Akciza, Financat kundër kërkesave të biznesit

Komisioni i Ekonomisë
Ndonëse vjen nga një zonë ku prodhimi i rakisë në shtëpi është i një tradite të vjetër, ministri i Financave ka vendosur që të taksojë edhe rakinë që prodhohet në shtëpi. Më keq akoma, ligji i ri që po diskutohet në Kuvend, detyron të gjithë ata që prodhojnë raki ose verë në shtëpitë e tyre që të regjistrojnë kazanët e distilimit. Nuk dihet si do të kontrollohet i gjithë ky prodhim vetjak, por është e sigurt që pas miratimit të ligjit, çdokush që do të kapet me kazan të paregjistruar, do të gjobitet me 200 mijë lekë gjobë. Përdorimi i paautorizuar i kazanëve për distilim, qoftë edhe për përdorim vetjak, dënohet me gjobë në shumën 200.000 lekë. Në pjesën e parë të ligjit parashikohet edhe detyrimi për regjistrim. Të gjithë përdoruesit e kazanëve të distilimit duhet të deklarojnë dhe të pajisen me autorizim përdorimi pranë autoriteteve doganore kompetente. Megjithatë, ky ndryshim është vetëm pjesa argëtuese e ligjit për akcizat. Pjesa tjetër është vërtet e frikshme për kostot e biznesit të madh, atij që jep kontributin kryesor të rritjes ekonomike dhe që mban peshën më të madhe të të punësuarve.
Kundër biznesit
Dje në Komisionin e Ekonomisë, me votat e maxhorancës ka kaluar një ndër nenet që penalizon drejtpërdrejt këtë dhe që është kundërshtuar hapur nga biznesi. Projektligji Për akcizat i diskutuar dje mori Ok nga deputetët për nenet ku përcaktohet pjesa e garancisë, një pikë kjo që nuk është pranuar nga shoqatat e biznesit. Ky qëndrim kundër draftit të Financave është shprehur hapur qysh në nëntor të vitit të kaluar, ku gjatë një takimi të Këshillit Konsultativ të Biznesit, Financave iu sugjerua që kjo pjesë të rishikohej, pasi dëmtonte seriozisht biznesin. Por pavarësisht kërkesës, duket se kjo Ministri nuk e ka parë të arsyeshme të bëjë ndryshime, duke e sjellë në të njëjtën formë fillestare.
Garancia
Problemet që ka sjellë kriza ekonomike globale dhe së fundmi ajo e eurozonës, e kanë vënë në vështirësi biznesin dhe këto argumente janë përdorur nga biznesi për të kërkuar ndryshime në draftin e propozuar nga Financat për akcizat. Në atë kohë, shoqatat përfaqësuese të biznesit kërkuan që të hiqej pjesa e garancisë që detyron kompanitë të lënë garanci në të holla apo dorëzani, e cila nuk mund të preket nëse biznesi ka ndonjë borxh pranë administratës doganore. Kjo pikë sipas biznesit konsiderohet si problematike, pasi e vë atë në vështirësi financiare. Garancia bllokon paratë në vlerën 100 për qind të akcizës, që duhet të paguajë biznesi për prodhimin apo importin e mallrave që tregton. Por duket se qeveria ka marrë masat për të garantuar pjesën e të ardhurave të saj duke ia kaluar barrën biznesit, pa marrë parasysh situatën në të cilën mund të ndodhet ai. Depozituesit e miratuar, dërguesit e regjistruar, pritësit e regjistruar janë të detyruar të garantojnë në masën 100 për qind të detyrimit të akcizës edhe për të gjitha operacionet e tjera me pezullimin e detyrimeve të akcizës, thuhet në projektligj. Po kështu përcaktohet se autoritetet doganore do të jenë edhe përgjegjëset e vetme për mbledhjen e akcizës në vend, dhe në momentin që gjykojnë se garancia e dorëzuar nuk është sipas kritereve, kërkojnë garanci shtesë.
Opozita
Pjesa që lidhet me garancinë në ligjin Për akcizat, nuk është pranuar edhe nga opozita. Kjo e fundit u shpreh gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë se pjesa e garancisë është një tjetër lëvizje e gabuar, që nuk e ndihmon aspak biznesin dhe që e vendos atë në vështirësi. Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmataj, u shpreh dje se nenet që sanksionojnë pjesën e dorëzanisë dhe garancisë janë të paqarta dhe, si të tilla, rrisin edhe kostot për biznesin. Rritja e kostos fillon që nga momenti i transferimit të detyrimit për mbledhjen, përgjegjësisë për mbledhjen dhe pastaj me elementin e garancisë apo sigurisht të dorëzanisë, të cilat në këndvështrimin tim kanë paqartësi dhe mendoj që do të rrisin koston për biznesin, por në një këndvështrim mund të rrisin edhe koston për administratën, tha Ahmataj. Përkundër shqetësimit të ngritur nga opozita por edhe nga shoqatat e biznesit, në fund komisioni i Ekonomisë ka kaluar me votat e maxhorancës nenet ku sanksionohet pjesa e garancisë.
Berisha: Do heqim TVSH për makineritë
Propozimet që biznesi ka bërë pak ditë më parë gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha, duket se do të jenë pjesë e tri vendimeve shumë të rëndësishme, me të cilat u ngarkua Task Force rregullator ditën e djeshme. Kështu, vendimi i parë lidhet me rritjen e transparencës në fushën e prokurimeve publike. Biznesi shpesh ka kërkuar që procedurat të jenë më transparente dhe kjo tashmë do të garantohet përmes publikimit periodik të të gjitha informacioneve, nga tenderat deri tek emrat e fituesve dhe kompanive pjesëmarrëse. Paralelisht me këtë do të pasqyrohen edhe mendimet e pakicës për marrjen e vendimeve që bëhen nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave. Një tjetër propozim i biznesit që do të konkretizohet në një vendim, është ai i bashkimit të Këshillit Konsultativ të Biznesit me atë të Punës, duke krijuar një të vetëm. Kjo është gjykuar si e drejtë nga ana e kreut të qeverisë, duke i kërkuar Task Force që ta marrë parasysh këtë si vendim. Një çështje tjetër e rëndësishme e takimit të djeshëm ishte ajo e kërkesës së biznesit për tu lehtësuar nga barra e taksave. Kjo u reflektua në një vendim, që lidhet me propozimin për heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit. Të gjitha këto vendime janë gjykuar si pozitive nga ana e kreut të qeverisë, pasi ato do të ndikojnë në lehtësimin e kushteve të biznesit, burokracive, rritjes së transparencës dhe i shërbejnë përmirësimit të klimës së biznesit.Vendimet
1. Heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit2. Krijimi i një Këshilli të vetëm Kombëtar të Biznesit dhe Punës që zëvendëson Këshillin Kombëtar të Biznesit dhe Këshillin Kombëtar të Punës.
3. U vendos që të publikohen, krahas informacionit mbi garuesit, ofertat etj., edhe lista e kompanive që kanë marrë pjesë në tender dhe që kanë fituar, çdo gjashtë muaj. Gjithashtu, Komisioni i shqyrtimit të ankesave të publikojë në web edhe mendimin e pakicës në marrjen e vendimit.
NERTILA MAHO