E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kapterët e heshtur” të Gramoz Ruçit

Nuk ka si të shkojë më keq. Do të ishte më mirë të mos ishin marrë fare me to sesa të përgatisnin një paçavure, sa gjysmake, aq edhe diabolike sa projektligji për krimet e komunizmit që mazhoranca e djathtë ka bërë gati ta kalojë në Parlament. Duke mos hyrë në detaje, dua të përqendrohemi te dy kategori tejet të rëndësishme në hierarkinë e diktaturës komuniste që janë përjashtuar nga trajtimi në këtë projektligj për shkak të ndikimit në politikën aktuale shqiptare. Ministrat e qeverive të diktaturës dhe sekretarët e parë të PP-së në rrethe janë përjashtuar nga kufizimet politike e morale që parashikon ligji, duke u shmangur njëherazi edhe nga përgjegjësia ligjore e krimeve të komunizmit. Nuk ka shqiptar që fundi i komunizmit e kapi në moshën 10 vjeç, ta besojë e aq më tepër, ta kapërdijë një situatë të tillë. Dihen tashmë kriteret që duhet të plotësoje për të qenë ministër i qeverisë së Enver Hoxhës e sidomos sekretar i parë i PP-së në rrethe, siç dihet gjithashtu edhe përfshirja e këtyre dy kategorive në krimet e diktaturës. Përse përjashtohen këto vetëm dy kategori?! Pyetja lind vetvetiu kur njihesh me projektligjin e mazhorancës për dënimin e krimeve të komunizmit! Për të kuptuar këtë mjafton të analizojmë ndikimin e këtij ligji në politikën aktuale dhe sidomos personat që preken nga kufizimet e paralajmëruara të tij (përjashtimi nga politika dhe administrata shtetërore). PD-ja dhe aleatët e saj nuk preken drejtpërdrejt nga përfshirja në ligj e dy kategorive në fjalë pasi në lidershipet e tyre politike nuk kanë ish-ministër apo sekretarë të parë. Me thënë të drejtën, edhe e majta në shumicë është e pastruar nga figura të tilla, përveç dy prej tyre, Gramoz Ruçit dhe Skënder Gjinushit. I pari ish-sekretar i parë i PP-së në Tepelenë, i dyti ish-ministër i Arsimit i diktaturës. Me pak fjalë, nëse ligji do t’i përfshinte dy kategoritë e përjashtuara, do të kishte kufizim vetëm për dy persona në gjithë politikën aktuale shqiptare. Kam qenë i ndërgjegjshëm për forcën dhe autoritetin më shumë se politik të zotërinjve Gjinushi e Ruçi tek e majta shqiptare, por sinqerisht jam befasuar me “guximin” e mazhorancës së djathtë për të marrë përsipër mbrojtjen ligjore e publike të dy njerëzve, njëherazi edhe të dy kategorive të përfshira drejtpërdrejt në krimet e komunizmit në Shqipëri. Mbase rastësisht, por të dy politikanët që përfitojnë nga ky përjashtim i ligjit, kanë ushtruar detyra shtetërore e politike të lidhura drejtpërdrejt me krimet dhe gjenocidin komunist. Nëse ka aspekt që e kategorizonte krimin komunist në Shqipëri si gjenocid, janë pa dyshim politikat arsimore të diktaturës, ku roli i ministrit ishte parësor. Për më shumë se 50 vjet mijëra djemve e vajzave të talentuara iu mohua e drejta për arsimim, vetëm për faktin se familjarë të tyre ishin dënuar si kundërshtarë politikë të diktaturës. Dhe jo vetëm kaq. Një pjesë e mirë e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë janë detyruar të firmosnin si të tillë, pasi u është kushtëzuar me spiunllëk e drejta e studimit. Rasti “ Zogaj” më duket se është një i tillë. E solla këtë moment për të kuptuar implikimin e madh në krimet e komunizmit, sidomos të drejtuesve të politikave të arsimit në Shqipëri, veçanërisht ministrave. Me gjithë përpjekjet, nuk arrij dot të gjej një justifikim logjik, një arsye të besueshme (përveç Gjinushit) përse ministrat e diktaturës janë përjashtuar nga kufizimet e projektligjit të mazhorancës.

