E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi dhe falja e serbëve s’shkojnë së bashku

Askush në Kosovë nuk u çudit dhe as që u ngrit në lajm, ajo që presidenti serb Tadiq paska thënë diku, pas vizitës së tij në Kosovë se, ai ju paska kërkuar falje shqiptarëve të Kosovës për “krimet që disa në emër të populli serb i paskan bërë kundër tyre” Mirëpo e gjithë Kosova do të çuditej dhe kjo do të ishte vërtetë lajm për faqe të parë të gazetave, sikur këtë vërtetë ta kishte bërë Tadiqi me rastin e vizitës së tij në Kosovë për krishtlindjet ortodokse. është punë e tij pse ka vendosur presidenti serb të thotë, apo më saktë të gënjej, se u paska kërkuar falje shqiptarëve, por presidenti i tashëm apo nesër ndonjë president tjetër, do të duhej pashmangshëm tu kërkoj falje shqiptarëve të Kosovës, për krimet që paramilitarët serb, policia dhe ushtria serbe, kanë bërë kundër popullatës civile të pafajshme. E mira e së mirës do të ishte që të kërkohet falje në kuptimin e plotë të kësaj fjale e jo kjo të bëhet sa për ta larë gojën. Sot edhe sikur ta bënte Tadiqi këtë, kjo nuk do të kishte kuptim, sepse do të bëhej me sherr dhe për ndonjë konsum tjetër politik e jo vërtetë për ta pranuar gabimin apo më saktë për ta pranuar krimin e bërë ndaj shqiptarëve. Nuk është e lehtë të kërkohet falje në asnjë raport njerëzor, aq më pak në raportet ndërmjet dy kombeve me histori të shpeshtën konfliktuoze, por është njerëzore të pranohet gabimi nëse ai është bërë, aq sa është edhe njerëzore të falet. Për të dyja këto, kërkohen vlera të caktuara humane. Për të kërkuar falje, lypset një stad i caktuar i vetëdijes nacionale, një shkallë e caktuar e pjekurisë morale dhe civilizuese. Një të tillë Serbia sot nuk e ka. Në një të tillë Serbia ende nuk ka arritur. Por edhe për të falur nuk është e lehtë, më e ndjeshmja në këtë rast është siguria se, falja do të thotë edhe fund i mundësisë së përsëritjes së krimit. Kërkesa për falje dhe falja do të ishin kuptimplote vetëm nëse bëhen bashkë me pajtimin. Sot shqiptarët nuk e kanë plotësisht këtë siguri. Edhe sikur ata të thonë se po e falin Serbinë, kjo nuk do të ishte e sinqertë. Nuk do të ishte e sinqertë sepse sot Serbia dhe Kosova nuk janë pajtuar. Shtruarja e problemit kështu na sjell tek politika, konkretisht tek ajo se çfarë kanë ndërmend dhe çfarë bëjnë konkretisht këto dy kombe apo më saktë qeveritë dhe përfaqësuesit politik të tyre. Dhënia e përgjigjes në këtë pyetje na sjellë tek përfundimi pragmatik se çdo kërkesë falje apo falje aktualisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të ishte e pasinqertë dhe me sherr të madh. A ka vend për të konstatuar kështu? Plotësisht. Si mund të pritet nga presidenti aktual i Serbisë Tadiq të jetë i sinqertë në kërkesë për falje, kur ai tash sa kohë e kohëve të fundit me intensitet të shtuar, do që vullnetin politik të shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës, vullnetin e deklaruar lirshëm e demokratikishtë të jetësuar me 17 shkurt ta revokoj, ta kthej prapa, ta shkel. Tadiqi me politikën e tij ndaj Kosovës tash sa kohë po ndërton gijotina rreth Kosovës, me shpresën që kur të vije momenti ta pres dhe ndëshkoj këtë vullnet. Nëse ai sot nuk po e bënë këtë, nuk po e bënë vetëm sepse nuk po mundet. Ky nuk quhet pajtimtar as demokrat, por armik i Kosovës. Nisur nga ajo se çfarë flet dhe çfarë thotë Tadiqi për Kosovën, duket qartë se në momentin që ai mund ta bëjë këtë do ta bëjë të njëjtën që e ka bërë Milosheviqi. Sepse asnjë forca, asnjë pa përjashtim, nuk mund ta zhbëjë vullnetin e shqiptarëve pa përdorimin e dhunës. Prandaj përderisa ekziston kjo qasje e Serbisë ndaj vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës, nuk ka kurrfarë kuptimi as edhe të përmendet falja që mund të vije nga Beogradi zyrtarë. Përkundrazi nga Beogradi sot pandalshëm po vije kërcënimi për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ky kërcenim është serioz dhe ai o rritet vazhdimisht. Kërcënimi dhe falja nuk mund të shkojnë bashkë. Falja duhet të vijë bashkë me pajtimin e pajtim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve do të thotë vetëm atëherë kur Beogradi e bënë zyrtarisht njohjen e pavarësisë së Kosovës. Deri tek ajo ditë ne duhet të ballafaqohemi me kërcënimin që vije nga Serbia e Tadiqit....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›