E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot mblidhet Kongresi i PS-së, pritet miratimi i propozimeve statutore



Kongresi i Partisë Socialiste pritet të mblidhet ditën e sotme në orën 11:00 të paradites, në Pallatin e Kongreseve. Axhenda e kongresit do të fokusohet në katër pika kryesore. Fillimisht kongresi do të hapet me fjalën e kryetarit të partisë, Edi Rama, i cili do të bëjë një analizë të situatës politike dhe aksionit opozitar të PS-së. Më pas diskutimet do të përqendrohen rreth temës: "Kriza e demokracisë dhe ekonomisë, roli i PS-së në kapërcimin e saj". Lidhur me situatën politike dhe ekonomike socialistët kanë parashikuar të miratojnë një rezolutë sot në zhvillimet e kongresit. Nuk do të jetë vetëm kryetari i socialistëve që do të marrë fjalën për krizën e demokracisë dhe krizën ekonomike, por do të pasohet edhe nga deputetët e tjerë socialistë. Më pas, Partia Socialiste do të bëjë publike programin e saj, por që nuk do të hyjë në votim. Për këtë dokument do të pranohen diskutime dhe propozime dhe në ditët në vijim. Dokumenti pati filluar të pasurohet zonë më zonë të Shqipërisë me ide të reja, ashtu siç ndodhi edhe me programin elektoral të para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Mësohet se ky është një program që mbron interesat e ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve. Në programin e ri pritet që Partia Socialiste të emërtohet “një parti e qendrës së majtë dhe liberale”. Pika më e rëndësishme është miratimi i ndryshimeve të Statutit. Në publikimin e Statutit priten propozime, të cilat do të shoqërohen me debate nga deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe.
Debatet
Lidhur me ndryshimet në Statut, çështjet që kanë qenë më shumë të debatuara nga deputetët e LMN-së kanë qenë institucionalizimi i mendimit ndryshe, oponenca kolektive ose fraksionet dhe moskandidimi i kryetarit të partisë në rast se ai humbet zgjedhjet. Këto çështje do të hasin debat edhe gjatë diskutimit të propozimeve të Statutit të ri. Deputeti i LMN-së, Blushi, është shprehur në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare kundër këtyre ndryshimeve, pasi grupi i punës nuk ka marrë parasysh asnjë nga propozimet e paketës “Blushi”. Deputeti Blushi ka kërkuar që votimi i propozimeve statutore në kongres të bëhet me votim të fshehtë. Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, ka dhënë dorëheqjen në mbledhjen e Asamblesë. Ai është shprehur se Rama nuk e ka pyetur për ndryshimet, ndërkohë që po veron me Statutin.
Statuti
Një nga pikat kryesore të draftit të ri është ngritja në nivel rrethi i një strukture vendimmarrëse, siç është Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, në të cilën do të marrin pjesë kryetarët e bashkive dhe komunave, kryetarët e këshillave përfaqësues të kësaj partie, kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë, koordinatorët e forumit të grave. Ndërkaq, kryetarët e bashkive dhe komunave nuk zgjidhen më sipas parimit “një anëtar, një votë”, por nga anëtarët socialistë të komunave dhe bashkive. Do të ngrihet një strukturë e re në nivel qarku, ku do të marrin pjesë deputetët e qarkut dhe kryetarët e partive në rrethe. Sipas draftit të ri, Sekretariati Qendror do të jetë në Kryesinë e Partisë Socialiste me të drejtë vote, por PS-ja do të ketë një sekretar partie për çdo zonë të administrimit të zgjedhjeve (ZAZ). Ndërsa disa prej propozimeve të paketës “Blushi”, të cilat duket se nuk janë marrë parasysh janë: kryetari i partisë nuk duhet të rikandidojë në rast se humbet zgjedhjet; të rriten kompetencat e kongresit; kongresi i partisë analizon veprimtarinë e saj gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen; kongresi miraton programin dhe statutin e partisë dhe bën ndryshime e përmirësime në to; përfaqësia e kongresit administron kandidaturat për kryetar të PSSH-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre; kandidatët për kryetar të PSSH-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PSSH-së; kandidatët për kryetar të PSSH-së paraqesin në kongres platformat e tyre.

Axhenda e Kongresit
1. "Kriza e demokracisë dhe ekonomisë, roli i Partisë Socialiste në kapërcimin e saj” do të jetë tema e diskutimit në kongresin e sotëm të PS-së, ku fillimisht fjalën do ta marrë kryetari i PS-së, Edi Rama.
2. Lidhur me situatën politike dhe ekonomike të vendit, socialistët kanë parashikuar të miratojnë një rezolutë sot në zhvillimet e kongresit.
3. Do të publikohet programi i PS-së, por nuk do të hyjë në votim. Për këtë dokument do të pranohen diskutime dhe propozime dhe në ditët në vijim.
4. Në publikimin e ndryshimeve të Statutit priten propozime, të cilat do të shoqërohen me debate nga deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe.

Statuti
Ngritja në nivel rrethi i një strukture vendimmarrëse, si Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, në të cilën do të marrin pjesë kryetarët e bashkive dhe të komunave, kryetarët e këshillave përfaqësues të kësaj partie, kryetarët e grupeve të këshilltarëve socialistë, koordinatorët e forumit të grave, si dhe kryetarët e FRESSH-it dhe FGSH-së së rrethit.

Kryetarët e bashkive dhe komunave nuk zgjidhen më sipas parimit “një anëtar, një votë”, por nga anëtarët socialistë të komunave dhe bashkive.

Ngritja e një strukture të re në nivel qarku, ku do të marrin pjesë deputetët e qarkut dhe kryetarët e partive në rrethe.

Kryetari i PS-së në komunë dhe bashki ka mandat 4-vjeçar. Në rast se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore është humbës ose më i ulët se në zgjedhjet paraardhëse, ai dorëhiqet automatikisht. Kur përbërja e asamblesë së komunës/bashkisë ripërtërihet, kryetari i partisë i nënshtrohet votëbesimit.

Vendoset kryetari i PS-së së rrethit, i cili zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë socialiste të rrethit. Kandidaturat për këtë post miratohen nga Kryesia e PSSH-së. Mandati kryetarit të PS-së së rrethit është 4-vjeçar. Ai është automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare.

Përfaqësia i paraqet kongresit për miratim listën me kandidaturat për anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe listën me kandidaturat për Komisionin e Garancive Statutore. Kongresi zgjedh me votim të fshehtë dhe kandidaturat alternative të Asamblesë Kombëtare dhe Komisionit të Garancive Statutore.

Asambleja Kombëtare e PS-së zgjedh Kryesinë e PSSH-së. Numri i anëtarëve të kryesisë miratohet nga Asambleja Kombëtare, me propozim të kryetarit të partisë. Kryetari paraqet listën e plotë me kandidaturat për anëtarë të Kryesisë.

Sekretariati Qendror do të jetë në Kryesinë e Partisë Socialiste me të drejtë vote, por PS-ja do të ketë një sekretar partie për çdo zonë të administrimit të zgjedhjeve (ZAZ).

19 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›