Amnistia Fiskale, asetet e padeklaruara të biznesit do të tatohen 8 për qind
Ervin KOÇI
Projekti për bërjen e një amnistie fiskale e cila do të legalizojë të gjitha asetet e padeklaruara të biznesit në vend, duket se është akoma larg për tu bërë realitet. Palët qeveri-biznes janë drejt fundit të hartimit të draftit, i cili synohet që të kthehet në ligj pasi të jetë votuar nga Kuvendi. Burime nga të dyja palët konfirmojnë vijimin negociatave intensive për plotësimin e projektit, me qëllim për ta vënë në zbatim brenda këtij viti. mëson detajet paraprake të draftit, që kryesisht i ngjason modelit të shtetit të Moldavisë, i cili pak kohë më parë e vuri në zbatim. Burime nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës thonë se janë marrë parasysh edhe dy modelet italiane e gjermane, duke ia përshtatur strukturës së ekonomisë sonë. Debati konsiderohet i fortë te pjesa e detyrimit që duhet të paguajë biznesi i interesuar për të legalizuar asetet e fshehura në vite. Drafti paraprak i Dhomës së Tregtisë flet për një normë takse mesatare prej 8 për qind, që do të thotë se aplikimi i detyrimit fiskal dhe shkalla e tij do të variojnë nga 5 deri në 10 për qind, në varësi të objektit dhe formës së legalizimit. Nga ana tjetër, MF-ja konfirmon faktin se detyrimi për legalizimin nuk do të jetë më i vogël se 10 për qind, duke mos përjashtuar mundësinë e normës prej 15 për qind. Megjithatë debatet e deritanishme mes grupeve të ekspertëve kanë qenë konstruktive.
Amnistia
Plani për të nisur diskutimin mbi hartimin e projektligjit mbi legalizimin e aseteve u vu në zbatim në fillim të këtij viti, kur pas shumë apelesh nga Dhoma e Tregtisë, ministri i Financave pranoi idenë e amnistisë. Ajo çka palët kanë shumë për të negociuar është fusha e veprimit, baza ligjore, struktura deri ku duhet të shtrihet legalizimi, si dhe norma e taksës. Ndërsa sa i takon konceptit, si biznesi, ashtu edhe qeveria e kanë të qartë se nuk bëhet fjalë për amnisti, pra falje detyrimesh të papaguara kur ato janë dokumentuar nga aktiviteti, por për legalizim asetesh, të fshehura për shkaqe që lidhen me shmangien e detyrimit tatimor. Sa i takon normës së taksës për legalizimin, palët janë duke shqyrtuar disa variante të atyre vendeve që e kanë aplikuar vitet e fundit. Duke iu referuar modelit moldav, i cili parashikohet të merret në konsideratë, norma e taksës varion prej fushës së legalizimit dhe forma, nga 3 deri në 15 për qind. Kurse Italia, vendi fqinj, që kryen amnisti fiskale çdo 5 vjet, aplikon një taksë prej 15 për qind. Të tjera vende të zhvilluara, si Gjermania, legalizimin e aseteve e kanë kryer duke i vendosur biznesit një detyrim prej 20 për qind, kurse Belgjika, një normë prej 22 për qind. Duhet sqaruar se këto nivele detyrimesh përputhen me mesataren e shkallës tatimore që kanë këto vende dhe nëse i referohemi Shqipërisë, që konsiderohet për taksa të ulëta, palët gjykojnë se kufiri optimal do të ishte 10 për qind.
Shembujt
Ndërkohë që parashikimet se 2010-ta do të jetë një vit i vështirë për sa i përket financave, kanë hapur sërish çështjen e amnistisë, kjo pritet të konkludohet shumë shpejt me një ligj dhe më pas me një zbatim në gjashtë mujorin e ardhshëm. Po cilat janë disa nga vendet që e kanë aplikuar amnistinë fiskale? Më e fundit ka qenë Italia. Në dhjetor të vitit të kaluar, shteti italian vendosi që kompanitë që ushtronin aktivitetin e tyre jashtë vendit, të deklaronin kapitalin dhe të ardhurat gjë që u shoqërua edhe me taksën përkatëse. Falë kësaj u arrit që në pak kohë, arkës së shtetit fqinj t'i shtoheshin 80 miliardë euro. Nëse i referohemi rajonit Greqia ka qenë një ndër shtetet që e ka diskutuar mjaft çështjen e amnistisë fiskale. Shembulli tipik i përsëritjes me sukses disa herë me radhë të kësaj procedure është Rusia, e cila në vitet '90 e aplikoi tre herë amnistinë fiskale.
