E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikë eunukësh!



Nëse ka ndonjë vend të ish-Lindjes, që është bërë në vite dhe vazhdon të bëhet politikë eunukësh, është politika jonë.

Eunukët dhe individët me pak personalitet janë ato që pëlqehen në të shumtën e rasteve nga “lidershipi”, pa ofenduar ata politikanë që kanë dinjitet dhe e thonë fjalën e tyre në momente dhe situata të caktuara të zhvillimeve politike të një partie dhe një grupimi politik.

Natyrisht, në historinë tonë post-komuniste ka pasur edhe shembuj të mirë të reagimit politik nga të gjitha krahët, por në përgjithësi sundon një prirje “orientale” për të pasur individë “të bindur”, të cilët nuk thonë atë që ndiejnë dhe duhet thënë, në situata dhe zhvillime të caktuara politike kombëtare dhe lokale.

Gjithashtu mendoj se njerëzit më të preferuar janë dhe vazhdojnë të jenë ata që psikologjikisht thonë atë që nuk duhet thënë dhe heshtin atëherë kur nuk duhet heshtur.

Në të vërtetë, një teori e tillë ka të bëjë me politikën, por jo në çdo situatë.

Nuk pretendoj që politika të jetë art i të shprehurit “direkt” ose pa u menduar dhe të kontestosh çdo gjë pa argument, por së paku, në politikën moderne, në të shumtën e rasteve në Evropë e veçanërisht në Amerikë, politikanët e lozin “lojën politike”, por ka momente kur e shikojnë të arsyeshme e thonë fjalën e tyre pa frikë nga lidershipi, konteksti dhe konsekuencat, për hir të rëndësisë që ka fjala e lirë për të cilën ne shqiptarët kemi vuajtur ndër shekuj.

Duke u shprehur lirshëm, individi gjithashtu ndihet më mirë psikologjikisht dhe ka një performancë më të mirë se ata që e ndrydhin mendimin dhe nuk i thonë gjërat siç janë.

Shtresa shoqërore më e rrezikshme janë njerëzit pa ide, impotentët dhe pasivët, agresivët.

Fjalë për fjalë, “eunuk” do të thotë burrë i tredhur që ruante gratë e haremit, pra ishte i parrezikshëm seksualisht dhe mendërisht për sulltanin dhe nuk i bëhej konkurrenti i tij.

Në këtë kontekst, ka individë tek ne në politikë të tredhur jo në organet gjenitale, por në atë pjesë të trupit, siç është truri, ku krijohet mendimi dhe për pasojë u bllokohet mendimi i lirë i cili është elementi bazë i të thënit të gjërave lirshëm në favor të komunitetit, zhvillimit dhe përparimit shoqëror dhe ekonomik.

Shprehja edukohet dhe është pjesë e personalitetit të individit dhe ky proces fillon që në fëmijëri, që është një stad i rëndësishëm për zhvillimin e personalitetit për të ardhmen e individit.

Edukimi modern i jep një rëndësi të madhe në këtë moment komunikimit që realizohet nëpërmjet shprehjes.

Është shumë e rëndësishme për fëmijën që të mësojë të thotë atë që ndien dhe ta shprehë veten ashtu siç duhet në kontekste dhe situata të caktuara, pasi do të jetë më i suksesshëm dhe nuk bëhet i rrezikshëm për shoqërinë dhe veten.

Është e pafalshme psikologjikisht, që fëmija të edukohet me konceptin e të mosthënit të gjërave ashtu siç i mendon dhe ndien.

Edhe në stadet e tjera punohet shumë në këtë drejtim për edukimin e mendimit të lirë dhe të të shprehurit të lirë, gjithmonë sipas rregullave shoqërore, kulturore e logjike.

