E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika që prodhon vetëm “ngërç



Pandeli Bardhi
Sapo hap televizorin në të gjitha kanalet dëgjohet politikë, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Të njëjtën gjë lexon nëpër gazeta. Del në rrugë dhe dëgjon të flitet vetëm për politikë, që nga të rinjtë deri tek ata të moshës së katërt. Shkon të psonisësh në dyqan, apo të paguash faturën e energjisë elektrike apo të ujit dhe aty “mallkimet” për politikën arrijnë kulmin. Dhe kjo është e qartë. Politika, në radhë të parë, lidhet me xhepin. Vras mendjen dhe them se a kanë bazë këto mallkime për politikën, ku secili flet sipas qejfit dhe asnjë për mejdan. E veçanta e politikës tonë është se ajo, krahas të mirave, ka sjellë vetëm sherre, grindje, kriza dhe ngërçe. Të gjitha këto që fliten për politikën, sikur edhe pesë përqind të kishin të drejtë, ka diçka që nuk shkon tek politikanët tanë. Veç të tjerave, krerët e kësaj politike, veç kanë frenuar dhe nuk i kanë dhënë zhvillim problemeve që shqetësojnë vendin. Ka edhe raste të tjera në botë që politika sjell sherr e grindje. Kryesisht, këto vijnë nga fukarallëku dhe skamja, si shkaktarë të grindjeve dhe të krizave. Por, të kesh rritjen më të madhe ekonomike në planet, të kesh një mirëqenie të lartë dhe të kesh sherre e grindje, kjo është paksa absurde. Kohët e fundit u dyfishua dhe çmimi i energjisë dhe i ujit, të cilat, më tepër janë dhuratë e natyrës, sesa e punës së qeverisë. Prandaj dhe mallkimi atje është i madh. Të thuash që ne e kemi zakon që vazhdojmë akoma të vëmë politikën në plan të parë, që nga koha e diktaturës kjo është pak. Kohët kanë ndryshuar dhe duhet që të vihen pikat mbi “I”.
Dje fliste diktatori dhe të gjithë që merreshin me politikë i bënin lozhe. Kurse sot, të gjithë flasin, të gjithë e shajnë “diktatorin” dhe ai nuk do t’ia dijë. Ai nuk tundet nga vendi, mjafton që të rrijë në pushtet, paçka se i është “regjur” lëkura. Sa herë që janë zhvilluar zgjedhje në Shqipëri, një vit para tyre dhe një vit pas tyre dëgjon vetëm sherre, grindje dhe kriza. “Ngërçet” shoqërojnë jo vetëm certifikimin e rezultatit, por edhe komisionet, edhe listat e votimit, edhe kartat e identitetit, e... çfarë nuk shoqërojnë.
Këtë e treguan dhe zgjedhjet e fundit që megjithëse ka kaluar një vit, akoma kriza dhe ngërçi për rezultatin e tyre vazhdon. Më përpara na vinin ndërkombëtarët të na jepnin këshilla e na bënin vërejtje, kurse sot politikanët tanë nuk po i përfillin as ata dhe luajnë me nervat e tyre.
Një gjë është e qartë, politikanët tanë nuk i shqetësojnë hallet e popullit, interesat e tij, por i shqetëson ajo se kush do ti marrë meritat, dhe lavdinë personale për të qëndruar sa më gjatë në pushtet. Le të marrim një shembull, atë të liberalizmit të vizave. Një problem shumë i ndjeshëm ky për popullin. Ka mëse dy vjet që krerët e djathtë e bëjnë të arritur me sot e me nesër, por rezultati i politikës së tyre bën që të mos duket asgjë në horizont, dhe për dështimet ia hedhin fajin “sabotatorëve” opozitarë.
Premtimet e bujshme se do të “tundim malet” përpara zgjedhjeve, të cilat i nxjerrin si simite, veniten dhe bëjnë të mundur që pas zgjedhjeve, po këta politikanë, të “flasin vetëm me heshtje”. Të njëjtën gjë bënë edhe për futjen në NATO, që meritat ia dedikojnë vetvetes dhe mohojnë rolin e forcave të tjera politike. Politika e tyre vazhdon me po këto ritme, vetëm për lavdi personale dhe jo për interesat e kombit. Sapo ndonjë politikan merr ndonjë iniciativë, tjetri i kundërvihet, njëri e shikon me syze blu, dhe tjetri me syze rozë. Kush e kush përpiqet të marrë lavdinë, ose, e thënë ndryshe, të përjetësojë pushtetin. Janë këta politikanë që jo vetëm nuk e kanë afruar Shqipërinë në Evropë, por e kanë shtyrë edhe më larg atë. Jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për popullin, por, përkundrazi, kanë dëmtuar interesat e tij, qoftë për pronat, për të ardhurat e për çdo gjë.
Le të marrim problemin e rrugëve: Asnjëra prej tyre nuk plotëson standardet, paçka se kryeministri rri me gërshërë ne xhep, inauguron e premton dhe asnjë nuk mbaron.
Le të marrim Unazën e madhe të Tiranës: Po të shikosh rrugët të mbysin nga pluhuri dhe nga tymi, edhe në qendër të metropolit. Por, përsa i përket Unazës, bashkia ia hedh fajin qeverisë dhe qeveria bashkisë. Politikanët zihen dhe grinden por “harxhet” i paguan populli, dhe i paguajnë shumë shtrenjtë me katër deri pesë herë më tepër dioksid karboni në mushëkritë e tyre, 4-5 herë më tepër ndotje se shokët e tyre në Europë. Si mund të themi se këtyre politikanëve u digjet shpirti për popullin. Atyre u janë errur sytë, vetëm e vetëm për karriget e tyre dhe për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, paçka se edhe Europën e kemi “inatosur” me këtë politikë. Kjo është ajo që ne themi se, jo vetëm nuk i afrohemi, por i largohemi Evropës, dhe për këtë shumica e mallkon këtë politikë. Duke qenë se krizat e ngërçet nuk vijnë nga skamja, mund të themi se këto vijnë nga e mira e mirëqenia, që populli e “mallkon”, që është kaq e madhe.

19 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›