E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët: Nuk blejmë dot vaksinën antigrip

Nuk përfshihet në librezën shëndetësore dhe për të gjithë qytetarët vaksina antigrip kushton 12 mijë lekë të vjetra. Mjekët këshillojnë që kjo vaksinë të bëhet nga çdo njeri, por në mënyrë të veçantë për fëmijët dhe pensionistët. Këta të fundit e kanë në mëdyshje të bëjnë vaksinën, pasi nuk kanë mundësi ta blejnë.

Pensionistët

Me shkop në dorë, teksa i dridhen duart hap derën, i afrohet banakut dhe pyet si me gjysmë zëri farmacisten: “Ka ardhur vaksina antigrip?” – dhe ajo i përgjigjet: “Po”, ndërkohë gjyshi pyet sërish: “Sa kushton?” Farmacistja thotë: “12 mijë lekë të vjetra”. Xha Abedini rrin për pak kohë mendueshëm, me vetulla të vrenjtura e me fytyrën e tij me rrudha, e ndërsa sytë e tij më shumë se asgjë tjetër tregojnë dhembjen teksa flet: “Të keqen moj bijë, se të kam si vajzën time, unë vetëm pyeta se nuk kam mundësi të bëj vaksinën. Për xhepin e një pensionisti është shumë e shtrenjtë”, - shprehet Xha Abedini, rreth të 70-ave.

Pasi bëri pyetjet e tij, ashtu mundimshëm del nga farmacia pa bërë asnjë fjalë më tepër. Farmacistja shprehet se ndonëse prej pak kohësh që ka dalë në shitje vaksina antigrip, kanë qenë të shumtë pensionistët të cilët janë interesuar për të, por nuk e kanë blerë, si shkak i pamundësive që kanë.

E megjithatë, kostoja e vaksinës nuk mbulohet nga Ministria e Shëndetësisë, por kjo e fundit ofron kryerjen falas të vaksinës në të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor.

Nga ana e vet, Instituti i Shëndetit Publik sqaron se vaksinimi rekomandohet të kryhet pranë institucioneve shëndetësore. Ndërkohë, ISHP-ja është duke përgatitur një raport lidhur me opsionet e ofrimit falas të vaksinës kundër gripit për grupe me risk të lartë, në të ardhmen e afërt. Por deri më tani nuk është bërë asnjë deklaratë dhe vaksina vazhdon të shitet me të njëjtin çmim për të gjitha kategoritë.

Por në ndryshim nga viti i kaluar, vaksina këtë vit ka dalë në treg në fillim të tetorit, ndërsa vjet farmacitë janë pajisur me të në fund të muajit nëntor. Për këtë mjekët rekomandojnë të vaksinohen që në momentin kur vaksina disponohet dhe hidhet në treg, ajo është e aplikueshme për popullatën, duke i paraprirë periudhës para fillimit të sezonit gripal.

Dallimi

Duhet të kenë kujdes të gjithë ata persona që kërkojnë të bëjnë këtë vaksinë, pasi nëpër farmaci gjenden ende vaksina antigrip të vitit të kaluar. Disa prej këtyre farmacive nuk kanë tregtuar të gjitha dozat e vitit të kaluar. Për shumëkënd kjo gjë mund të krijojë konfuzion, pasi si vaksinat e sivjetshme, ashtu edhe ato të vjetshme kanë të njëjtin emërtim dhe ambalazhim. Por ndryshimi mes tyre qëndron tek data e skadencës. Kështu, vaksina antigrip, ajo që ka dalë në treg këtë vit skadon në dhjetorin e vitit të ardhshëm, dhjetor 2009, ndërsa vaksina antigrip e vjetshme skadon në dhjetorin e këtij viti, dhjetor 2008.

Vaksina

Nga të gjithë qytetarët është e nevojshme të dihet që çdo vaksinë ka specifikat e veta, prandaj është e këshillueshme që edhe vaksina antigrip të bëhet ajo që ka ardhur këtë vit, pasi nga specialistët e shëndetit, vaksina i është përshtatur gripit dhe viruseve që qarkullojnë këtë vit. Kështu, vaksina e gripit sezonal përmban tipe virusesh, të cilat rekomandohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, bazuar në mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe vlerësimet e ekspertëve në lidhje me tipet e viruseve në qarkullim. Vaksina për gripin sezonal 2008-2009 përmban virus të ngjashëm me virusin A/ Brisbane/59/2007 (H1N1), virus të ngjashëm me A/Brisbane/10/2007 (H3N2), virus të ngjashëm me B/Florida /4/2006 A/ Brisbane/10/2007, që është virusi që aktualisht qarkullon në hemisferën jugore, ndërkohë që B/Florida /4/2006 dhe B/Brisbane/3/2007, janë viruse të ngjashme me B/Florida /4/2006, kryesisht përbërës të vaksinave, që përdoren në hemisferën jugore.

Rekomandime për aplikimin e vaksinës

Vaksina mund të aplikohet nga çdo person, përfshi gratë shtatzëna, por këshillohet veçanërisht tek disa grupe të popullatës, për arsye të riskut më të lartë për komplikacione nga gripi. Personat që u rekomandohet të vaksinohen çdo vit, janë fëmijët mbi 6 muajsh (tek fëmijët nën 6 muajsh vaksina nuk jep efekt, pasi ende nuk është formuar sistemi imunitar), që frekuentojnë çerdhe, kopshte dhe shkolla, personat mbi 60 vjeç, personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, veshkave etj. Ndërkohë, personat që kanë deficite të sistemit imunitar, duhet të vaksinohen pasi të konsultohen me mjekun përkatës. Ndër personat që duhet të vaksinohen çdo vit janë dhe personeli i çerdheve, kopshteve dhe shkollave, si dhe personeli që punon në stabilimentet e shpendëve.

Sipas ISHP-së, një dozë e vaksinës së gripit të inaktivuar është imunogjenike për individët e të gjitha moshave, përveç fëmijëve të vegjël. Fëmijët e vegjël, që nuk kane qenë të vaksinuar, për të pasur një efikasitet të lartë të vaksinimit, rekomandohet të marrin 2 doza të vaksinës së inaktivuar (sipas dozimit për fëmijët) në një interval kohor, të paktën 4 javë midis dozave.

Efekti i mbrojtjes imunitare tek personat që aplikojnë vaksinën fillon të shfaqet një javë deri në dy, pas aplikimit të vaksinës. Por, përveç rëndësisë së marrjes dhe aplikimit të vaksinës, ISHP-ja pohon se duhet të kihet parasysh që individët duhet të evitojnë kontaktet me njerëzit e sëmurë me gjendje gripale. Individët e sëmurë me grip duhet të evitojnë kontaktet me personat e tjerë, ndërsa masat bazë higjienike në veçanti, mbulimi kur kollitemi dhe teshtijmë, eliminimi i pështyrjes në tokë dhe larja e duarve janë të efektshme në parandalimin e gripit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›