E Diel, 1 Nëntor 2026

Urgjenca, 14 qendrat do të pajisen me aparate të specializuara



Jonida Tashi

Qendrat shëndetësore në vend që ofrojnë shërbimin e urgjencës do të pajisen me aparate të specializuara. Kjo do të bëhet e mundur falë një granti që qeveria japoneze i ka akorduar Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisjen e 14 qendrave të urgjencave në rrethe me aparatura të specializuara, për të ofruar një shërbim cilësor për pacientin. Ndërsa qeveria italiane ka ndihmuar me 4.25 mln euro për asistencë teknike. Por megjithë këto investime, sërish shërbimi i urgjencës në vendin tonë nuk është tërësisht në ndihmë të pacientëve. Plot 350 mijë pacientë kërkojnë çdo vit ndihmën e mjekut të urgjencës, por sipas të dhënave, jo gjithmonë ndihma e shpejtë e urgjencës, mbërrin në kohë atje ku kërkohet. Pikërisht për këto probleme dhe masat që duhen marrë për zgjidhjen e tyre, zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, ka folur dje në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Numri dy i Shëndetësisë, duke pranuar problemet që hasin pacientët në shërbimin e urgjencës ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka filluar të marrë masa për përmirësimin e situatës. Një prej këtyre masave është pajisja e 14 qendrave të urgjencave në rrethe me aparatura të specializuara dhe investime të tjera të nevojshme. Gjithashtu, Spahia ka bërë të ditur se për të plotësuar kërkesat e shërbimit të urgjencave, këtë vit, për herë të parë tek Fakulteti i Mjekësisë, do të hapet një degë e re studimi, për Mjekët e urgjencës. Kështu, të gjithë studentët që do të përfundojë këtë program studimi do të jenë të specializuar për shërbimet e urgjencës.
Problemet
Numri dy i Shëndetësisë, Bardh Spahia, në prani të deputetëve në Komisionin e Shëndetësisë ka treguar të gjitha hallkat ku çalon shërbimi i urgjencës. “Nga vlerësimi i bërë rezulton se ka shfrytëzim të ulët të shërbimit të urgjencës mjekësore, nivel profesional jo në shkallën e duhur i personelit, mungesë e standardizimit e mbajtje jo e mirë e të dhënave për pacientin”,- u shpreh Spahia. Ndërkaq, për të përmirësuar shërbimin e urgjencës jo vetëm në qendrën më të madhe spitalore në vend që është ajo “Nënë Tereza”, drejtuesit e Shëndetësisë kanë hedhur sytë nga spitali i ri që do të hapet pranë kësaj qendre. Në muajin qershor pritet që ky spital të hap dyert dhe shërbimi i parë që do të instalohet në të është ai i urgjencave. Në një fazë të dytë pranë spitalit të ri do të bëhet kalimi i shërbimit të reanimacionit. Shefi i këtij pavijoni, Ilir Ohri, tha se për këtë fazë të dytë nuk ka personel dhe kërkohet rritje e buxhetit. “Nëse do të mendojmë të nisim punën në qershor, aty do të punojnë mjekë, infermierë dhe duhet një buxhet. Nga do të paguhen ata? Nëse nuk nxirret norma që duhet, atëherë ky projekt mund të dështojë”,- u shpreh Ohri.
Shtrimet
Pak kohë më parë, duke marrë shkas nga mbipopullimi i urgjencave, drejtoria e QSUT-së nxori një urdhër, sipas të cilit, shtrimet në shërbimin e urgjencave nuk do të lejohen për më shumë se 24 orë. Në rast të tejkalimit të këtij afati, do të merren masa ndëshkuese ndaj stafit shëndetësor që punon në këto urgjenca. Duke filluar nga fundi i muajit shkurt, në të gjitha shërbimet e urgjencave është shpërndarë urdhri më i ri i ndërmarrë nga drejtuesit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të shmangur mbipopullimin e pacientëve në dyert e urgjencave. Duke pasur parasysh numrin e madh të pacientëve në urgjencën e spitalit të Sëmundjeve të Brendshme dhe reanimacionin e Kardiologjisë, drejtoria e kësaj qendre ka nxjerrë urdhër të veçantë për mirëfunksionimin e sistemit të konsultave dhe urgjencës. Pika të rëndësishme të këtij urdhri janë evitimi i rasteve të pranuara në urgjencë, të cilat nuk justifikojnë kriteret e urgjencave mjekësore sekondare apo terciare. Në këtë mënyrë, drejtoria e QSUT-së do të kontrollojë çdo rast shtrimi urgjent, duke evidentuar mjekun dërgues, mjekun pranues, kartelat e shtrimeve që dërgohen nëpër shërbime të ndryshme dhe sidomos përcaktimin dhe argumentimin e diagnozës së të sëmurit. “Të gjitha këto pavijone, si: shërbimi i urgjencave, reanimacioni i Kardiologjisë dhe shërbimet e Kardiologjisë, janë të detyruara që në fund të çdo jave të sjellin në drejtori informacion të detajuar për pacientët e shtruar. Në bazë të këtij informacioni, do të shihet se sa është zbatuar sistemi i referimit dhe urdhri nga mjekët. Në rast se konstatohen shkelje, drejtoria do të marrë masa administrative ndaj tyre”,- ka pohuar kreu i këtij spitali, Ilir Dashi. Në bazë të këtij urdhri, për përmirësimin e shërbimit të urgjencës është garantuar shërbim 24-orësh i laboratorit të analizave dhe imazheria konvencionale. Po kështu, pavijonet e Kardiologjisë (kati i parë, kati i dytë) duhet të rezervojnë çdo ditë të paktën 3 shtretër për çdo pavijon për të sëmurët e urgjencës së spitalit Nr 1. Pavijonet e tjera të sëmundjeve të brendshme duhet të kenë çdo ditë në dispozicion të urgjencës të paktën 2 shtretër për pavijon. Sipas ekspertëve, marrja e këtij urdhri ishte një domosdoshmëri, pasi zbatimi i sistemit të referimit solli uljen e numrit të konsultave dhe rritjen e numrit të personave të shtruar në urgjencë.

