E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ndëshkuar për "mirë"

E gjithë ekzistenca njerëzore, që nga lindja e saj, ka qenë e shoqëruar me dënime e ndëshkime, madje edhe pas vdekjes, për ata që besojnë te ferri. Ndëshkimet për fajtorët kanë një histori të gjatë: përveç dëbimit të Adamit dhe Evës nga parajsa, të parat shfaqen në Kodin e Hamburait, mbreti babilonas që ka jetuar nga viti 1792 deri më 1750-n para Krishtit. Ndëshkimet ishin të bazuara në konceptin më instiktiv të saj: njerëzit duhet të merrnin një dënim identik me krimin e kryer. Kështu, nëse vrisje djalin e fqinjit, duhet të vrisnin djalin tënd. Ky ishte ligji, "sy për sy dhëmb për dhëmb". Një sistem brutal, por që realizonte një nga funksionet kryesore të dënimit, atë të kompensimit të një gabimi të kryer. "Transgresioni i një norme prish ekuilibrin social që duhet korrigjuar, në familje, mes miqve, në një fshat apo komb", thotë Massino Canevacci, docent i antropologjisë në Universitetin e Romës "La Sapienza". Jo rastësisht dënimi rrjedh nga një rrënjë latine, që do të thotë "purifikim". Për të arritur këtë rezultat, çdo shtet ka kodifikuar një sistem ligjesh që parashikojnë dënime të ndryshme, që medoemos duhet t‘i japin përgjigje një pyetjeje të rëndësishme: si të vendosim një "çmim" të përshtatshëm për një gabim të caktuar? Sigurisht që kjo nuk është e thjeshtë. Për këtë arsye njeriu ndër shekuj ka gjetur pesë mënyra ndëshkimi: moral, fizik, ekonomik, kapital dhe mbinatyror.

1. Ndëshkimet morale

Janë ndëshkimet simbolike, që sipas filozofik Emanuel Kant duhet ta bëjnë njeriun që dënohet të provojë atë shije të hidhur që nuk e provoi teksa kreu veprimin e gabuar. Mund të përmendim këtu rastet e tradhtisë si hakmarrje, apo poshtërimin publik. Nazistët, për shembull, i poshtëronin hebrenjtë me një yll të verdhë, ndërsa homoseksualët me një trekëndësh të kuq. Por sot, mënyrat e ndëshkimit moral kanë ndryshuar nga ato të kohës së Mesjetës: në SHBA, një 69-vjeçar që ishte zhveshur përpara dy vajzave të vogla u dënua të veshë, pas një muaji burg, për 22 muaj me radhë çdo ditë një bluzë ku shkruhej: "Jam një maniak seksual". Shumë poshtërues ishte edhe ndëshkimi moral që iu dha një shoferi në Uashington. Arthur Pierce, 31 vjeç, i cili kishte shtypur një kalimtar, u dënua të vendoste në një vend të dukshëm dhe të mbante në shtëpi një foto të personit që kishte vrarë.

2. Fizike

Edhe goditjet me shkop dhe shuplakat janë ndëshkime shumë të vjetra: deri në shekullin e kaluar, në shumë vende ishte konsideruar e ligjshme të ndëshkoje kështu gruan dhe fëmijët. Mbi ndëshkimet fizike të fëmijëve, ka pasur shumë influencë thënia e mbretit Solomon: "Kush kursen shkopin e urren fëmijën e tij". Deri në shekullin e kaluar goditjet e duarve, qëndrimet e gjata me një këmbë në cep të klasave konsideroheshin si një pjesë përbërëse e pedagogjisë. Në Eton (Britani e Madhe) në shekullin XIX, shpenzimeve të librave prindërit duhet t‘u shtonin edhe atë të rrahjes: një lloj "takse mbi ndëshkimin". Dënime të tilla përdoren ende sot në vendet islamike: në Arabinë Saudite kohët e fundit një burrë u dënua me 20 shuplaka, sepse kishte përdorur celularin e tij në avion. Rrahja me shkop është një nga ndëshkimet fizike më të vjetra: mjeti i "punës" ishte një shkop i butë i lidhur me lëkurë. Mes ndëshkimeve fizike bëjnë pjesë edhe dëbimi (detyrimi për t‘u larguar nga vendi) dhe kufiri (detyrimi për të qëndruar në një zonë të caktuar).

