Ditari sekret i Gjovalin Lukës: Mashtrimi i Enver Hoxhës me Stalinin për Albaninë kaukaze
Agron Luka
Vijon nga numrat e kaluar
Albania kaukazike!?
- Unë mendoj se studimi i historisë së antikitetit, e më thellë, duhet të bëhet nga ekspertë, mbi baza shkencore dhe jo me “vijën e partisë” dhe me “fantazinë e urdhrat e komandantit”. Po ju tregoj një episod. Më 1947, gjatë një vizite në BRSS me një delegacion të lartë kulturor, mbi bazën e disa kumtimeve të disa studiuesve vendas, të një harte italiane të historisë antike dhe të disa shkrimeve mesjetare që i kisha lexuar aty këtu, me nxitjen edhe të shokut Nako Spiru, unë pyeta në një muzeum një profesor rus “për popullin dhe vendin e Albanisë në territorin buzë Kaspikut”. Qarkullonte një hipotezë antike, qysh nga mesjeta, sipas historianit tonë mesjetar të shek XV, Marin Barleti, sikur populli ynë e kishte origjinën nga një emigrim nga kjo Albania kaukazike. Një hipotezë tjetër e trajtonte se disa mbeturina albanësh ilirianë, kishin mbetur aty-këtu si ishuj, qysh nga koha e Aleksandrit të Madh. Thuhej, gjithashtu se albanët e kishin shoqëruar Herakliun mitologjik në disa eksplorime. Gjithashtu thuhej se, edhe Aleksandri i Madh ndiqte “gjurmët e Herakliut”, për të shkuar “në fund të Botës, nga Lindja” etj. Ky profesori ciceron, nuk kishte dijeni fare për këtë Albaninë kaukazike, bile u çudit shumë, por na tha se kishte disa fshatra allbancësh afër Odesës. Këtë gjë ne e dinim nga tregimet e një shoku të vjetër, Sterio Gjokoreci, i cili ka jetuar në Odesa. Pyetjen dhe bisedën e “Albanisë Kakukazike” e kishte dëgjuar e shoqja e Enver Hoxhës, anëtare e delegacionit dhe ia kishte raportuar të shoqit. Dhe Enver Hoxha këtë “sekret” ia kishte rihapur gjeneralissimit Stalin, në një vizitë pak muaj më mbrapa, në korrik 1947, ku shpresonte shumë që si të thuash të dilnim me “origjinë kaukazike” sa më afër vend-origjinës së gjeneralissimit.
Sipas tregimeve gojore të Nexhmijes, kishte qenë vetë Stalini, i cili e kishte pyetur i pari Enver Hoxhën: “Më kanë raportuar se ju albanët jeni me origjinë nga Albania kaukazike, afër Azerbajxhanit. Me qenë se unë i njoh mirë disa nga gjuhët kaukazike, do t’ju pyes për disa fjalë”... Të dy hulumtuesit, si “ekspertë linguistë”, kishin “eksploruar” gjerë e gjatë popujt e vjetër nga skithët e Albania e Kaukazit , te skithët e albanët e Albanopolisit të gadishullit tonë në Iliri, pastaj në Apenine te albanët e Laciumit, te Iberrët në Spanjë e deri te Albania e Skocisë, duke ndjekur “gjurmët e këmbëve dhe rrjetat e merimangave të mitologjive të Herakliut”... (të dy rusët kishin qeshur me të madhe)
Stalini kishte mjaft simpati për Hoxhën tonë dhe ka qenë ai që e ngriti në këtë lartësi, kurse Molotovi vlerësonte më shumë gruan e Hoxhës, si një Hylle=Zvezda, sepse në arabishte Nexhmije do të thotë “Hylle”... Hoxhën tonë me gradën Gjeneral Kolonel, gjeneralissimi Stalin e donte mjaft, porse atë Fejzulla Hoxhajevin, me devijimet islamiko-komuniste, sipas Historisë së PKB të BRSS e urrente jashtëzakonisht... (Të dy rusët, ia kishin plasur gazit me të madhe dhe me ta edhe vetë Gjovalini)
-Po ju e njihkeni mirë edhe universin tonë të BRSS!
-Po, po shoku Gjovalin ka qenë disa herë në BRSS. Stalini vetë i ka quajtur shokun Ljuka dhe shokun Spiru, më 1947, si, “Miq të mëdhenj të BS”. Shoku Ljuka është kundra kultit të individit, është një intelektual. Ne kemi biseduar edhe herë të tjera, – i tha Ehrenburgu, Oparinit.
