E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga jakobinët deri tek “evropianët e rinj”

Luftërat çlirimtare s’bëhen me sllogane internacionaliste. Këtë e kuptoi Jozef Stalini kur haubitzat e “Barbarossas” gjëmuan zhurmshëm në Smolensk, jo larg portave të Kremlinit. Pas një javë hamendjesh introspektive në vilën e tij në Volinsko, gjeorgjiani që mohonte kombësinë e vet, ndezi një zjarr të befasishëm të nacionalizmit rus duke harruar për një kohë Marksin dhe Leninin. Meqë historia e re sovjetike me spastrimet politike të paradokohshme s’i hynin në punë për të ngritur moralin e popullsisë, Stalini hapi arkën e pluhurosur të krenarisë së dikushme cariste, duke rehabilituar fytyrat historike si Aleksandër Nevskij, Ivan Grozni dhe gjeneral Kutuzovin, i njohur nga luftërat bonapartiane.Ajzenshtajni ia mveshi Stalinit maskën e Ivan Groznit. Në skenat filmike me hije të zgjatura u shfaq alter-egoja e Xhugashvillit e fshehur nën mjekrën e kreshpëruar të Groznit, duke ndezur imagjinatën e turmave popullore. çdo turmë ka shenja dhe simbole, mite dhe përralla, svantovidë e vesvese lokaliste që i flenë në zemër pa marrë parasysh se mund të duken të marra dhe irracionale për vrojtuesin jashtë turmës që ka të tjera marrëzira të ngjizura në zemër. Ajo që duhej shpëtuar para së gjithash gjatë përballjes me makinerinë luftarake të operacionit “Barbarossa” ishte shpirti rus, ortodoksia ruse, krenaria ruse e farkëtuar që nga kohërat e Pjetrit të Madh dhe jo ajo amfibia e rrëshqitshme e çernishevskit, “Njeriu i Ri” ose më pas: “Homo Sovieticus”, foshnja revolucionare e Lunaçarskit. Asnjë Komintern, asnjë drapër e çekan, asnjë pllakat i bërë me shije të keqe socialiste ku thyen gurë proletariati me muskuj të ekzagjeruar e me nofulla kubiste s’mund të bënte punën më mirë sesa kushtrimi që çoi peshë katundarinë ruse për të mbrojtur vlerat e përbashkëta, të identifikueshme, kombëtare dhe fetare.Nën krismat e haubitzave dhe uturimat e panzierëve gjermanë, “Homo Sovieticus” do të priste edhe për një kohë. Shkulja e dhëmbëve të krimbur të nacionalizmit bëhet vetëm në kohë paqeje. Aq më tepër që metodat e përdorura gjer atëherë për të “riedukuar” dhe “riformësuar” shpirtin rus kishin qenë kryesisht brutale. Spastrimet si ato të kohës së “proceseve të Moskës” s’mund të prodhonin veçse demoralizim, frikë e renegatë, gjëra të fundit që i duhen një regjimi për t’u mbrojtur nga kërcënimet armiqësore të jashtme. Vetëm mbas lufte do të vazhdonte “riformësimi” i “armikut të brendshëm”, domethënë përpjekjet e pareshtura për të ndryshuar natyrën njerëzore ashtu siç bënin, ndoshta për herë të parë në mënyrë të organizuar në historinë njerëzore, jakobinët e Robespierit kur i ndanin njerëzit në dy grupe: në “të mirë” dhe “të këqinj”. Për jakobinët, trysnia e terrorit dhe eksploatimi i frikës nga ndëshkimi, që është plotësisht në natyrën njerëzore, kanë qenë nga mënyrat më të preferuara të nguljes së kodeve morale në trurin e qytetarëve. S’mund të mos e përmendim metaforën e John Lockut se mendja njerëzore është një tabelë e zbrazët, një “tabula rasa”, dhe interesi themelor i reformatorëve shoqërorë përqendrohet pikërisht në mendjen njerëzore e cila “s’është tjetër” veçse një mekanizëm mbi të cilin mund të ushtrohen ndikime nga jashtë.Mendimtarët si