Akandali, basketi shqiptar, paqe me Kosovën
Skandali i 31 korrikut në Bardhosh të Kosovës, ku basketbollistët e Kombëtares kuqezi shkaktuan një incident të pafalshëm gjatë miqësores me Emiratet e Bashkuara Arabe, shkaktoi edhe “luftën” ndërmjet federatës organizatore dhe asaj shqiptare. Duke përdorur një fjalor të ashpër, drejtuesit e Federatës Kosovare (FBK) dhe ata të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) fajësuan njëri-tjetrin për sherrin masiv. Megjithatë, tonet u zbutën dje, në një konferencë për shtyp të organizuar në Prishtinë. Të pranishëm aty ishin dy presidentët e federatave: ai i Kosovës, Erolld Belegu, si dhe ai i Shqipërisë, Avni Ponari. “Pas gjithë asaj që ndodhi në turneun ndërkombëtar këtu në Prishtinë, raportet ndërmjet dy federatave nuk janë përkeqësuar, dhe këtë e dëshmon prezenca e Avni Ponarit këtu në FBK”, deklaroi fillimisht Belegu. Megjithatë, pikëpyetjet mbeten të shumta. Nuk u sqarua se cila ishte arsyeja e vizitës së Ponarit në Kosovë, ndërkohë që nuk u bë e ditur nëse kreu i FSHB-së, ka kërkuar falje për ngjarjen, një kërkesë që Belegu ia kishte drejtuar homologëve shqiptarë, pak orë pas incidentit. Pas atyre fjalëve, nëpërmjet një qëndrimi zyrtar, Federata Shqiptare theksonte se FBK-ja nuk e kishte organizuar mirë turneun, e për këtë arsye po tentonte që ta hidhte fajin te basketbollistët kuqezinj. Por, në mënyrë të papritur, nga Prishtina, Ponari deklaroi se institucioni që drejton nuk e kishte publikuar një deklaratë të tillë. Ai nuk pranoi as që përfaqësuesja shqiptare ishte fajtore, ndërsa shmangu çdo përgjigje rreth pyetjeve nëse FSHB-ja i ka kërkuar zyrtarisht falje Federatës së Basketbollit të Emirateve të Bashkuara Arabe. I prerë në përgjigjet e tij, Ponari këmbëngulte se tashmë, ai episod i takon së kaluarës: “Na vjen keq për ngjarjen e rastësishme, të cilën tashmë të gjitha palët e konsiderojmë si rast të mbyllur. Ky episod i takon së kaluarës, dhe ne jemi të përqendruar të hedhim sytë nga e ardhmja. Ky rast e ka bërë Federatën Shqiptare dhe atë Kosovare që të jenë më të lidhura, në mënyrë që gabime të tilla të mos përsëriten më dhe të bëjmë organizime më të mira të aktiviteteve”. Me gjithë këmbënguljen e gazetarëve të pranishëm në konferencën e përbashkët për shtyp, Ponari nuk iu përgjigj ngacmimeve nëse FSHB-ja i ka kërkuar falje arabëve. Në më shumë se një rast ai u përgjigj: “Pas asaj që ndodhi kemi kontaktuar me drejtuesit e Federatës së Emirateve të Bashkuara Arabe”, ndërsa konfirmoi se marrëdhëniet ndërmjet dy federatave do të përmirësohen, duke shtuar se “shumë shpejt Kombëtarja shqiptare do të luajë sërish me përfaqësuesen e EBA-së”. “Paqja” ndërmjet Federatës Shqiptare dhe asaj Kosovare pritet të shoqërohet edhe nga “pajtimi” i kreut të basketbollit kosovar, Erolld Belegu me kapitenin kuqezi, Ermal Kuqo. Presidenti i FBK-së e kishte cilësuar të pajustifikueshme sjelljen e basketbollistit shqiptar, ndërsa si kundërpërgjigje, Kuqo nuk i kishte kursyer tonet e ashpra. Për të sheshuar gjithçka mes tyre ka ndërhyrë Ponari, i cili bëri të ditur se “do të organizojë një festë të përbashkët për shqiptarët dhe kosovarët”.
#