E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani, drejt Karlsruhes në formë huazimi

Sulmuesi

Edhe pse po zhvillon fazën përgatitore me Augsburgun, skuadër me të cilën po shkëlqen në ndeshjet miqësore, Edmond Kapllani mund të largohet sërish nga klubi që zotëron kartonin e tij. Në fakt, Karlsruhe ka shprehur interes që të afrojë përsëri sulmuesin e Kombëtares shqiptare, i cili ka mbrojtur ngjyrat e kësaj skuadre nga viti 2004 deri më 2009, periudhë në të cilën u afirmua në Gjermani. Menaxheri i Karlsruher, Arnold Trentl është në kërkim të një sulmuesi, që sipas tij “do të garantojë realizimin e 10 ose 12 golave në sezon”. Objektivi kryesor i klubit nga Baden-Baden ishte ganezi i Nyrnbergut, Izak Boakje, por 28-vjeçari është cilësuar shumë i shtrenjtë. Këtu ka lindur ideja për të përforcuar skuadrën e drejtuar nga tekniku Markus Shup me Kapllanin. Sulmuesi durrsak nuk e ka të sigurt vendin në formacion dhe Augsburgu nuk e ka fshehur synimin që ta transferojë drejt një tjetër klubi në formë huazimi. Transferimi do të ishte pozitiv për lojtarin kuqezi: ai cilësohet si zgjidhja perfekte e problemeve ofensive të Karlsruhes, që në këtë skuadër do të kishte më tepër hapësira për t’u aktivizuar, ndërkohë që avantazhi më i madh është se e njeh mirë ambientin. Kapllani ka shkëlqyer me fanellën e Karlsruhes në sezonin 2006-‘07, kur realizoi 17 gola dhe ishte një prej protagonistëve kryesorë të kthimit të skuadrës në elitën e futbollit gjerman. Por, sulmuesi zhgënjeu në Bundesligë, duke realizuar vetëm dy gola në dy sezone. Më pas, në vitin 2009 ai u transferua tek Augsburgu, në Bundesligën 2, megjithatë as aty nuk arriti të siguronte një fanellë titullari. Sipas “kicker.de”, 27-vjeçari ka shanse të mëdha të huazohet te Karlsruhe, që në sezonin e ri do të militojë në ligën e dytë, ndërsa ai është nën kontratë me Augsburgun deri në verën e vitit 2011.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›