E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Arteve publikon kriteret e konkurseve të pranimit 2010-2011



Akademia e Arteve publikon zyrtarisht kriteret e konkurseve të pranimit për tre fakulteteve e saj, për vitin e ri akademik 2010-2011. Gazeta boton sot të plota programet e konkurseve të pranimit për të 31 degët e tre fakulteteve të Akademisë, duke filluar nga ai i Muzikës, Artit Skenik e deri te Fakulteti i Arteve të Bukura. Në programet e përgatitura nga pedagogë të Akademisë së Arteve është përcaktuar jo vetëm çfarë duhet të mësojnë maturantët që do të konkurrojnë në Akademi, por edhe fazat e zhvillimit të konkursit, vlerësimi etj. Gjithashtu, kandidatët për studentë në Akademinë e Arteve, përveç provimit me shkrim si pjesë e konkursit, do të testohen edhe në praktikë për talentin që ata kanë. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve. Për këtë arsye, maturantët që do të pranohen në këto institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve. Ashtu siç është përcaktuar tashmë edhe nga Ministria e Arsimit, kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në shkollat akademike do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit. Bazuar dhe në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Kështu, në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit, nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj akademie, për vitin akademik 2010-2011.

19 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›