E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: Të kthehen nga Greqia 1.7 milion dollarët e firmës “Gjallica”



Artan CENA
TIRANË - Greqia duhet të kthejë 1 milion e 700 mijë dollarë të firmës piramidale “Gjallica”. Ka qenë një vendim i Gjykatës së Tiranës, i dhënë pak ditë më parë, që urdhëron institucionin e Përmbarimit të mundësojë kthimin në Shqipëri të 1 milion e 700 mijë dollarëve që një firmë greke në Janinë, që sipas administratorëve të fajdeve rezulton t’i ketë marrë nga “Gjallica”. Shoqëria “Desing and Construction Siontis s.a.” me përfaqësues Kristo Siontis, rezulton, sipas administratorëve të pavarur, të jetë debitore ndaj Gjallicës pas një akt-marrëveshjeje të nënshkruar mes dy palëve me qëllim për të investuar në disa biznese. Por, pas trazirave të 1997-s kjo shumë nuk u kthye, ndërsa emri i Kriso Siontisit është përmendur shpesh gjatë këtyre viteve nga ish-bosët e firmës piramidale “Gjallica”, Shemsie dhe Gani Kadria.
Vendimi
Në vendimin e gjykatëses Anila Capo thuhet se lëshohet urdhri i ekzekutimit të vendimit të administratorëve të pavarur të shoqërisë së pavarur “Gjallica” për shpalljen debitore të shumës së konsiderueshme të shoqërisë “Sionitis s.a. Janinë” me përfaqësues Kristo Siontis. Por, me gjithë këtë vendim të gjykatës, ku ngarkohet Përmbarimi të kryeje ekzekutimin, tërheqja e shumave të konsiderueshme të dërguara drejt Greqisë nga firmat piramidale “Gjallica”, VEFA” dhe “Cenaj” është tepër e vështirë për t’u kryer. I pari që këmbënguli për kthimin në Shqipëri të transfertave të bllokuara nga shteti grek ka qenë ish-prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili në 2005-n hodhi idenë të ndërhyhej nga ish-presidenti Moisiu dhe ish-kryeministri Nano për rikthimin e këtyre shumave në duart e kreditorëve me anën e një marrëveshjeje. Pas kësaj, pothuajse një vit më parë, një grup i përbashkët jo vetëm nga grupi mbikëqyrës i skemave piramidale, por edhe nga Avokati i Shtetit dhe administratorë të pavarur të shoqërive huamarrësve tentuan të kontaktonin në Greqi me debitorët grekë të firmave piramidale. Pavarësisht përpjekjeve, vendimi i gjykatës për tërheqjen e një milion e 700 mijë dollarëve nuk dihet ende se si do të zbatohet dhe nga burime jozyrtare mësohet se ai aktualisht ndodhet në zyrat e Përmbarimit të Ministrisë së Drejtësisë.
Llogaritë
Llogaritë e ish-shoqërisë piramidale “Gjallica” janë në bankat greke dhe zvicerane. Administratorët e fajdeve i zbuluan dhe kërkojnë urdhër për ekzekutimin e rikthimit të 8.5 miliardë lekëve dhe 1.7 milionë USD. Sipas administratorëve, janë gjetur dokumente që tregojnë se këto para janë transferuar në shtetin grek në fillim të vitit 1997, kur Shqipëria ndodhej në kaos, ndërsa krerët e ish-firmës “Gjallica” nuk e patën të vështirë t’i kalonin paratë në kufi dhe t’i depozitonin në bankat greke, ndërkohë që në Shqipëri kreditorët kishin nisur protestat për humbjen e parave. Zbulimi i shumave të transferuara në Greqi nga ish-bosët e piramidave të para vitit 1997 është një fakt që është zbuluar herët prej autoriteteve shqiptare, por deri tani ka qenë e pamundur gjetja e mënyrës së rikthimit të shumave në Shqipëri.

Firma “Cenaj”
Lefter Cenaj dyshohet të ketë transferuar në Greqi, sipas monedhës së kohës, miliarda dhrahmi, vlera e saktë e të cilave nuk dihet ende, por që pas konfiskimit ndodhen në pronësi të shtetit grek. "Një pjesë shumë të vogël do ta mbajë shteti për shpenzimet e kryera për kryerjen e operacionit dhe pjesa tjetër do t'i kthehet vendit të origjinës. Në rast se debatet diplomatike nuk do të japin fryte, atëherë çështja do t'i drejtohet sekretarit të Përgjithshëm të KE-së dhe më pas të gjitha hallkave gjyqësore”, - tha disa kohë më parë Avokati i Shtetit. Për shpërndarjen e parave kreditorëve do të vendosë grupi mbikëqyrës i fajdeve, nën varësinë e Ministrisë se Financave.

