E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi - Merkel,iniciativë të përbashkët për ekonominë

Presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë njoftuar për një iniciativë të përbashkët për ekonominë, pa dhënë hollësi të tjera. Dy liderët i bënë këto deklarata në kuadër të konferencës për sigurinë, në Mynih, në jug të Gjermanisë. "Në planin ekonomik, do të marrim një iniciativë të përbashkët franko-gjermane për ta bërë Europën më të fortë", bëri të ditur Merkel në një deklaratë të përbashkët për shtyp me presidentin Sarkozi. "Do të marrim një iniciativë të përbashkët që Europa të jetë më e bashkuar, me vullnet më të forte dhe të ketë më tepër forcë reaguese përballë krizës ekonomike", vazhdoi Sarkozi, në mbështetje të kancelares Angela Merkel. Sarkozi dhe Merkel bënë të ditur se do t'ia paraqisnin këtë iniciativë presidencës çeke të Bashkimit Europian. I pyetur pak më vonë rreth përmbajtjes së kësaj iniciative, presidenti francez u përgjigj thjesht se për këtë, do të ketë një letër të hënën. Shefi i Elizesë shtoi se kjo letër do t'i dërgohej presidencës çeke të BE-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›