ISSH: Kush përfiton pension deri më 30 qershor 2010
Jonida Tashi
Përcaktohen moshat që do ta ligjërojnë të drejtën e pensionit deri në datën 30 qershor të vitit aktual. Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë kanë detajuar moshat dhe kushtet sipas kategorive, që duhet të përmbushin ata që gjenden në prag të daljes në pension. Më konkretisht, specialistët e pensioneve kanë detajuar kushtet zyrtare, për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm deri në datën 30 qershor 2010. Për këtë, specialistët e ISSH-së në Tiranë kanë përcaktuar moshat që do ta ligjërojnë të drejtën e pensionit, deri në afatin e mësipërm. Ndërkaq, për t’u ardhur në ndihmë personave në prag të daljes në pension, specialistët e Sigurimeve Shoqërore kanë nxjerrë në mënyrë të hollësishme kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, si dhe dokumentet e nevojshme, për të dyja gjinitë sipas kategorive. Sipas kushteve të vendosura, kriteret e përfitimit të pensionit kanë pësuar ndryshime për çdo kategori. Kështu, deri më 30 qershor 2010, për punët e kategorisë së parë mosha e daljes në pension dhe periudha e sigurimit në vite është rritur me një vit. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit të pleqërisë është rritur me 6 muaj, por periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Për rrjedhojë, të gjithë personat që bëjnë pjesë në kategorinë e dytë të punës, që e plotësojnë moshën e pensionit brenda harkut kohor korrik 2009-qershor 2010, duhet të kenë të siguruara plot 35 vite pune. Të njëjtat ndryshime me kategorinë e dytë kanë pësuar kushtet e daljes në pension edhe për kategorinë e tretë. Edhe për këtë kategori, mosha e daljes në pension është rritur me 6 muaj për të dyja gjinitë, ndërsa periudha e sigurimit ka mbetur po 35 vite pune.
Kushtet
Ekspertët e ISSH-së kanë specifikuar kushtet kryesore që duhet të plotësojnë personat për të ligjëruar të drejtën e pensionit. Kushtet për të përfituar pension të plotë pleqërie deri më 30 qershor 2010, për të dyja gjinitë, sipas kategorive, janë si më poshtë. Për punët e kategorisë së parë, mosha e daljes në pension për burrat është 58 vjeç, kurse për gratë 53 vjeç. Periudha e vjetërisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 30 vjet të siguruara. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e përfitimit të pensionit është 63 vjeç për burrat dhe 58 vjeç për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Për punët e kategorisë së tretë është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç dhe për gratë 59 vjeç, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar është 35 vjet pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për ta plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune. Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, 3/4 e saj duhet të jenë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që 1/2 e periudhës së punës të jetë në këto punime. Drejtuesit e ISSH-së sqarojnë se një informacion më të hollësishëm të gjithë të interesuarit në prag të përfitimit të pensionit mund ta marrin pranë punëdhënësit të tyre, ose pranë agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit përkatës.