Firmat huamarrëse
1. “VEFA”
2. “Gjallica”
3. “Sude”
4. “Kamberi”
5. “Silva”
6. “Cenaj”
7. “M.Leka”
8. “Univers”
9. “Global Foods”
10. “Beno”
11. Fondacioni “Populli”
12. Fondacioni “Xhaferri”
13. “Gunasi”
14. “Premti”
15. “Dea”
16. “Eksperanca”

Aksioni
Drogë për fundjavë, ndalohen të rinjtë te ish-Blloku
TIRANË - Dy të rinj janë vënë në prangat e policisë pasi janë kapur me një sasi lënde narkotike dhe një pistoletë. Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se të arrestuarit janë Gramoz Sulaj dhe Rinor Osmani. Ata janë kapur në orët e para të ditës së djeshme në zonën e ish-Bllokut, pasi me vete kishin një sasi të konsiderueshme heroine. Burime nga Policia thanë se gjatë aksionit janë sekuestruar 115.5 gramë heroinë dhe 5 gramë Cannabis. Gjithashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar dhe 5 mijë lekë fals dhe një pistoletë. Aksioni është zhvilluar nga oficerët e Antidrogës, të cilët kishin disa ditë që po i ndiqnin dy të ndaluarit. Ata kishin marrë informacionin në rrugë operative dhe kishin bërë hetimet. Mbrëmjen e dy ditëve më parë ishin siguruar se të dyshuarit kishin marrë me vete lëndën narkotike, kështu që është vendosur që në orët e djeshme të bëhej dhe aksioni. Burime policore thanë se dy të ndaluarit janë thjesht shpërndarës të lëndës narkotike dhe janë vënë në kërkim të burimit të saj. Ata dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të gjerë të shpërndarjes së drogave të ndryshme në Tiranë. Policia nuk ka bërë të ditur nëse të arrestuarit janë pjesë e grupit të vënë në pranga gjatë operacionit të koduar “Smart”. Burime policore thanë se gjatë muajve të parë të këtij viti ka pasur 53 raste të ndryshme të shitjes së lëndëve narkotike me 80 autorë, nga të cilët 49 janë vënë në pranga, 27 në gjendje të lirë dhe 4 të shpallur në kërkim. Krahasuar me të njëjtën periudhë ka një rritje prej 650 për qindësh të të arrestuarve dhe rasteve. Gjatë kësaj kohe janë kapur 2.19 kilogramë heroinë dhe 37 kilogramë Cannabis. Ne fillim të prillit janë kapur 500 gramë kokainë, 5 gramë Cannabis dhe 15 doza heroine.

Studimi
Banka Botërore: Shqipëria ka kosto të lartë për aksidentet rrugore
Shqipëria është një ndër vendet me koston më të lartë financiare për aksidentet rrugore, sidomos ato me pasojë vdekjen. Konstatimi është nxjerrë nga vlerësimet e ekspertëve të Bankës Botërore, sipas së cilës, kostoja e një aksidenti me pasojë vdekjen shkon deri në 195 mijë euro, ndërsa për një aksident me lëndime, kostoja vlerësohet deri në 75 mijë euro. Për të nxjerrë koston e aksidenteve rrugore në Shqipëri, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë realizuar së fundi një studim të titulluar “Vdekja mbi rrota”. Sipas këtij studimi, kostoja e këtyre aksidenteve në vendet me të ardhura të ulëta, ku përfshihet edhe vendi ynë, arrin deri në 1 deri në 1.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas këtyre treguesve, Banka Botërore vlerëson kostoja e aksidenteve rrugore mesatarisht në një vit në Shqipëri arrin deri në 100 milionë euro. Ndërkaq, Banka botërore evidenton se gjatë vitit 2009 në Shqipëri pati rreth 1465 aksidente rrugore nga ku gjetën vdekjen rreth 491 qytetarë. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, 35-40 për qind e viktimave kanë qenë këmbësorët. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria duhet të ndërhyjë në mënyrë emergjente për të financuar në sigurinë rrugore, pasi kostoja e dëmeve të shkaktuara nga aksidentet është shumë herë më e lartë se shpenzimet që duhet të kryejë qeveria për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Banka Botërore vlerëson se kjo kosto është e papranueshme.

19 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›