E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Akademia e Platonit" përqesh racizmin grek

Salla e Teatrit Kombëtar ishte plot mbrëmjen e së premtes. Në programin konkurrues të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit (TIFF) ishte parashikuar "Akadimia Platonos" ("Akademia e Platonit") e regjisorit grek, Filippos Tsitos. Ishte thënë që subjekti qasej ndaj marrëdhënieve të grekëve me komunitetin e emigrantëve shqiptarë. Mjaftonte kjo që paraprakisht të shkonte mendja në nacionalizma. Për më tepër, që më shumë se çështja sociale e emigrimit, popujt tanë kanë pasur marrëdhënie të ndërlikuara edhe historikisht. Në raste të tilla, asnjëherë nuk duhet shpërfillur një opinion që është i gatshëm të shohë edhe qëndrime ekstreme, qofshin këto edhe artistikisht. Të tilla dyshime, a më mirë të themi diskutime, shoqëruan që në përmendjet e para realizimin shqiptaro-serb "Muajt e Mjaltit" të Goran Paskaljeviç. Ky i fundit, i vendosur pjesërisht në ambient shqiptar, e kishte shuar pak a shumë kureshtjen nga njoftimet e herëpashershme. "Akademia e Platonit" kishte rreth një muaj që shfaqej në kinematë greke, ishte vlerësuar me disa çmime në Festivalin e Filmit në Locarno, por asnjë jehonë nuk kishte mbërritur në Shqipëri. Stavros, një grek rreth të pesëdhjetave, i nis dhe i ngrys ditët në pragun e dyqanit të tij, ku thuajse nuk vë këmbën askush. Tri karrige, një tavolinë dhe tre shokë të tjerë të tij me nga një gotë birrë para janë refreni i përditshëm. Jeton në një lagje të Athinës që mban të njëjtin emër me titullin e filmit. Ironikisht, kundrejt meditimeve filozofike të Platonit, katër personazhet e filmit portretizojnë nacionalistët tipikë që kënaqen pa fund teksa shohin se qeni i njërit prej tyre, Patrioti, i leh çdo shqiptari që i afrohet. Të mësuar të vrasin çdo ditë kohën me diskutime të tilla, me sharje kundër emigrantëve shqiptarë dhe ndaj kinezëve që po e "zaptojnë" gjithnjë e më shumë Greqinë, një e papritur ndryshon rrjedhën e tyre. Identiteti i Stavros, pesëdhjetëvjeçari i braktisur nga e shoqja, i cili kujdeset për çdo ditë për nënën e tij gjysmë të çmendur, tronditet. Shfaqja e atyre anëve e një emigranti shqiptar (qeni Patriot e njeh i pari kombësinë e tij) me një fotografi të vjetër në dorë dhe një histori në mjegull të familjes së tij, prish ekuilibrat. E ëma e Stavros fillon të flasë fraza të çuditshme. Janë shqip. Marengleni (bashkim i shkronjave të para të Marksit, Engelsit dhe Leninit) është një murator që e ëma e Stavrosit pretendon se është i biri që ka lënë përtej kufijve kur ka lënë Shqipërinë. Gjithçka bëhet konfuze. Fakti se mund të jetë shqiptar, ai nacionalisti i thekur grek (nuk ngurron të shkatërrojë një vepër arti ndërkulturore në të cilën punojnë shqiptarët e t‘u kujtojë se grekët kanë të drejtën e votës) ia shton më shumë pagjumësinë nga e cila vuan prej kohësh. E bën edhe më konfuz fakti që shqiptari ka dëgjuar të njëjtën muzikë rrok si ai dhe ka të preferuar të njëjtat grupe, Doors dhe Status Quo. Regjisori i është shmangur në gjithë këtë histori didaktizimit. Nuk ka moral të shpallur kundrejt njërit apo tjetrit krah. "Akademia e Platonit" është një komedi therëse. Katër personazhet grekë, të brumosur ku me krenarinë e vendasit e ku me dembelizmin tipik të atyre që vetëm rrinë e vështrojnë kur kinezët zgjerojnë çdo ditë e më shumë dyqanet, janë tipizime të qarta të karaktereve reale që një pjesë e atyre, të cilëve iu është dashur ta zgjidhin jetën përmes emigrimit i kanë hasur në ditët e tyre. Shqipja me theks e nënës së personazhit apo situata groteske e kanë bërë shpesh të qeshë publikun e pranishëm në sallë, mes tyre edhe kineastë të njohur. Regjisori grek Filippos Tsitos, i pranishëm në Tiranë në projeksionin e filmit, shprehet se nxitja i ka ardhur nga një histori reale. Një miku i tij i kishte treguar për një grek racist, që kohë më vonë kishte mësuar se ishte me origjinë turke. Në fakt një histori e tillë ngjan e ngjashme edhe me historinë e jetës së vet aktorit kryesor Antonis Kafetzopoulos, familja e të cilit ka mbërritur nga Turqia në Greqi diku në vitet ‘70 e deri vonë ai nuk mund të kishte pasaportë greke. Tsitos shprehet se filmi është pritur mjaft mirë në kinematë greke. Është parë nga një publik grek e shqiptar po ashtu. Përgjatë filmit ka pasur herë më shumë reagime të njërit e herë të tjetrit. Por kurrsesi reagime negative. "Nuk di të ketë pasur të tilla. As nga komentet mediatike, por as edhe nga spektatorët. Në fund të fundit ky është një film real. Tregon të vërtetën për marrëdhëniet e këtyre dy popujve", shprehet regjisori. Qetësisht është pritur edhe nga publiku i kryeqytetit. Diku kanë qeshur me batutat, diku edhe kanë reflektuar, e mbi të gjitha e kanë parë si një vepër artistike e angazhuar për të rrokur një temë të mprehtë të ditëve të sotme. "Në përgjithësi më pëlqen që të punoj me histori ku njerëzit gjenden në një moment përplasjeje në jetën e tyre. Duhet vetëm një shkak, sado i vogël qoftë, që të kuptojnë se e gjithë jeta që kanë jetuar deri tani, kanë qenë e gënjeshtërt apo e gabuar. Në këtë moment, pas një dyluftimi të thellë brenda vetes, arrijnë të kuptojnë se duhet ta ndryshojnë atë", thekson regjisori. Ndërkohë që konkurrimi në TIFF dhe shfaqja e këtij filmi përballë gjysmës tjetër masive të publikut, atij shqiptar, për të nuk kishte një qëllim të caktuar. Mjaftonte që filmi të pëlqehej e mbi të të reflektohej. Në raste të tilla, është tema ajo që ngjall më së shumti debatin se sa realizimi artistik i filmit, i cili në këtë rast ishte zgjedhur për të qenë sa më i pranueshëm për një publik të gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›