“Gogoli i Migjenit” në rusisht
- Të jem i sinqertë, unë e kam përkthyer nga rusishtja një artikull të gjatë të Andrei Zhdanovit, të vitit 1946, në vitin 1948; fillimisht, për model imitimi nga kritika jonë e re, por, më pas kam reflektuar edhe vetë ndaj tij. Kam shkruar me entuziazëm edhe për Stalinin edhe për Enverin, por ky entuziazëm erdhi shpejt duke u ftohur... Tashti, më tepër i jap të drejtë Zoshçenkos te “Aventurat e Majmunit” dhe “të djegurës” Ana Ahmatova, për një liri shtypi, mendimi e diskutimi. (Të dy rusët, qeshën gjatë) Kur e konsumuan të qeshurën, I. Ehrenburgu i tha: -Shoku Dzhovalin (Gjovalin), na fal, se nuk u përmbajtëm dot. Ka qenë një ushtarak madhor në Bashkimin Sovjetik që kujtonte se eksperimentet biologjike ishin si ato kryqëzimet frutore në oranzheritë e fisnikëve rusë; pak a shumë, si eksperimentet dhe shartimet e Miçurinit dhe kështu kishte menduar edhe të krijonte një tip ushtari, duke e kryqëzuar me një farë race majmunësh nga Afrika. Aty ka rrahur edhe Zoshçenkoja. Por, ti nuk ke pasur se si ta dëgjosh këtë barcaletë, sepse ky “sekret” ka qarkulluar në rrethe shumë të ngushta. Por, thuhej se eksperimente të tilla bënin edhe biologët gjermanë me urdhër të Hitlerit.
-Këtë barcaletë ruse tashti po e dëgjoj, porse termin “oranzheri” për kopshtet frutore të fisnikëve rusë e kam sqaruar në shënimet e librit të Zoshçenkos, i cili kritikohej rëndë në referatin e Andrei Zhdanovit. Po e kuptoj mjaft mirë tashti kultin e njeriut ushtarak, edhe përse Zhdanovi dhe Stalini vetë e shanin aq rëndë Zoshçenkon e gjorë; bile, edhe e akuzonin se e kishte kaluar luftën qyl në Alma Ata... por edhe ky majmuni ynë e ka kaluar luftën qyl duke ngrënë çokollata angleze dhe duke... (të dy rusët ia plasën gazit me kukurisje...)
E tashmë, unë e di se fillimisht u konstatua dhe u kritikua prolet-kulti, kulti i individit, kalimi direkt nga një fazë e prapambetur borgjezo-feudale direkt e në kolektivizime të sforcuara, në diktaturë terroriste, etj. Shumë nga këto bëma ne nuk i kemi besuar, një shumicë u mbuluan dhe u justifikuan edhe nga vetë aleatët anglo-amerikanë, me rrezikun gjerman që synonte të shfaroste gjithë racat inferiore me Luftën e Dytë Botërore, por ja se na u rishfaqën edhe pas fitores së Luftës, në kohë paqeje! Ja që disa sëmundje foshnjore të majtizmit ekstremist dhe disa shartesa të tjera, kur ju po mundoheni t’i shkulni këto barëra të këqija, kanë mbirë tek ne! Më duket se Majakovski kishte mjaft të drejtë, kur tha se komunistët ranë në maninë e mbledhjeve dhe të shit-mendjeve teorike, sepse unë e kam përkthyer edhe poezinë e tij “Prozasjedavshijesja” në vitin 1946. Edhe Gjeneral-Koloneli ynë e ka shumë për shpirt ndonjë lloj njeri-majmuni termobërthamor si ai “Gogoli” i Migjenit, një tip si King Kongu, si në atë filmin ekstravagand amerikan...
-Si i thatë një njeri-majmun si shkrimtari Gogoli ynë?!
