E Diel, 1 Nëntor 2026

Stafi i konsullatës greke në protestë, bllokohen vizat



GJIROKASTËR - Konsullata Greke në Gjirokastër ka zhvilluar dje një grevë njëditore. Punonjësit e kësaj konsullate kanë pezulluar punën dhe nuk kanë kryer asnjë shërbim konsullor. Mësohet se greva, e cila zhvillohet në shenjë solidarizimi me sindikatat në Greqi, ishte paralajmëruar dy ditë më parë. Nuk dihet ende nëse punonjësit e konsullatës do të vijojnë grevën në ditët në vijim. Kjo është hera e dytë që punonjësit e Konsullatës Greke zhvillojnë grevë. Pak ditë më parë punonjësit zhvilluan një grevë 4-orëshe dhe më pas puna vijoi normalisht.

“Filtër” prangos katër trafikantë, u kapën me 3.7 kg Cannabis

ELBASAN – Katër persona kanë rënë në pranga, të përfshirë në trafikimin e një sasie lëndësh narkotike. Policia e Elbasanit bëri të ditur dje se në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Filtër”, ranë në pranga shtetasit Vilson Peqini, Klodian Mecka, Genci Paja dhe Leonard Paja. Sipas tyre, “arrestimi i katër shtetasve, në moshë të re, banues në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit, u bë pasi rezultoi se në afërsi të lumit Shkumbin, shtetasve të lartpërmendur u është kapur një sasi lëndë narkotike. Zëdhënësja Valbona Begu thotë se operacioni ka vijuar më tej në kontrollin e banesës së shtetasit Genci Paja, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një sasi tjetër lënde narkotike e llojit Canabis sativa, ku me peshë të përgjithshme, e gjitha lënda është 3.7 kilogramë.
Burimet policore shprehen se “në lidhje me këtë ngjarje po punohet për dokumentimin e plotë të saj ndërsa materialet pritet ti kalojnë prokurorisë për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

TË ARRESTUARIT

Vilson Peqini, 24 vjeç, banues në lagjen “Shënkoll” në Elbasan
Klodian Meçka, 23 vjeç, banues në lagjen “Shënkoll” në Elbasan
Genci Paja, 24 vjeç, banues në lagjen “Shënkoll” në Elbasan
Leonard Paja, 29 vjeç, banues në lagjen “Shënkoll” në Elbasan

Gjendet kufoma e peshkatarit, u mbyt në Bunë ditën e Krishtlindjeve

SHKODËR - Gjendet pas 4 muajsh trupi i peshkatarit të mbytur në liqenin Buna. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se dje paradite, rreth orës 11:30 një kalimtar i rastësishëm pa trupin e pajetë të Enver Zenelit, në vendin e quajtur ishulli i lumit Buna, përballë fshatit Darragjat të komunës Dajç. 48-vjeçari humbi jetën më 24 dhjetor të vitit të kaluar, teksa ishte duke peshkuar në vendin e quajtur Dajlan. Babai i dy fëmijëve kishte dalë nga banesa e tij në orët e mbrëmjes, pasi punonte roje dhe me vete kishte marrë dhe mjetet për peshkim. Ishin familjarët e peshkatarit, të cilët denoncuan zhdukjen e tij, ndërsa pas hetimeve rezultoi se ai ishte mbytur në ujërat e Bunës. Vetëm dje u bë e mundur gjetja e kufomës së Enver Zenelit.

Prangoset autori i tretë i rrëmbimit dhe plagosjes së taksistit

SHKODËR - Gledis Arifi, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në rrëmbimin dhe plagosjen e taksistit Esat Pepa, është prangosur pasditen e së dielës. Burimet policore bëjnë të ditur se, rreth orës 17:30 u bë ekzekutimi i Urdhrit të Ndalimit të Prokurorisë së rrethit Gjyqësore Shkodër, ndaj 21-vjeçarit Arifi, banues në fshatin Vajush në Malisinë e Madhe. “Ndalimi i tij u bë për arsye se ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, pasi katër ditë më parë, rreth orës 18:30, në fshatin Gruemirë, në bashkëpunim me shtetasit S. Hotaj dhe B. Hoxhaj (të cilët janë arrestuar ditën e krimit), kanë vjedhur me armë, mjetin taksi me targë SH 4135 E, si dhe e kanë plagosur me armë zjarri pronarin Esat Pepa”, - thonë burimet policore të qarkut Shkodër. Kapja e shtetasit Gledis Arifi u bë e mundur në Malësinë e Madhe, ku qëndronte i fshehur prej dy ditësh. “Materialet në ngarkim të 21-vjeçarit Arifi iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, pasi ndaj tij pritet të rëndojnë akuzat për veprat penale të ‘vjedhjes me armë, kryer në bashkëpunim’, ‘mbajtje pa leje të armëve të zjarrit’, ‘shkatërrim prone me zjarr’”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shkodrës.

Librazhd, gjendet i varur në mënyrë misterioze një shtetas nga Durrësi

LIBRAZHD – Një shtetas me banim në Durrës është gjetur i varur në Librazhd, në rrethana misterioze, ndonëse burimet policore raportojnë se flitet për vetëvrasje. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se viktima është shtetasi Nikoll Ibraj, me banim ne Durrës. Rreth orës 13:00, në afërsi të fshatit Xhyrë të Librazhdit, në vendin e quajtur “Zalli i Shkumbinit”, në një pemë është parë i vetëvarur nga kalimtarë të rastit trupi i 55-vjeçari Ibraj. Sipas burimeve policore, “nga këqyrja e kufomës rezulton se në trupin e viktimës nuk ka dëmtime, me përjashtim të pasqyrimit të brazdës së strangulacionit, e cila ka ardhur si pasojë e vetëvarjes me litar”. “Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale ‘shkaktim i vetëvrasjes’”, - thotë zëdhënësja Valbona Begu.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›