Berat, përplasen 2 automjete, plagosen pasagjerët
Dy mjete janë përplasur me njëra-tjetrën si rezultat i një parakalimi të gabuar nga ana e njërit prej drejtuesve, ndërkohë që kanë përfunduar të plagosur pasagjerët e dy mjeteve. Burime të komisariatit të policisë së Beratit bënë me dije se mbrëmjen e djeshme nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Tajar Çela, 45 vjeç, banor në fshatin Vlashuk të komunës Kozare në rrethin e Kuçovës.
Policia tha se hetimi nisi ndaj tij pasi rreth mesditës së djeshme, ndërsa udhëtonte në rrugën automobilistike Fier-Berat, në hyrje të fshatit Kutalli, duke drejtuar mjetin tip Benz 240, me targa KV 2917B është përplasur me një tjetër mjet. Burime nga vendi i ngjarjes bënë me dije se mjeti tip Benz që drejtohej nga Çela, si pasojë e një parakalimi të gabuar nga ana e tij është përplasur me mjetin tip Ëolsvagen, me targa 2832 që drejtohej nga Manol Çala. Si rezultat i përplasjes së dy mjeteve janë plagosur Livan Demo, 58 vjeç bashkëshortja e tij, Beruze, 55 vjeçe, Haki Çela, 48 vjeç, si dhe bashkëshortja e tij, Fiqirete, 50 vjeçe, të cilët udhëtonin në mjetin tip benz. Këta të fundit janë dërguar për mjekim në spitalin e Beratit, ku kanë marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia rrugore, pas hetimeve të para në vendin e ngjarjes deklaroi se shkak i këtij aksidenti është bërë shkelja e rregullave të qarkullit rrugor, vepër për të cilën ai tashmë do të përballet në hetim në gjendje të lirë.