E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Arteve propozon 230 kuota për pranimet e reja



Jonida Tashi

Akademia e Arteve propozon 230 kuota pranimi, për vitin e ri akademik 2010-2011. Një vit më parë, në degët e kësaj Akademie u pranuan afro 200 studentë të rinj. Por megjithë rritjen e vogël të kuotës totale të pranimit, sërish tre fakultetet e Akademisë së Arteve do të pranojnë pothuajse të njëjtin numër studentësh, krahasuar me vitin e shkuar, për arsye se një pjesë e kuotave të shtuara do të jenë për degët e reja që janë hapur gjatë këtij viti akademik në këtë institucion. Ndërsa përsa i përket tarifave të studimit, që duhet të paguajnë studentët e vitit të parë, që do të shpallen fitues në një nga degët e Akademisë së Arteve, burime zyrtare nga ky institucion pohojnë se nuk është propozuar rritja e tyre.
Tarifat
Drejtuesit e Akademisë së Arteve propozojnë që të mbeten në fuqi tarifat e vitit të shkuar edhe për vitin e ri akademik. Vitin e kaluar, tarifa e studimit në programin e studimit “Regji Filmi” ishte 80 mijë lekë, ndërsa në të gjitha programet e tjera të studimit të Akademisë së Arteve 30 mijë lekë. Por, megjithëse drejtuesit e Arteve deklarojnë jo rritje të tarifave të studimit, do të jetë qeveria ajo që do të miratojë përfundimisht tarifat e shkollimit për vitin e ri akademik. Aktualisht, Akademia e Arteve ka fituar edhe statusin e universitetit. Pas marrjes së këtij statusi, Akademia e Arteve, do të funksionojë si të gjitha universitetet e tjera të vendit. Për rrjedhojë, studentët e Akademisë së Arteve do të kryejnë 3 vite universitet dhe më pas 2 vjet master. Pak kohë më parë, qeveria shndërroi në universitet edhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”.
Kriteret
Akademia e Arteve ka publikuar edhe kriteret e konkurseve të pranimit, për vitin e ri akademik 2010-2011, të cilat gjenden edhe në faqen zyrtare të saj. Programet e konkursit të pranimit, për të gjitha degët e tre fakulteteve të Akademisë, duke filluar nga ai i Muzikës, Artit Skenik e deri te Fakulteti i Arteve të Bukura përmbajnë jo vetëm çfarë duhet të mësojnë maturantët që do të konkurrojnë në Akademi, por edhe fazat e zhvillimit të konkursit, vlerësimi etj. Gjithashtu, kandidatët për studentë në Akademinë e Arteve, përveç provimit me shkrim si pjesë e konkursit, do të testohen edhe në praktikë për talentin që ata kanë. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve. Për këtë arsye, maturantët që do të pranohen në këto institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve.
Fituesit
Ashtu siç është përcaktuar edhe nga Ministria e Arsimit, kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në shkollat akademike do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Kështu, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie për vitin akademik 2010-2011.