Spitali i ri pranë QSUT-së, shërbimet që do të ofrojë

Spitali i ri që do të hapet së shpejti pranë QSUT-së pritet t’i jap një zgjidhje të mirë shërbimit të urgjencës në këtë qendër, duke evituar mbipopullimin e saj. Ndërtimi i tij është parashikuar të realizohet në disa faza. Si faza e parë e këtij projekti ashtu dhe faza e dytë, do të përmirësojnë në mënyrë të dukshme cilësinë e ofrimit të shërbimit shëndetësor në këtë qendër universitare, duke bërë një riorganizim të shërbimeve dhe hapësirave spitalore në një nivel bashkëkohor. Ndërtimi i fazës së parë, me një fond prej 22 milion USD, (kredi e Bankës Europiane për Zhvillim dhe tjetra kontribut i qeverisë shqiptare), tashmë ka përfunduar dhe është në procesin e testimit për t’u marrë në dorëzim. Pajisjet mjekësore për këtë fazë janë prokuruar me buxhetin e shtetit, me fond prej 8 milionë euro. Tashmë ato janë në procesin e ardhjes dhe instalimit të tyre. Parashikimi për këtë fazë është që në muajin qershor të fillojë nga funksionimi. Domosdoshmëria e realizimit të fazës së dytë lidhet me eficiencën e centralizimit të shërbimeve dhe përdorimin e përbashkët dhe me sa më eficiencë të pajisjeve mjekësore. Sipas ministrit Vasili, ky projekt ofron një impiant spitalor të barabartë me simotrat në Europën Perëndimore. Krahas pjesës që siguron funksione spitalore është dhe pjesa tjetër, qoftë impianti i gazit apo furnizimi me ujë.

Shërbimet sipas katër kateve në godinën e spitalit të ri
Kati përdhe – Sterilizimi Qendror, Departamenti i Imazherisë dhe Diagnostika Funksionale, të cilat do të mbulojnë të gjithë nevojat e spitalit.
Kati 0 – Departamenti i Urgjencës me 18 shtretër gjysmë intensivë dhe për observim.
Kati 1 – 30 shtretër Kirurgji e përgjithshme, të cilët reflektojnë profilin kirurgjikal të këtij spitali që do të mbështesin zhvillimin e aktivitetit kirurgjikal në këtë godinë të re dhe 30 shtretër të Mjekësisë Interne, që do të mbulojnë nevojat për një trajtim konservativ të rasteve të urgjencës.
Kati 2 – Laboratorët dhe 15 shtretër reanimacioni.
Kati 3 – Hematologjia.
Kati 4 – Sallat e operacionit (7 njësi).

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›