E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Shkencave memorandum bashkepunimi me ate maqedonase

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në Ohër ka firmosur memorandum bashkëpunimi me Akademinë maqedonase të Shkencave dhe Arteve.

Kryetari i Akademisë shqiptare, Gudar Beqiraj, tha se takimi në Ohër paraqet mundësi për konkretizimin e bisedimeve mes dy akademive të filluara në Tiranë, një vazhdim i bisedimeve të përkrahura edhe nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha.

"Jam i sigurt që ky memorandum mirëkuptimi do të ketë një produkt të shpejtë, sepse është një memorandum ku janë të përcaktuar në mënyrë të saktë jo shumë gjëra, pra është një memorandum me katër pika, të cilat të dy akademitë së bashku mendojnë që ishte mëse i realizueshëm në një periudhë të afërt, flasim pra duke filluar nga ky vit, por më shumë nga viti 2012", tha ai.

Memorandumi përmban katër pika, të cilat parashohin mbajtjen e manifestimeve "Ditët e shkencës dhe artit shqiptar" në akademinë maqedonase të shkencave dhe "Ditët e Shkencës dhe artit të Maqedonisë" në Akademinë shqiptare të shkencave, me ekspozita reprezentative të librave, promovimeve të publikimeve të rëndësishme dhe mbajtjen e tryezave të rrumbullakëta me tema konkrete për të cilat bashkërisht do të arrijnë marrëveshje dy akademitë, pastaj formimi i komitetit të përbashkët shkencor maqedono-shqiptar nga sfera e shkencave historike, linguistike dhe shoqërore, i cili do të debatonte për çështje të caktuara me interes të përbashkët për të dy akademitë.

Memorandumi i firmosur parashikon edhe aktivitete të dy akademive për realizimin e idesë për formimin e Asociacionit të akademive ballkanike si mundësi të rëndësishme për bashkëpunim të zgjeruar në fushën e shkencës dhe artit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›