Procedurat
Mbështetur në rregulloren nr.1, datë 21 tetor 2008 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve”, të Këshillit Administrativ të ISSH-së, të gjithë personat që u afrohet koha për të përfituar një pension pleqërie, sipas Ligjit Nr.7703, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim që 12 muaj para plotësimit të kushteve për pension, pranë agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tyre. Kurse personat që nuk disponojnë dokumentet, duhet të bëjnë vetëdeklarimin me shkrim në kërkesën paraprake. Më poshtë, ekspertët e ISSH-së sqarojnë procedurat që duhet të ndjekin të interesuarit për të përfituar pension pleqërie jo vetëm për ata që i disponojnë dokumentet, por edhe personat që i kanë humbur ato. Çdo person që është në prag të plotësimit të kushteve të mësipërme, duhet të paraqitet pranë organeve përkatëse të vendbanimit të tij për të plotësuar kërkesën paraprake për të drejtën e pensionit, duke dorëzuar dhe një listë të caktuar dokumentacionesh që kërkohen. Kjo procedurë duhet të kryhet 12 muaj para se personit t’i lindë e drejta ligjore e marrjes së pensionit të pleqërisë. Madje edhe personat që nuk disponojnë dokumentet për pension duhet të paraqiten pranë vendbanimit të tyre për të plotësuar kërkesën paraprake. Për këtë, ata do të plotësojnë një formular, në të cilin duhet të deklarojnë periudhat e tyre të sigurimeve (historikun e punës). Kështu, kërkesa parapake për plotësimin e dokumenteve për caktimin e pensionit ndahet në disa pjesë. E para, përmbledh të dhënat mbi gjendjen civile të aplikuesit, ku deklarohen të gjitha gjeneralitetet dhe vendbanimet e tij deri në çastin e përftimit. Këto të dhëna plotësohen duke pasur parasysh regjistrimet e bëra në gjendjet civile. Pjesa e dytë përmban kërkesën ku detajohet se ç’lloj pensioni duhet të përfitojë. Më pas vijohet me pjesën e tretë, e cila përbëhet nga tabelat përkatëse në të cilat evidentohen periudhat e sigurimeve në vite. Përbri secilit subjekt të punësuar citohen detyrat e bëra nga aplikuesi nga data e fillimit të punës deri në kohën e ndërrimit të vendit të punës. Po e njëjta procedurë ndiqet dhe në tabelën tjetër përkatëse: punësimet në kooperativat bujqësore me shpërblim në ditë pune, apo punësimet e bëra në subjektet private. Gjithashtu në këtë kërkesë duhet të detajohen dhe rastet e të vetëpunësuarve në aktivitetet bujqësore. Më pas bëhet dhe deklarimi i sigurimeve vullnetare të derdhura në afatet kohore përkatëse, deklarohet nëse aplikanti është trajtuar me përfitime afatshkurta nga sigurimet shoqërore pas 1 janarit të 1994-s, si dhe vitet kur është kryer shërbimi ushtarak.
Dokumentet e kërkesës paraprake
Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë:
Fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës;
Certifikatë lindje me fotografi;
Certifikatë martese për kërkueset femra.
Dokumentet për pension pleqërie
Mosha
Certifikatë lindjeje me fotografi.
Certifikatë e gjendjes familjare.
Certifikate martese (vetëm për kërkueset femra).
Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës, apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje.
Fotografi për librezën e pensionit
Periudha e sigurimit dhe lloji i punës
Libreza e punës.
Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
Vërtetim për periudhën e sigurimit të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare si dhe të siguruarit sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Vërtetim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativë bujqësore për ish-anëtarët e saj para vitit 1992.
Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Për personat që përfitojnë nga ligji nr.7514, datë 30.9.1991 “Për Pafajësinë, Amnistinë dhe
Rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë”: dëshmi penaliteti; vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik; vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Të ardhurat
Vërtetim page sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, sipas formularit të miratuar.
Vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës.
Pasqyra e printuar e pagave referuese, sipas vendimit të Këshillit te Ministrave nr.561, datë 12.8.2005.
PENSIONI I PLOTË
MOSHA DHE PERIUDHA E SIGURIMIT QË KËRKOHET NË
VITE PËR SECILËN KATEGORI
BURRI
Kategoria
I Kategoria
II Kategoria
III
Vitet Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës
01.07.2009 - 30.06.2010 58 30 63v 35 64v 35
GRUAJA
Kategoria
I Kategoria
II Kategoria
III
Vitet Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës mosha Vjetërsia e punës
01.07.2009 - 30.06.2010 53 30 58v 35 59v 35
PENSIONI I PJESSHËM
MOSHA DHE PERIUDHA E SIGURIMIT QË KËRKOHET NË VITE PËR TË DYJA GJINITË
Vitet Mosha
për burrat Vitet
e sigurimit për burrat Mosha
për gratë Vitet
e sigurimit
për gratë
01.07.2009 - 30.06.2010 64v 20 v 59v 20v
13 Prill 2010