Rousseau ose Helvetius kanë besuar se këto ndikime mund të jenë plotësisht të aplikueshme tek fëmijët dhe të rinjtë. Rousseau ka thënë po ashtu se njeriu lind me shpirt të mirë por korruptohet më pas nga civilizimi. Përpunimi, fshirja dhe shkarravitja e tabula rasës, ngulja e informacioneve, e dogmave dhe e botëkuptimeve, trysnia për të krijuar njeriun e përshtatshëm me kurriz të lakueshëm, adapt, të përkulshëm përpara këmbës së sovranit, zotnisë ose përpara monstrave shoqërore të etabluara kanë qenë mënyra të preferuara edhe nga fuqitë kolonialiste. Këtë e kanë bërë, fjala vjen, anglezët duke “ambientuar” rininë e “lakueshme” indiane në getot përpunuese në Ishujt Britanikë. Këtë kanë bërë në “Katër Komunat” e Afrikës Perëndimore edhe francezët, të cilët gjithsesi kanë merita shumë më të mëdha sesa q’i kujton bandilli i Babelit, Jean Bienalle, kur thotë se askush s’mund t’ua ha hakun francezëve për zbulimin e gruas, sofrës dhe librit. Revolucioni francez ka lënë mbas vetes mjaft pluhur, piskama e turbullira dhe sidomos një traditë të fuqishme të simbolizmit politik, të ceremonive politike dhe ritualeve ideologjike gati okultiste që manifestohen nëpërmjet marsheve, paradave, festivaleve, banketeve ku herë pas here digjen publikisht simbolet e “së Keqes”. Nuk ka sistem totalitar që nuk ka nxjerrë mësime nga Revolucioni Francez.Për emisarët politikë që merren me punët e indoktrinimit, për jakobinët e sotshëm që besojnë plotësisht se mënyrat kolonialiste të shpëlarjes së trurit janë të efektshme, Kosova është një oazë. Meqenëse lufta s’bëhej me sllogane e me trakte marksiste-leniniste, atëherë edhe lufta çlirimtare e shqiptarëve u bë me zemër, me ndjenja kombëtare dhe jo me grushtin enverist të ngritur lart. Luftëtarët e kuptuan atë që kuptoi dikur Stalini, se ndjenja kombëtare është mishi për top, kurse solidariteti socialist gjithëbotëror është një frazë paradash festive. Jashtë paradave, banketeve dhe oratorive masturbuese publike që s’lenë asnjë shpresë, secili shkon në punën e vet, që do të thotë se s’mund të ketë hipokrizi më pa rrugëdalje sesa ajo që ngrihet mbi fundamentin e shkrifët të një solidariteti sipërfaqësor.është e qartë se liria njerëzore, universale, është një punë mjaft abstrakte. Nganjëherë vetëm një eufemizëm për dekorimin e bisedave snobe në tryezën e darkës. Po të shkokëlosh retorikën e “edukatorëve” që merren me punë jakobine, ta merr mendja se për të qenë njeri duhet të mos jesh njeri, domethënë duhet të heqësh dorë nga “çikërrimat” si përkatësia kombëtare, krenaria kombëtare, veset, xhelozitë, mëritë, etj. është e habitshme se si “edukatorët” e demokracisë shpërhapin një frymë thellësisht marksiste, për të mos thënë staliniste-zhdanoviste, kur është fjala për “shndërrimin” e karaktereve njerëzore. Në qoftë se besojnë, ashtu siç besonte Engelsi se fjala vjen xhelozia qenka një ndjenjë relativisht e re dhe nëse është e kushtëzuar, historike, ajo mund të zhduket fare, atëherë ka të ngjarë që në Kosovë mëtohet krijimi i një pandani të Homo Sovieticusit, një Homo Kosovarus i shpëlarë nga “ndjenjat negative”, nga egoizmi, një zomb i nënshtruar, i shkrirë plotësisht në monstrat shoqërore të jakobinëve. Sidomos rinia “kosovare”, e hutuar dhe e dëshpëruar, pavarësisht nga shkalla e lartë e optimizmit