“Akreditimi, parakusht për të garantuar cilësinë“
Drejtoresha e Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë, Dhurata Bozo, sqaron rolin e institucionit që drejton në cilësinë e Masterave e diplomave universitare.Znj. Bozo, cili është roli i Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë në fillim të procesit të ndërtimit të Masterave dhe Diplomave të Nivelit të Dytë të universiteteve publike?
Fillimisht duhet theksuar se këto programe studimi të ciklit të dytë, janë një risi në ofertën akademike në të gjithë sistemin e arsimit të lartë në vendin tonë. Kjo vjen si rezultat i reformimit të programeve në përputhje dhe përshtatje me kërkesat e procesit të Bolonjës, në frymën e të cilit u hartua dhe legjislacioni i ri për Arsimin e Lartë. Për këto arsye, përgatitja dhe propozimet për programet e reja, e veçanërisht ato të ciklit të dytë, ka qenë një proces jo i lehtë si për vetë Institucionet e Arsimit të Lartë që i konceptojnë si programe të reja apo si reformim i programeve ekzistuese, ashtu dhe për institucionet që bëjnë vlerësimin (agjencia) si dhe për ato që japin më pas gjykimin për hapjen dhe fillimin e tyre (Këshilli i Akreditimit, Ministria).
Po roli i Ministrisë së Arsimit dhe Këshillit të Ministrave cili është në programet e ciklit të dytë?
Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Këshilli i Ministrave ndajnë role jo më pak të rëndësishme në këtë proces, sidomos kur bëhet fjalë për Institucionet Publike që mbulohen me fonde shtetërore. Agjencia dhe Këshilli i Akreditimit vlerësojnë dhe gjykojnë kryesisht mbi kritere e standarde akademike, edhe pse kriteret nuk janë kaq të ndara dhe të prera me thikë. MASH gjykon edhe për kritere të tjera që lidhen me politikat më të mëdha të Arsimit të Lartë, politikat e zhvillimit rajonal, aspektet financiare dhe që lidhen me pranimet e kuotat. Kur të gjitha këto kritere përmbushen, MASH i propozon Këshillit të Ministrave hapjen e tyre. Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës është një tjetër organ me të cilin konsultohet Ministri i Arsimit dhe Shkencës, përpara marrjes së vendimit për të propozuar ose jo hapjen.
Sa mendoni ju se është e garantuar cilësia e këtyre programeve në sistemin universitar sot?
Duke qenë se këto programe konceptohen dhe hapen për herë të parë, vlerësimi paraprak është parakushti dhe garancia vetëm fillestare që ato të fillojnë dhe të realizohen me standardet e sipas kushteve të premtuara. Një gjë është e sigurt; është hera e parë që ato i nënshtrohen një procesi të tillë dhe që kjo patjetër përbën një garanci më shumë se më parë; vetë përgjegjësia dhe përgjegjshmëria me të cilën Institucionet do i venë në zbatim do të jetë garancia më e mirë, pasi cilësia në fakt sigurohet së pari nga vetë ata që e ofrojnë. Vlerësimi shërben për të garantuar shtetin dhe publikun se këto programe ofrohen me cilësi.