E Diel, 1 Nëntor 2026

Braktisin klandestinët, vëllezërit vlonjatë arratisen në territorin grek



GJIROKASTËR - Dështon tentativa për të trafikuar gjashtë klandestinë drejt Greqisë, por organizatorët kanë arritur t’u shpëtojnë prangave të policisë për shkak të errësirës duke u arratisur në vendin fqinj. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:30, ka pasur një tentativë trafikimi. Sipas tyre, krerët e trafikut janë dy shtetas nga lagja “Çole” e Vlorës, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Pa arritur që të futen në zonën kufitare, klandestinët janë ndaluar nga policia. Burimet policore sqarojnë se ata ishin nga rrethe të ndryshme të vendit, si Berati, Fieri, Vlora etj. Në momentin që është bërë ndalimi i tyre, policia tentoi që të prangosë edhe trafikantët, të cilët arritën që të fshihen. Zëdhënësi thotë se është njoftuar edhe policia greke për të ndihmuar në kapjen e tyre.

Trafiku
Ditën e diel në mbrëmje, duke përfituar nga fluksi i madh i lëvizjeve në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, dy shtetas nga Vlora kanë tentuar që të kalojnë drejt Greqisë disa shtetas në mënyrë klandestine. Ata kishin marrë shuma nga 700-1800 euro për person, në këmbim të kalimit ilegal në territorin grek. Policia e Gjirokastrës ka marrë informacion se disa shtetas ishin duke udhëtuar në drejtim të kufirit të gjelbër, në afërsi të piramidave 27 dhe 28 të komunës Dropull i Sipërm, të cilët po tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, duke u ndihmuar nga dy shtetas, të cilët do të përfitonin shuma të konsiderueshme në euro.
Zëdhënësi Gentian Mullai bën të ditur se “rreth orës 23:40, në afërsi të fshatit Llongo, kanë bërë të mundur bllokimin dhe shoqërimin e 6 shtetasve nga rrethi i Fierit, Vlorës dhe Beratit. Burime policore bëjnë të ditur se këtë trafik e organizonin dy vëllezër nga lagjja “Çole”, në lokalet në vendin e quajtur ”Kapelja” në qytetin e Vlorës. Këta dy shtetas i rekrutonin shtetasit që donin të kalonin kufirin dhe kundrejt pagesave i shoqëronin deri në destinacion nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek. Por, kur kanë parë se klandestinët janë ndaluar, kapot e rrjetit kanë arritur t’i shpëtojnë kapjes së policisë, pasi kanë përfituar nga errësira dhe janë larguar në territorin grek.

Kërkimet
“Menjëherë është njoftuar Policia greke, ku ka nisur krehjen e gjithë zonës nga të dyja anët si nga Policia Kufitare e Kakavijës, edhe nga Policia Kufitare e Janinës, për të bërë të mundur kapjen e dy shtetasve, organizatorë të këtij trafiku”, - thotë zëdhënësi Gentian Mullai. Në përfundim të veprimeve është bërë dokumentimi i plotë i kësaj vepre penale, janë marrë deklarimet e personave të shoqëruar dhe është bërë shpallja në kërkim e dy vëllezërve nga Vlora, ku për arsye hetimi nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tyre. Burimet policore sqarojnë se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›