që del nga grafet e anketave, konsiderohet e lakueshme, adapte, një specie pa kurriz e përshtatshme për eksperimentime psiko-sociale.Mjaft reklama e fushata janë bërë në Kosovën e pasluftës. Njëfarë Agitpropi “kosovar” ka fabrikuar materiale propagandistike të cilat publiku i ka përpirë në emër të brandingut ose si “çështje imixhi”, megjithëse tërë këto s’kanë qenë veçse variante jakobine të nguljes së informatës në tabula rasa. Një nga fabrikatet propaganduese të Agitpropit “kosovar” është edhe kontigjenti i evropianëve të rinj, “The Young Europians”, e ardhmja progresive e Evropës – një sprovë patetike për sajimin e një Njeriu të Ri anacional në zemrën e kontinentit që ka lindur, rritur dhe ushqyer derrin e shëndetshëm të nacionalizmit. Duke qenë se “evropianit të ri”, për paradoks, nuk i jepet as viza për të pasur qasje fizike në pjesën e Evropës ku mëtohet të lansohet si “produkt”, atëherë mund të thuhet lirisht se as nuk ekziston jashtë kornizave pastorale të reklamës, domethënë jashtë vetëkënaqjes mazokiste për të bërë rolin e budallait virtual në mënyrë vullnetare. Rousseau bash për këtë e ka pasur fjalën: nënshtrimin e vullnetit individual përpara vullnetit kolektiv, domethënë përpara vullnetit të pushtetit. Merret vesh që kjo s’është bash një marrëzi e kulluar në shoqëritë ku nihilizmi dhe inferioriteti vetëposhtërues kthehen në mentalitet shoqëror, mirëpo në Kosovë “vullneti kolektiv” nuk është i popullit, por vetëm i disave, në radhë të parë i zyrtarëve politikë ndërkombëtarë dhe ndihmësve të tyre vendorë. Nuk ka vend në botë ku asistentët e pushtetit, aparatçikët e dorës së dytë, krijojnë një iluzion kaq të përkryer të pasjes së pushtetit real.Nganjëherë s’të duhen gjë pasardhësit jakobinë të Robespierrit për t’ia shkrepur vetes plumb këmbës. Mazokizmi ekziston. Kandidatë për të bërë marifetet e Mikhail Susllovit ekzistojnë poashtu. Mjaft të hapësh shkolla pa asnjë kriter, mjaft të ushqesh një estradë budallenjsh që të prishin shijen me tallava e me arabeska orientale, mjaft të financosh paçavure gazetash programatike që nxijnë nga nonsenset e grafomanëve gjysmanalfabetë dhe më në fund edhe të sajosh gullashe propagandistike si “Kosovo – The Young Europians”, ku Agitpropi tregon një zell censorial të hatashëm duke u kujdesur që emri “shqiptar”, si emri i Qoftëlargut, të mos përmendet asnjëherë dhe Kosova të bëhet, vullnetarisht, Kosovo. Ka të paktën dhjetë vjet qëkur ditorja më e madhe daneze “Politiken” përdor variantin Kosova, por producentët e Agitpropit dinë më mirë. Stalinizmi është plotësisht i aplikueshëm vetëm në kohë paqeje. Me një flamur e me një qëllim të qartë nisesh në luftë, e me një tjetër flamur nisesh për ta pështyrë e përdhosur qëllimin e luftës. Kjo ka të bëjë me rrugët që të çojnë përpara ose mbas. Ishin zënë Plehanovi dhe Lenini lidhur me rrugët e revolucionit. Plehanovi ngul këmbë se rruga drejt socializmit duhet të kalojë përmes kapitalizmit, ndërkaq Lenini kundërshton idenë e dy revolucioneve, megjithëse s’jep prova bindëse se “rruga” e Plehanovit është e gabuar. E përmendim këtë sa për ta bërë më të qartë dialektikën e mbrapshtë të “rrugëtimit kosovar”. Rruga për në demokraci duhet të kalojë, me sa duket, përmes stalinizmit....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›