E Diel, 1 Nëntor 2026

Akreditimi i UT, nisin procedurat me ekspertët anglezë

 

Universiteti i Tiranës nis procedurat për akreditimin. Por nuk ka asnjë gjasë që procesi të përfundojë brenda këtij viti. Ndonëse disa muaj më parë tratativat ishin me një kompani të specializuar në Gjermani, duket se do të jenë ekspertët britanikë që do të matin nivelin e mësimdhënies në universitetin më të madh në vend. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, takoi dje lordin Uotson, i cili është dhe anëtar i Këshillit të Akreditimit. Kule theksoi se do të nisin zyrtarisht procedurat që duhet të ndiqen, që Këshilli i Akreditimit Britanik të fillojë këtë proces të rëndësishëm, jo vetëm për diplomat e UT, por edhe për universitetet e rretheve. “Universiteti i Tiranës ka mbaruar procedurat e vetëvlerësimit dhe ka marrë edhe vendimin e senatit të vet. Pas kësaj, në mënyrë që ne të shfrytëzojmë dhe të kemi mundësinë e operatorëve të besueshëm të huaj, e përkthyem edhe në gjuhën angleze. Ne i propozuam dhe i kërkuam lordit ta bëjmë këtë proces akreditimi me Këshillin Britanik të Akreditimit” tha Kule. Nga ana e tij, Lordi Uotson u shpreh se procesi i akreditimit do të shtrihet në aspekte të tilla si cilësia e mësimdhënies, kurrikulave, por ky sipas tij është një proces i ndërlikuar që kërkon kohë. Këshilli Britanik i Akreditimit ka një eksperiencë të gjatë në këtë fushë. Një vit më parë, ky këshill ndoqi akreditimin e të gjitha universiteteve në Kosovë. Akutalisht në vendin tonë nuk ka asnjë universitet publik të akredituar. Për rrjedhojë cilësia e diplomave që lëshohen nuk është e matshme e mbi të gjitha nuk është e vlefshme për tregun ndërkombëtar të punës. Fjalën e fundit për nivelin e shkollave tona të larta do ta japin ekspertët. Ata do të saktësojnë qartë se cilat janë kriteret bazë për një universitet me standarde bashkëkohore. Po t’i referohesh situatës aktuale, nuk është vetëm infrastruktura që lë për të dëshiruar, por në shumë fakultete, edhe vetë pedagogët dhe metodat e mësimdhënies që ata ofrojnë. Gjithaq nga sa ka konstatuar Ministria e Arsimit, problem mbetet edhe dypunësimi. Duke vrapuar sa në universitetet publike në ato private, pedagogët nuk arrijnë të japin maksimumin tek asnjëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›