Por, ndërsa për Gjinushin ende jam i habitur, për Ruçin e kam një arsyetim, sa të fortë, aq edhe të besueshëm. Dihet roli i sekretarit të parë të rrethit në krimet politike të diktaturës. Asnjë arrestim politik nuk mund të kryhej në asnjë rrethanë pa autorizimin e posaçëm të tij. Ai që i vinte vulën përfundimtare krimit komunist, ishte pa dyshim sekretari i parë i PP-së në çdo rreth të Shqipërisë. Kjo mjafton për të zhvleftësuar çdo lloj justifikimi apo arsyetimi të autorëve të projektligjit për përjashtimin e kësaj kategorie. Mirëpo z. Ruçi nuk ka qenë vetëm sekretar i parë. Ai ka qenë edhe ministër i Brendshëm në një kohë politike shumë delikate, momentin e ndërrimit të sistemeve. Mendoj se pikërisht ky moment e bën zotin Ruçi tejet të imunizuar nga politika aktuale. Mirëpo ku qëndron forca e z. Ruçi? Për të shpjeguar këtë, dua të rikujtoj akuzat dhe deklaratat për asgjësimin e një pjese të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në kohën kur zoti Ruçi ishte ministër i Brendshëm dhe Sigurimi ishte ende pjesë e kësaj ministrie. Është tejet e sigurt se një kopje e dosjeve të Sigurimit në letër e mikrofilma është ruajtur nga asgjësuesit, shefi i të cilëve ishte Gramoz Ruçi. Se ku ndodhet ky arkiv, është e vështirë të thuhet, ndërkohë që është e sigurt ekzistenca e ndoshta edhe përdorimi i tij. Mendoj se pikërisht kjo është edhe pika e fortë e zotit Ruçi apo njëherazi edhe “thembra e Akilit” e mazhorancës në raport me të. Gjatë debatit publik për krimet e komunizmit ka pasur akuza të drejtpërdrejta apo edhe të tërthorta për bashkëpunime të mundshme me Sigurimin e Shtetit për drejtues të njohur të mazhorancës, por si gjithnjë, i kam kujtuar si pjesë e spekulimit politik. Pas publikimit të projektligjit, dhe në mënyrë të veçantë mungesës së një arsyeje të besueshme të përjashtimit të kategorive të tilla nga kufizimet e tij, kanë filluar të më lindin dyshime.

Në këto kushte, kam të drejtë të dyshoj se janë pikërisht informacionet që zoti Ruçi ka në dispozicion nga arkivat e Sigurimit ato që detyrojnë një mazhorancë të djathtë të bëjë një ligj nga i cili përfitojnë vetëm dy persona, që të dy kundërshtarë të egër politikë të saj.

Kam gjithashtu të drejtë të besoj se “heronjtë e heshtur” brenda mazhorancës kanë forcë të tillë sa të detyrojnë edhe zhvillime të tilla jashtë çdo logjike politike. Duke perifrazuar Kryeministrin Berisha, duket se numri i “kapterëve” të heshtur të zotit Ruçi në kampin e mazhorancës është shumë më shumë nga një (numri publik e zyrtar). Por ky duket se është problem i saj. Problem për Shqipërinë e shqiptarët ngelet ky projektligj, si një dështim i radhës në përpjekjet për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Gjithsesi, një përpjekje e tillë përbën edhe një problem esencial për mazhorancën, besueshmëria e së cilës mund të tronditet seriozisht brenda dhe jashtë vendit nëse miraton këtë projektligj. Nuk besoj që iniciuesit e saj në BE dhe KE, do të pranojnë një realitet të tillë ku pjesëtarë të kupolës kriminale të diktaturës përjashtohen nga një ligj që synon dënimet e këtyre krimeve, ndërkohë parashikon kufizime për viktimat. Nëse ky ligj që në të vërtet po bëhet për të përmbushur një kërkesë apo kusht të integrimit euroatlantik, miratohet ,na duhet të pranojmë se është apriori i dështuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›