Por në asnjë mënyrë nuk punohet dhe edukohet që në të ardhmen të jetë një individ që nuk e thotë atë që mendon. Ose të jetë një individ që ndryshe mendon dhe ndryshe sillet dhe shprehet. Kjo, për mendimin tim, është çrregullim i personalitetit dhe individi kthehet në një qenie të pasinqertë të cilin e takojmë shpesh në jetën tonë të përditshme dhe veçanërisht në politikë.

E kaluara jonë, gjendja shoqërore dhe ekonomike, mendësia, kultura dhe e kaluara jonë diktatoriale kanë edukuar një individ që ka menduar dhe ndier ndryshe dhe është shprehur ndryshe, duke u dyzuar në të gjithë veprimtarinë e tij.

Prandaj, në Perëndim kemi shembuj të mrekullueshëm të të sjellit dhe të menduarit social e politik, në Evropë dhe veçanërisht në SHBA.

Gjithmonë, siç thashë në fillim, loja politike është lojë dhe ajo duhet luajtur e që ka të bëjë me komunikimin, të shprehurit dhe të sjellit, por jo sa të shkohet deri në atë fazë sa të “tredhet” mendimi dhe njeriu ose politikani të kthehet në një “eunuk të mendimit të lirë” që nuk i shërben kurrkujt, as vetes, as atyre që i zgjedhin.

Momenti ku ndodhet politika është një moment parazgjedhor dhe proporcionali i lë vend, dorë të plotë, lidershipit për interesat e tyre, të zgjedhin edhe ata individë që kanë natyrën e “eunukëve”, pa ofenduar ata politikanë ose politikane që me të vërtetë thonë shpesh diçka të lirë dhe të argumentuar dhe atë që ndiejnë e perceptojnë.

Shumica e politikanëve të mazhorancës dhe opozitës i shikoj që heshtin në këto momente dhe janë të kujdesshëm në performancën politike se duan të rizgjidhen duke heshtur për dukuri e ngjarje politike që duhet reaguar në kohë dhe duke mos thënë fjalën e lirë.

Unë mendoj se kjo rrugë nuk ka për t’iu siguruar të ardhmen politike, pasi lidershipi ynë është më i zgjuar se ata dhe ligji i zgjedhjeve i jep “gurin dhe arrën në dorë”, por t’i shfrytëzojnë këto ditë për realizimin e këtij mandati dhe të përmbushin misionin e tyre politik e moral, duke mos u kthyer në “eunukë” dhe nëse rizgjidhen, të kenë pavarësi sa ua lejon politika dhe të thonë atë që ndiejnë dhe mendojnë.

Loja është lojë, por të mos harrojnë se nuk i dihet se çfarë bëhet deri në pranverë.

Gjermanët thonë: “Njeriu mendon dhe Zoti vendos”.

Pra, politikanët tanë dhe ata që duan t’i futen politikës të mos heshtin dhe të bëhen ose të lozin rolin e “eunukut”, që ka mbizotëruar në të gjithë krahët politikë gjatë këtij tranzicioni që është stërzgjatur, por të jenë realistë dhe të reagojnë për ato dukuri politike, ekonomike, drejtësi - mbasi kemi një drejtësi me një nivel të ulët - të cilat realizojnë edhe zhvillimin e një vendi e që në rastin tonë është i domosdoshëm, ku qëllimi të jetë integrimi dhe rritja ekonomike e të gjithëve.

Eunukët kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë në politikë dhe në të gjithë veprimtarinë njerëzore, por ne kemi nevojë për një klasë politike që mendon dhe vepron në kuadrin e lirisë së mendimit dhe veprimit, duke iu larguar individëve që nuk bëjnë asgjë dhe nuk thonë asgjë dhe vazhdojnë të zgjidhen, se i do dhe i interesojnë “lidershipit” ose një klani apo një koniunkture të caktuar, e që do t’i sjellin këtij vendi një dëm të pariparueshëm dhe demokracia e zhvillimet demokratike do të jenë të standardeve të ulëta.

*Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›