Prishtina kundër Protokollit: Mbrojmë interesat nacionale
Kundërshtimi i Prishtinës për protokollin mes EULEX-it dhe Serbisë ka nxitur reagimin e fortë të presidencës së radhës së BE-së, Suedisë, e cila kërkon nënshkrimin sa më të shpejtë të këtij protokolli në të mirë të Kosovës. Por për autoritetet në Kosovë, kundërshtimi i protokollit ka të bëjë me mbrojtjen e interesit nacional. Por edhe pse më parë për Prishtinën ai u deklarua një çështje e mbyllur, autoritetet thonë se për të po bisedohet me BE-në. Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme në Kosovë diskutoi dje çështjen e protokollit dhe në fund i ka ofruar mbështetje Qeverisë dhe presidentit për pozicionin e deritashëm, sipas të cilit asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të nënshkruhet pa institucionet e Kosovës. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian ka dërguar sinjale paralajmëruese. "Protokolli i bashkëpunimit ndër policor EULEX-Beograd do të nënshkruhet së shpejti", ka deklaruar zv/shefi i Departamentit suedez për BE, Wahlund. Sipas tij, protokolli është një marrëveshje teknike ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Beogradit për bashkëpunimin përreth kufirit. Ai theksoi se Brukseli nuk ka vullnet për ndryshim të asnjë pjese të protokollit dhe ka shprehur bindjen se BE do të ndryshojë qëndrimin e Prishtinës zyrtare ndaj protokollit përmes bisedimeve dhe dialogut. Misioni EULEX ka paralajmëruar nënshkrimin edhe të dy protokolleve të tjera, atë të doganave dhe të drejtësisë, por me kalimin e kohës. Çështjen e protokollit për policinë zëvendësshefi i departamentit suedez për BE-në e cilësoi në interes të Prishtinës zyrtare. Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se i kishte siguruar deputetët në këtë Komision Parlamentar se Qeveria nuk do ta mbështesë zbatimin e asnjë marrëveshjeje në Kosovë, e cila nuk e ka nënshkrimin dhe mbështetjen e institucioneve. "Mendoj se për formën që ka protokolli, përgjigja 'jo' do të jetë përgjithmonë. "Nuk duhet të frikësohet asnjë qytetar i Republikës që ne do t'i dëmtojmë raportet me BE-në, apo raportin me interesin nacional", tha Kuçi. Ai i vlerësoi paralajmërimet e zyrtarëve në Bruksel, përmes mediave, si një formë e presionit që bëhet mbi Prishtinën zyrtare. Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Piter Feith, i sapo kthyer nga Brukseli, ka vazhduar bisedimet në Prishtinë me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, për t'i informuar ata me qëndrimet e fundit të BE-së në lidhje me protokollin mes EULEX-it dhe Serbisë. EULEX-i e ka zbutur gjuhën me Prishtinën duke e quajtur marrëveshjen me Serbinë, jo më protokoll, por angazhim teknik. Megjithatë ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Prishtinë e quajnë ndryshimin e terminologjisë nga protokoll në aranzhim teknik vetëm lojë fjalësh. Përgjigja e Prishtinës e ka lënë marrëveshjen ende pezull ndërsa bisedimet vazhdojnë.