Profesionet e lira, tani të gjitha do të paguajnë TVSH- ë
Pritet shumë shpejt një rritje e tarifave për shërbimet e ofruara nga juristët, mjekët, inxhinierët apo ekonomistët. Shkak për shtrenjtimin e këtyre shërbimeve është bërë vendimi i qeverisë për të futur në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të profesioneve të lira, i cili ka hyrë në fuqi këto ditë, me botimin në Fletoren Zyrtare. Konkretisht bëhet fjalë për një shtesë pas paragrafit të parë të VKM-së, datë 21.10.2009, sipas së cilës, “Për tatimpaguesit që ofrojnë shërbime në veprimtaritë e mëposhtme, kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të jetë 2 milionë lekë për vit kalendarik”. Në vendimin e qeverisë, që Tatimet duhet të vënë në zbatim, profesione që preken nga pragu i ri i TVSH-së janë avokatët, noterët, mjekët e specializuar, dentistët, farmacistët, infermierët, veterinerët, arkitektët, inxhinierët, stomatologët, mjekët laborant, projektuesit, ekonomistët, agronomët, ekspertët kontabël, vlerësuesit e pasurisë etj. Duke qenë se ishte vendim, ndryshimi i TVSH-së nuk kaloi për diskutim në Kuvend, apo te grupet e interesit, por hyri direkt në fuqi, duke anashkaluar dialogun me palët. Përfaqësues të këtyre kategorive sqarojnë se futja në skemën e re të TVSH-së nuk i shqetëson aspak, pasi masa shtesë prej 20 për qind do t’i ngarkohet konsumatorit. Në këtë mënyrë pritet shtrenjtim i tarifave, duke rënduar xhepin e konsumatorit, ndërsa qeveria parashikon të rrisë të ardhurat. Me skemën e re, MF-ja dhe strukturat e fiskut kanë më shumë mundësi kontrolli të këtyre aktiviteteve, që xhirojnë shuma të konsiderueshme parash.
Shkurt/////////////////////////////////
Autoriteti i Konkurrencës, kontroll koncesionit gjerman në aeroportin “Nënë Tereza”
Shërbimet e koncesionarit gjerman TIA në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” do të jenë objekt monitorimi nga Autoriteti i Konkurrencës. Në rast se konstatohen shkelje të parimeve të konkurrencës, nisur nga fakti se është operatori i vetëm në vend, atëherë Komisioni i Autoritetit do të nisë hetimet. Plani për objektin e kontrollit është konfirmuar nga vetë kryetarja e autoritetit, Lindita Lati, e cila sqaron se nuk ka një vendim për hetim për nisjen e monitorimit, “parë kushtet e funksionimit të tregut, të transportit publik dhe ajror, sipas dyshimeve për shkelje të mundshme të ligjit ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’”. E lidhur mes qeverisë shqiptare dhe investitorit të huaj, drejtuar nga grupi gjerman “Hochtief”, më 2005-n, kontrata me afat 20 vjet, lejon rindërtimin e aeroportit, menaxhimin dhe shfrytëzimin e tij, sipas një plani biznesi dhe investimi, në shifrat e 50 milionë eurove. Në kohën kur u firmos kontrata, i vetmi aeroport që kishte Shqipëria operonte në kushte të vështira, pa shërbime të duhura, ndërsa numri i pasagjerëve dhe linjat nuk nxisnin investitorin të merrte përsipër objektin. Sot kushtet kanë ndryshuar sa u takon linjave të udhëtimit, lëvizjes së pasagjerëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit, falë edhe investimit të kryer. Duke qenë se qeveria shqiptare synon të zhvillojë sektorin e turizmit, sidomos pjesën e jugut, plani për ngritjen e një aeroporti bëhet më i nevojshëm. E njëjta logjikë vlen edhe për Aeroportin e Kukësit, që këto ditë mbushi 10 vjet nga ndërtimi, por nuk ka kryer asnjë volum pune, përveç testeve të vazhdueshme.
Takimi i BE, ministrat e Financave konsulta për tregun financiar
Në kryeqytetin spanjoll, Madrid, ministrat e Financave të vendeve të Bashkimit Europian vazhdojnë edhe sot konsultimet për një rregullim më të fortë të tregut financiar. Qëllimi është që të mbikëqyren koncernet që të mos bëhet e mundur më përsëritja e një krize globale. Ky ka qenë komunikimi zyrtar i bërë nga Madridi lidhur me një fakt të tillë, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Barak Obama kërkon me ngulm lidhje më të ashpra për të ashtuquajturën tregti me derivatet. Ndërkaq, letrat me vlerë të lidhura me pasuritë e patundshme ose me çmimet e lëndëve të para dhe kurset e aksioneve vlerësohen si shumë spekulative. Rënia e vlerës së tyre ishte një nga arsyet kryesore për krizën financiare globale më të fundit.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 15.04.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.08%
12M 12-mujor 7.34%
6M 6-mujor 6.37%
3M 3-mujor 5.39%
1M 1-mujor 5.10%
1Ë njëjavor 4.83%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.78%
1Ë njëjavor 6.21%
o/n njëditor 6.11%
12M 12-mujor 8.87%
6M 6-mujor 7.87%
3M 3-mujor 7.15%
19 Prill 2010