3) Ekonomik

Gjobat që gjejmë sot në xhamin e makinës vijnë si pasojë e një evolucioni të një gjetjeje juridike shumë antike. Në vitin 643, u fut në histori dëmshpërblimi i parë monetar. Për shembull, atëherë u vendos që fajtori për vrasje duhej t‘i paguante një shumë të caktuar familjes së personit të vrarë. Sasia e parave vendosej në bazë të statusit të viktimës. Për shembull, me fondet e mbledhura në Gjermani, Austri, Francë dhe Zvicër, një ditë pas Luftës së Dytë Botërore, viktimat e Holokaustit u dëmshpërblyen me 8 miliardë dollarë. Por, në çdo rast, asnjë shumë nuk mund të kompensojë dhimbjen për humbjen e një personi të dashur apo të një dëmi të pakthyeshëm (si një katastrofë natyrore, një aksident në punë etj.).

4) Dënimi kapital

Dënimi me vdekje, thonë antropologët, është shumë kontradiktor: "Shteti njolloset me të njëjtin krim që duhet të dënojë vrasjen". Për më tepër nuk është aspak efikas. "Në pjesën më të madhe të vendeve ku aplikohet, ende nuk është gjë tjetër veçse tmerrues", tregojnë ekspertët e "Amnesty International". Sot, për shumë vende metoda më e përdorur është injeksioni vdekjeprurës: një barbiturik me veprim të shpejtë i përzier me agjentë kimikë paralizues, nga i cili mund të jetosh vetëm 15 minuta. Por ekziston akoma edhe karrigia elektrike. Gijotina e shpikur në vitin 1789 nga fizikani francez Joseph-Ignace de Guillotin u krijua pikërisht sepse siguronte dhimbjen minimale dhe shpejtësinë maksimale. Por shekuj më parë shqetësimi ishte i kundërt me atë që ekziston sot: d.m.th. të zgjatej sa më shumë agonia e të dënuarve me "vdekjen nga insektet" (ku i dënuari lyhej me mjaltë, çohej në një vend të braktisur ku hahej nga insektet) apo te "virgjëresha e hekurt" (një sarkofag në formën e trupit femëror plot me gozhdë me majë, brenda së cilit vendosej i burgosuri).

5) Mbinatyrore

Koncepti i ferrit si vend ndëshkimi jashtëtokësor nuk është ekskluzivitet vetëm i krishterimit. Që në vitin 1200 para Krishtit, egjiptianët thoshin se në botën e përtejshme, Zoti i drejtësisë, Thiot, vendoste në një peshore zemrën e të vdekurit ku regjistroheshin veprimet e tij: nëse ishte më e rëndë se një pendë (simboli i drejtësisë), zemra i jepej për të ngrënë Ammit, një monstre me kokë krokodili, këmbë luani dhe trup hipopotami, konsideruar si kafsha më e rrezikshme e Egjiptit. Ideja e ferrit si vend për shlyerjen e mëkateve vazhdon të mbetet edhe sot shumë aktuale. Po ashtu, një mënyrë tjetër për të vendosur drejtësinë është edhe edukimi, duke i bërë të tjerët t‘i përjetojnë gabimet te vetja. Për shumë besime të tjera, ferri nis që në tokë: hindutë besonin te ligji i karmës (nëse gabon në këtë jetë, në tjetrën do e paguash me sëmundje dhe fatkeqësi); për hebrenjtë përmbytja universale u shkaktua nga Zoti për të ndëshkuar njerëzimin e korruptuar dhe të dhunshëm. Në këtë mënyrë besimet e ndryshme përpiqen të zgjidhin një kontradiktë: ekzistencën e së keqes dhe dhimbjes me drejtësinë hyjnore. Por, aplikimi i një dënimi nuk është vetëm një mënyrë për të mbajtur rregullin social. Është edhe një çështje individuale: një nga strategjitë me të cilat natyra na bën të mësojmë diçka. Këtë e zbuloi duke studiuar qentë psikologu rus Ivan Pavlov, në shekullin e kaluar. Për kafshët më të evoluuara ndëshkimi është i vetmi sistem që lejon të eliminosh sjellje negative, inefikase apo të dëmshme. Nga ana tjetër, për Frojdin dënimet shërbejnë për të ulur ndjenjën e fajit për dhunimin e një norme morale, shtetërore apo fetare. Edhe shpirti ka nevojë për drejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›