E Diel, 1 Nëntor 2026

Jugosllavizmi për “nacionalizëm me fytyrë europiane”

Serbia, si fqinje, është shtet pushtues. Si pushtuese, zbaton politikë zhbërëse. Dhe, si zhbërëse, për t’u mbrojtur, sajon barazinë e krimit. Por, nacionalizmi i ashpër i saj, i vendosur para gjykimit botëror kritikues, për shkak të krimeve masive e të përsëritura ndaj disa popujve fqinj, ka përshtatur dy taktika përballimi: ndërtimin e simetrisë së krimit dhe jugosllavizimin e politikës. Atë që Beogradi e konsideron krim të shqiptarëve, bashkë me ta edhe një komplot ndërkombëtar siç e kanë cilësuar zyrtarë të tij, quajnë shpalljen e Pavarësisë. Me rrjedhjen e kohës, ofensivën diplomatike dhe lobimin agresiv, është arritur në ndërkombëtarizimin e disa termave keqardhëse si, Serbia vepron kësoj sepse e humbi Kosovën; Serbia nuk është e detyruar të njoh Kosovën; Serbisë i hiqen vizat pavarësisht se sulmon parreshtur shtetin e ri; zgjedhjet serbe në Kosovë as lejohen e as pengohen, diçka si ngjyra portokalli e semaforëve. Dhe, pasi u vendos ekuilibri, Kosovës pavarësi - Serbisë tolerim, Beogradi i shërben perëndimit demokraci të pakryer, siç ishte, ajo çfarë tha, presidentit Boris Tadiç, që nga Banja Lluka, se u paska kërkuar, në mënyrë të përsëritur, falje “edhe shqiptarëve për shkak të krimeve të cilat në emër të Sërbisë i kanë bërë disa pjesëtarë të popullit serb”, dhe se, “po e bëj këtë sërish, sepse besoj jo vetëm në kohën e festave fetare duhet dërguar falje njëri-tjetrit për shkak të krimeve të cilat në emrin tonë nacional dikush ka bërë në të kaluarën. Do të isha i lumtur po qe se një kërkesë faljeje e tillë do t’i dërgohej edhe popullit serb”. Ky është kulmi i llogaritur i barazisë së krimit. Pa shqiptuar kurrëfarë lloj faljeje, ai u drejtohet shqiptarëve që t’u kërkojnë falje serbëve, ndërsa Serbia e trazon e provokon Kosovë edhe sot e gjithë ditën. Nacionalizmi serb, i përgjakur edhe në sytë e botës, pas kësaj përpjekjeje deri diku të suksesshme, po futet në këllëfin e jugosllavizmit. Kjo Serbi që e ngjizi jugosllavizmin, i dha shpirt, e forcoi, ishte po vet që e vdiq dhe e varrosi. Gjatë atij fundi nuk besohej se këtë xhaketë të vjetër, nacionalizmi serb do ta merrte nga plehërat e historisë për ta paraqitur për politikë perëndimore dhe rajonale të tij. Ashtu, siç pushteti i Serbisë së Millosheviçit grabiti armatën - fuqinë e madhe të luftës të ish - Jugosllavisë, drejtuesit e më pasëm të saj rrëmbyen pa zhurmë jugosllavizmin për lojë politike perëndimore, të një shteti gjeografikisht në qendër, për t’u bërë lider politik në  gadishull. Ata po rikthejnë pjesëmarrjen në Lëvizjen e Vendeve të Panagazhuara, duke kërkuar që mbledhja e radhës të bëhet në Beograd. Me shtete të po asaj organizate detyruan OKB për të kaluar kërkesën në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës kundër Kosovës. Në po të njëjtin gjyq, sapo e ka paditur edhe Kroacinë, me akuzën për genocid kundër serbëve, gjatë viteve 1991-1995. Bosnjë- Hërcegovinën e mban në një paqendrueshmëri kritike. Maqedonisë nuk ia njeh kishën dhe tallet tek i ofron ndërmjetësim për mosnjohjen e emrit nga Greqia. Malin e Zi e kërcënon prerë për të mos hapur ambasadën e vet në Prishtinë. Kosovën as e ka ndërmend ta njohë, ndërsa e mban të ndarë veriun e saj, paguan shuma marramendëse deri në 42 milionë euro për shërbimin e vet, në pushtetin paralel. Ajo kryen zgjedhje nëpër enklava sa herë ato zhvillohen në Serbi dhe presidenti Tadiç shkon nëpër manastiret e shtetit që nuk e njeh si të jetë territor serb. Ai e ka shqiptuar hapur që, Serbia është  dhe do të mbetet shteti qendror dhe më i rëndësishtëm i Ballkanit, i mbështetur nga faktori rus, duke besuar që do të jetë “jugosllavia e vogël”, e favorizuara dhe sfiduese e Brukselit: BE, nuk na duhet Europa pa Kosovën pjesë të Serbisë!Drejtuesve politikë në Serbi, që po përpiqen të bëjnë një përmbyjse, me barazimin e krimit dhe veshjen e kostumit të jugosllavizmit, i duhen thënë një pyetje dhe shqiptuar një pohim:Serbia, kur u ka kërkuar falje shqiptarëve? Asnjëherë! Bota e llahtarisur prej Serbisë, ende nuk ka dëgjuar kurrë një falje serbe drejtuar shqiptarëve!Kosova nuk ka se si të mos neveritet nga kërkesa e Tadiç, që shqiptarët t’u kërkojnë falje serbëve. Ata nuk mund të mashtrohen nga jugosllavizimi, politikë të cilën shqiptarët e njohin fort mirë bashkë me serbizmin. Ata e dinë se Beogradi, që të dyja, edhe faljen e pathënë dhe jugosllavizmin e thirrur, i ka mënyra të politikëbërjes, vetëm për tymnajë  perëndimore, si mënyrë për mbajtjen e Kosovës nën trysninë e një Serbie megallomane, ëndërrimtare për t’u bërë prapë federatë. Megjithëse komuniste e diktatoriale, Jugosllavia qe cilësuar “socializmi me fytyrë njerëzore”, por shpejt u vertetua se qe më gjaksor edhe se sa socializmi ortodoks rus. Nacionalizmi brutal serb po përshtat jugosllavizmin për t’u paraqitur si “nacionalizëm me fytyrë europiane”. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›