Akciza, biznesi letër të hapur deputetëve të Ekonomisë: Shtyni ligjin
Kompanitë më të mëdha të prodhimit të birrës në Shqipëri u kanë kërkuar dje deputetëve të Komisionit të Ekonomisë shtyrjen e diskutimit dhe miratimit të ligjit të ri për akcizat. Me anë të një letre të hapur, përfaqësuesit e biznesit rendisin të gjithë argumentet pse ky ligj do të dëmtojë thelbësisht aktivitetin e tyre. Shoqatat tregojnë se ka më shumë se një muaj që kanë kërkuar një takim me Boden, por ky i fundit ende nuk i është përgjigjur, duke e kthyer marrëdhënien me biznesin në një situatë fyese.
Letër e hapur
Për Komisionin e Ekonomisë dhe Financës Kuvendi i Shqipërisë
Subjekti: Letër e hapur lidhur me diskutimin dhe miratimin e projektligjit Për akcizat në Republikën e Shqipërisë
Të nderuar Deputetë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financës në Kuvendin e Shqipërisë,
Po ju drejtojmë këtë letër të hapur të shqetësuar nga informacioni që kemi marrë nëpërmjet mediave lidhur me diskutimin dhe miratimin nga ana e komisionit tuaj të projektligjit Për akcizat në Republikën e Shqipërisë.
U bënë rreth 7-8 muaj që projektligji i sipërpërmendur është paraqitur nga Ministria e Financave për diskutim dhe miratim. Meqenëse ky ligj sjell një ndryshim rrënjësor në sistemin e administrimit të akcizës dhe mënyrën se si do të operojnë industritë e prodhimit të birrës, kompanitë shqiptare kanë paraqitur vërejtjet e tyre lidhur me këtë projektligj në Ministrinë e Financave, duke argumentuar edhe mbi bazën e direktivës së Bashkimit Europian, e cila nuk është respektuar plotësisht nga hartuesit e këtij projektligji.
Me keqardhje ju vëmë në dijeni se vërejtjet dhe sugjerimet e bëra nga kompanitë prodhuese të birrës në Shqipëri, që synonin përmirësimin e projektligjit, nuk janë marrë parasysh në draftin që është paraqitur për diskutim dhe miratim në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës dhe ndihemi të fyer dhe revoltuar, kur dëgjojmë që drejtues të Ministrisë së Financave deklarojnë se përfaqësuesit e biznesit janë pyetur dhe e kanë dhënë miratimin e tyre për këtë ligj. Një muaj më parë, ne i kemi kërkuar takim ministrit të Financave, zotit Ridvan Bode, për të reflektuar vërejtjet e paraqitura, por ai nuk gjeti kohë të na priste apo të na kthente përgjigje zyrtare për vërejtjet që ne i kemi paraqitur zyrtarisht.
Pa dashur të hyjmë në detaje të propozimeve tona, të cilat janë dhënë për të gjitha nenet e ligjit që ne mendojmë se duhen ndryshuar, po ju paraqesim shkurtimisht thelbin e vërejtjeve tona:
1. Lidhur me mënyrën e pagesës së akcizës dhe vlerës së pullave te akcizës e cila është tepër e lartë, duhet të specifikohet qartë që këto pagesa do të bëhen pas daljes së produkteve nga territori i fabrikave dhe jo si paradhënie në momentin e porosisë së pullave të akcizës. Vendosja e pullave të akcizës është një praktikë tërësisht shqiptare dhe në kundërshtim me të gjitha praktikat që aplikohen në vendet e BE-së, megjithatë pranimi nga ana e kompanive të prodhimit të birrës i këtij modeli nuk mund të justifikojë vendosjen e parapagimit të vlerës së pullës dhe akcizës, prandaj ne i kërkojmë Komisionit të Ekonomisë dhe Financës që të bëjë ndryshimin e neneve të projektligjit ku specifikohet mënyra e pagimit të akcizës dhe pullave të akcizës.
2. Së dyti, i kërkojmë Komisionit të Ekonomisë dhe Financës që të bëjë ndryshimin e neneve të projektligjit, ku përcaktohet detyrimi i kompanive për vendosjen e garancive që duhet të mbulojnë 100% të vlerës së akcizës për lëndët e para, prodhimin në proces dhe produktin e gatshëm, duke shtuar jashtë çdo logjike normale kostot e kompanive, të cilat detyrohen që të angazhojnë në formë garancie vlera financiare të pallogaritshme duke i vendosur ato në pozita falimentimi të detyruar.
Për të diskutuar më në detaje lidhur me këtë projektligj, por edhe për aktet nënligjore që duhet të përgatiten nga Këshilli i Ministrave, Ministri i Financave dhe drejtori i Përgjithshëm i Doganave, ne ju kërkojmë shtyrjen e diskutimit të këtij projektligji nga ana e Komisionit tuaj, si edhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kompanive prodhuese të birrës gjatë diskutimit të tij dhe marrjen parasysh të të gjitha vërejtjeve që janë bërë nga ana jonë.
Mbetemi në pritje të një përgjigjeje pozitive nga ana juaj,
Me respekt,
BIRRA TIRANA, BIRRA KORÇA, BIRRA KAON, BIRRA STELA, BIRRA NORGA