E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një i vdekur dhe tre të plagosur brenda pak orësh në Fier

Një i vdekur dhe tre të plagosur ka qenë bilanci i dy aksidenteve të rënda automobilistike të ndodhura dje në Rrethin e Fierit. Ngjarjet rrugore të ndodhura brenda pak orësh kanë pasur si shkak shpejtësinë tej normave të lejuara. Në orën 20:00 të mbrëmjes së premte, në rrugën rurale Cakran-Varibop është aksidentuar 50- vjeçari Telo Halili, i cili ishte me aftësi të kufizuara në dëgjim dhe të folur. Viktima ka qenë duke zbritur nga një furgon pasagjerësh, kur është përplasur mjaft rëndë nga një trajler. Përplasja ka qenë fatale për 50-vjeçarin, i cili ndonëse është transportuar me urgjencë për në spitalin rajonal të Fierit, ka ndërruar jetë katër orë më pas. Viktima ka qenë i pamartuar, për shkak të pamundësisë fizike që kishte dhe për të janë interesuar vetëm kushërinjtë e parë dhe disa të afërm. Nga ana tjetër, burimet zyrtare të policisë së Fierit kanë pohuar për gazetën "Shqip" se në orën 02:00 të mëngjesit të së shtunës i kanë vënë prangat shtetasit Besnik Brakaj, i cili drejtonte trajlerin.

Ndërkohë që pak orë më pas, rreth orës 05:00 të mëngjesit të së shtunës, në rrugën nacionale Fier-Ballsh, në vendin e quajtur Visokë, një automjet ku udhëtonin tre emigrantë ka rënë nga një lartësi prej më shumë se 20 metrash. Automjeti i tipit "Mercedez Benz", me targa greke NZO9424, drejtohej nga shtetasi Bledar Shanaj. Së bashku me të udhëtonte edhe bashkëshortja e tij, si dhe e kunata. Në një nga kthesat e Visokës, Shanaj ka humbur kontrollin e mjetit, si shkak i përgjumjes dhe ka dalë nga rruga. Fatmirësisht të tre personat që gjendeshin në makinë nuk kanë pësuar dëmtime të rënda.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›