Si bëhet pranimi i studentëve në programet e studimit të nivelit të parë
Mbështetur në ligjin nr.9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” si dhe në udhëzimin e MASH-it, për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të parë apo program të integruar studimi të ciklit të dytë,
kandidati duhet të ketë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, ose të zotërojë një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë shtetit, të vlerësuar nga MASH ekuivalente me
të, ose të zotërojë një diplomë të lëshuar nga një i institucion i arsimit të lartë i njohur me ligj si i tillë. Kandidatët fitojnë të drejtën për t’u regjistruar në një program studimi të ciklit të parë, nëpërmjet konkurrimit pranë fakulteteve të Akademisë së Arteve dhe pas shpalljes fitues përfundimisht nga MASH. Kriteret e hyrjes, programi i konkursit, organizimi i tij, vlerësimi i konkurrentëve dhe shpallja e fituesve bëhet nën përgjegjësinë e departamenteve dhe fakulteteve, përgjegjëse për këtë diplomë. Rektorati kontrollon procesin në të gjitha etapat e tij. Fakultetet, mbështetur në statutin e Akademisë dhe të fakulteteve, shpallin kriteret e hyrjes dhe programin e konkursit në bazë të propozimeve të departamenteve, të paktën një vit para fillimit të pranimeve të radhës në
institucion. Mënyra e organizimit të konkursit, përgjegjësitë, kriteret e vlerësimit jepen në procedurën e organizimit të konkurseve. Për studentët e huaj, përveç kritereve të konkursit, përfshihet edhe njohja e Gjuhës shqipe. Kandidatët fitues, fitojnë statusin e studentit dhe kanë të drejtë të ndjekin studimet në vitin akademik përkatës, nëse regjistrohen në sekretarinë mësimore të fakultetit brenda afateve kohore të përcaktuara paraprakisht dhe të shpallura. Nëse nuk regjistrohen brenda këtyre afateve, Akademia nuk merr përsipër ruajtjen e së drejtës së studimit.

Organizimi i studimeve në Akademinë e Arteve

Në Akademinë e Arteve studimet universitare organizohen në sistemin me kohë të plotë në tre cikle të njëpasnjëshme.
Programet e ciklit të parë synojnë të japin njohuri themelore mbi metoda dhe parime artistiko-shkencore në specialitete të ndryshme. Ky cikël duhet të përmbajë jo më pak se 180 kredite dhe zgjatja normale është tre vite.
Programet e ciklit të dytë synojnë të japin njohuri të thelluara mbi metoda dhe parime artistiko-shkencore si dhe edukim për kërkim të pavarur artistiko-shkencor. Ky cikël duhet të përmbajë jo më pak se 120 kredite dhe zgjatja normale është dy vite. Akademia e Arteve në specialitete të veçanta të përcaktuara nga rregulloret e fakulteteve, ofron programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku, të cilat realizohen në jo më pak 300 kredite dhe zgjatja normale e tyre është jo më pak se pesë vite. Programet e studimeve “Master i Nivelit të Parë”, u ofrohen të diplomuarve me një diplomë të nivelit të parë. Këto programe përmbajnë 60 kredite dhe zgjatja është një vit. Programet e studimeve “Master të Nivelit të Dytë”, u ofrojnë të diplomuarve një diplomë të nivelit të dytë, edukim më të thelluar e krijues artistiko-shkencor, përmbajnë jo më pak se 60 kredite dhe zgjatja e tyre është minimumi një vit. Programet e doktoraturës janë programe të studimeve të ciklit të tretë me karakter plotësisht akademik që kanë në bazë kërkimin artistiko-shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura.

Tarifat e studimit
Tarifat vjetore të shkollimit që Akademia e Arteve propozon për studentët në programet e studimit të ciklit të parë, me kohë të plotë, për vitin akademik 2010-2011 janë:
Në programin e studimit “Regji filmi & TV” 80 000 lekë
Në të gjitha programet e tjera të studimit 30 000 lekë

Programet e studimeve të nivelit të parë që ofron Akademia e Arteve

Fakulteti i Muzikës
Pianist
Violinist
Violist
Violonçelist
Këngëtarë
Kontrabasist
Flautist
Klarinetist
Oboist
Fagotist
Trombist
Kornist
Trombonist
Tubist
Kitarist
Muzikolog
Kompozitor
Dirizhor
Fizarmonikë
Pedagogji

Fakulteti i Artit Skenik
Regjisor
Aktor
Skenograf-Kostumograf
Koreograf
Regjisor Filmi dhe Televizioni

Fakulteti i Arteve të Bukura
Piktor Grafik
Piktor Tekstili dhe Mode
Piktor Multimedia
Piktor Kavaleti
Piktor Monumental
Skulptor
Skulptor Qeramike

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›