik të vetëm si shkaktari absolut lë pas shkaqet e rëndësishme që kryejnë rolin e tyre dhe e bën analizën politike të dobët. Ndërkaq angazhimi i shtetit, menjëherë pas fillimit të emergjencës, ndërveprimi i shtetit mund te gjykohet si mjaft efikas, me probleme apo i dështuar në varësi të shpëtimit të jetëve njerëzore, evakuimit në kohë, strehimit dhe furnizimit me ushqime të banorëve të prekur nga përmbytjet, ndihma e duhur dhe e shpejtë mjekësore etj. Këto kanë qenë në një nivel të kënaqshëm, madje të paqortueshme. Organizimi nuk ishte qindpërqind, por në përgjithësi angazhimi ka marrë një notë të mirë nga banorët vendas dhe komuniteti ndërkombëtar. Ka me shume se 1000 forca të ushtrisë të angazhuara, 750 forca të specializuara të policisë, 350 punonjës shëndetësorë të rajonit të Shkodrës dhe të Lezhës, po ashtu specialistë të bujqësisë dhe të energjetikës që kanë shërbim njëzetekatër orë të gjitha institucione të shtetit që ndodhen në veri-perëndim të vendit....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›