-Jo, jo, akademiku Oparin. Nuk ka lidhje me shkrimtarin Gogoli. Më duket se rusisht përkthehet si Pugallo (Ïóãàëî), është një lloj qenie e frikshme, që përdoret në folklorin e popullit tonë me funksione dordoleci, për të trembur njerëzit mendjelehtë dhe fëmijët e vegjël, me disa veti antropofage, kanibale, sikur ky i han, i gëlltit njerëzit dhe për këtë ka shkruar shkrimtari ynë Migjeni, në pragun e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, nga koha e luftës së Spanjës. Gogoli është paraqitur i zmadhuar me një hiperbolë kaq gjigante, sa që i ka hapur shalët nga njëri cep i kontinentit në tjetrin. Në këto përmasa këtij gjiganti tiranozaur, rrezik se koka do i dilte jashtë forcës gravitacionale të tokës. Ideja e Migjenit qëndron, pak a shumë, si te ai raporti i Guliverit të Xhonatan Suiftit, të cilin edhe e ka përmendur, që i përmbyti me shurrë pa dashje liliputët. Por, ky lloj Gogoli, gjysmë majmun gjysmë njeri, tashti po kërkonte ta përmbysë me vetëdije me shurrë të gjithë kontinentin Europian. Dhe, ajo që është më e bukura komedi; nja dy kritikë karrieristë shqiptarë e interpretuan këtë Gogolin sikur ky ishte kolosi BRSS dhe Stalini vetë, me njërën këmbë në Urale e tjetrën në Spanjë, ku të “Bukurën Spanjë” do ta bënte si vendin e tretë model socialist në botë pas BRSS dhe Mongolisë! Sipas këtyre dy interpretërve, kështu si ky “Gogol” donin t’ia paraqisnin botës BRSS-në dhe Stalinin propoganda e Hitlerit dhe Duçes etj. (të dy rusët ia plasën gazit)
(Kjo “Kritikë”, fillimisht gojore u kthye edhe me shkrim nga A. S., “Rreth Gogolit të Migjenit”, botuar në Bul. USHT, Seria e Shk. Shoq., 1955, f 171-172. Aty pohohet se, “sarkazma alegoriko-satirike e Gogolit simbolizon BRSS, ku nën këmbët e tij shalëhapura nga Uralet e deri në Spanjë, ”liliputët, si Hitleri dhe Duçia, bëjnë parakalime demostrative”! Dikush, që e kishte përkrahur Gj. Lukën më 1954, duke i rënë mohit, shkoi akoma edhe më thellë më vonë dhe këtë Gogol e gjeti qysh te “Fantazma e Manifestit të Partisë Komuniste”, të kohës së Marksit. Sqarimet nga A. Luka)
Mua më kritikuan, më censuruan dhe u vura edhe nën vëzhgimin e Sigurimit, sepse te Gogoli kisha gjetur imperializmin, kryesisht imperializmin, nazizmin gjerman e fashizmin italian, kurse pala tjetër deklarohej se Gogoli ishte BRSS dhe Stalini, si Gogola të mrekullueshëm, të përdorur si Dordoleca nga imperializmi! E imagjinoni juve simbolizmin, metaforë-figurën: një BRSS, një Gogol me “nofulla gjakpirëse e dhëmbë si shpatat dhe njerëzit e popujt luteshin: “O Zot na shpëto nga Gogoli”! Më kritikuan rëndë se nuk e kisha nxjerrë Migjenin si komunist, si përfaqësuesin e parë modelin e realizmit socialist shqiptar! Si ju duket kjo; për të qeshur apo për të qarë?! Ndoshta, vetë simbolika migjeniane ishte konfuze, ose ndoshta ishte pak më e komplikuar: si thikë me dy presa dhe kështu Gogola potencialë mund të ishin edhe fuqitë e tjera pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore?! Edhe aktualisht po luhet nga qarqet militariste me Gogolin atomik?! Dhe këtë prozën “Gogoli” nuk e përkthyen sipas origjinalit, në prozat e zgjedhura të Migjenit, nën ndikimet e “vërejtjeve” të E. Hoxhës, sepse ky kishte frikë nga kritika sovjetike... (Në bot. 1954, f 109, titulli ishte Domovoj-Äîìîâîé. Vetëm, shumë më vonë G. Entrej, “TÂÎÐ×ÅÑÒÂO ÌÈÄÜÅÍȔ, 1973, f 90-91, do ta komentonte pjesërisht “Gogolin”, por kritika e pandershme enverhoxhiste heshti... shënim A. Luka).
Tashti ky Gogoli shqiptar po kërkon realisht të na hajë edhe ne, “siç po shihen bathët”, sepse ky “dordolec” jep direktiva në kundërshtim me frymën e përgjithshme paqësore...
- Sa e çuditshme shoku Oparin, e shikon! – i tha Ehrenburgu
- Duhet t’ju them se në fjalën e diskutimet e mija këtu dhe për firmosjen i pari të “Komunikatës së Përbashkët” unë i ndryshova të gjitha direktivat dhe udhëzimet e vijës, që pata nga “Zyra e Agjitacionit dhe Propagandës” në Komitetin Qendror dhe nga vetë sekretari i Parë i KQ të PPSH...
Akademiku Oparin, unë dëshiroj t’ju bëj edhe një “Intervistë”, nëqoftëse ju më lejoni, për lexuesit e revistës shqiptare “Miqësia”, sepse nuk besoj se mund të shihemi më ...
-Po e mirëpres me shumë kënaqësi...
13 Prill 2010