E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti i ri, zyrtarëve që akuzohen për korrupsion do t’u sekuestrohet pasuria

Drejtoresha e Kodifikimit, Marsida Xhaferllari, zbardh detajet e projektligjit. Me ndryshimet i duhet individit të provojë se pasurinë e ka vënë me biznes të ligjshëm

Laureta Rryçi

Tiranë – Zyrtarëve që do të akuzohen për korrupsion do t’u sekuestrohet edhe pasuria. Kjo është një nga ndryshimet që pritet të sjellë drafti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë për disa ndryshime në ligjin për sekuestrim të pasurive. Drejtoresha e Përgjithshme e Kodifikimit, Marsida Xhaferllari, shpjegoi dje për gazetën “Albania” se ky draft pritet të sjellë disa risi në legjislacionin shqiptar. Sipas Xhaferllarit, drafti, që është në fazën përfundimtare të përgatitjes, ka rritur numrin e veprave penale, të cilat do të shoqërohen me sekuestrim pasurie. Në këtë rreth do të përfshihen të gjithë zyrtarët e korruptuar që deri dje, përveç një dënimi, shoqëroheshin me një gjobë modeste pavarësisht dëmit që mund t’i kishin sjellë buxhetit të shtetit me tenderat që kanë abuzuar. Projektligji duket se do të përcaktojë një herë e mirë se cilat do të jenë gjykatat që do të gjykojnë kërkesat për sekuestrim.
Drafti
Çdo pasuri e siguruar në rrugë të paligjshme do të hetohet nga policia dhe prokuroria, pavarësisht nëse një individ ndiqet penalisht ose jo. Këto janë të rejat që pritet të sjellë ligji i ri për sekuestrimet e aseteve të krimit. Marsida Xhaferrllari, drejtoreshë e Përgjithshme e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, deklaron se ky ligj, i hartuar që prej vitit 2004, është deformuar gjatë praktikës ligjore, duke dalë jashtë funksionit të tij ligjor. Prej kohësh evidentimi i pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal i një personi apo një grupi individësh, ishte kthyer në një tabu për policinë, prokurorinë dhe gjykatat, duke e bërë thuajse të paevidentueshëm një tjetër lloj krimi, atë ekonomik. Por, Xhafellari thotë se grupet e interesit në këtë fushë kanë arritur të gjejnë një zgjidhje.
Po sipas saj, drafti i ri do të shqyrtohet nga kabineti i ri qeveritar për të kaluar më pas procedurat e tjera deri kur të marrë formën e prerë.
Të reja
Pas situatës së krijuar të këtyre viteve specialistët e kodifikimit duket se e kanë parë emergjente ndërhyrjen në këtë ligj. Një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë po kthehet në një precedent që rrezikon t’u kthejë të gjithë pasuritë personave që ende nuk i kanë mbyllur hesapet me Drejtësinë shqiptare. Mirëpo, me draftin e ri të gjithëve mund t’u rrezikohet pasuria, pavarësisht nëse ke ose jo proces penal. Deri tani institucioni i akuzës, pas nisjes së procesit penal, merrej dhe me sekuestrimin e pasurive. Deri tani ia ka arritur që të sekuestrojë pasuritë e disa grupeve kriminale. Mirëpo, sipas gjykimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në të tilla raste duhet të jetë shteti ai që duhet të provojë se këto pasuri kanë ardhur si pasojë e aktiviteteve të paligjshme.

Të rejat që do të sjellë drafti për sekuestrimin e pasurive

Pasuria mund të sekuestrohet pavarësisht se ndaj teje nuk është hapur asnjë proces penal

Do të rritet numri i veprave penale që do të shoqërohen me sekuestrim pasurie

Tani i takon individit të mbajë barrën e pronës për t’i vërtetuar shtetit burimin e të ardhurave

Do të përcaktohet destinimi i pasurive të konfiskuara për llogari të shtetit shqiptar

Do të përcaktohet një herë e mirë se cila gjykatë do të ketë kompetencë për të gjykuar sekuestrimet

Do të përcaktohet numri i gjyqtarëve që duhet të marrin pjesë për të shqyrtuar një kërkesë për sekuestrim pasurie

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›