Durrës, Lefter Koka kalon me LSI
Aristir Lumezi
Ish-kryetari i suksesshëm i Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka, i është bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjatë takimit të zhvilluar dje në qytetin e Durrësit me gratë e LSI-së, Ilir Meta ka bërë publik këtë bashkëpunim, por dhe bashkimin me këtë parti të ish-kryetarit të qarkut Genc Alizoti. Duke folur para të pranishmëve, Meta ka shpjeguar arsyet e këtij bashkëpunimi me një nga kryebashkiakët e suksesshëm dhe pse më parë ka adresuar dhe kritika ndaj tij. “Kur Rama dhe Berisha bashkohen për të prishur Kushtetutën, si të mos bashkohem unë me Lefter Kokën, si të mos bashkohem unë me Genc Alizotin, që kemi qenë bashkë që në FRESSH dhe me shumë socialistë dhe progresistë kudo në të gjithë Shqipërinë, për të ndalur Edin me Saliun, që janë kundër interesave të vendit dhe të qytetarëve. Si mund të mos bashkohem unë me Lefterin, kur këta prishin Sport-Klub Partizanin, Klubin Dinamo dhe për të bërë atje një qytet betoni”, tha Meta. Nga ana e tij, në fjalën përshëndetëse, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka u shpreh se LSI është forca politike që luan sot rolin kryesor në opozitën shqiptare. Koka u shpreh se ka vendosur t’i bashkëngjitet LSI-së, duke e konsideruar këtë të majtën e vërtetë dhe alternativë gjithëpërfshirëse për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza. Duke i dhënë përgjigje akuzave që janë bërë në adresë të LSI-së, Ilir Meta tha se “kjo parti nuk ka lindur thjesht për nevojat e Ilir Metës, apo për biznese familjare, ashtu sikurse dëgjoni ju nga ndonjë shoqatë, që është krijuar me fondet e Bashkisë së Tiranës për të sharë LSI-në dhe Ilir Metën. LSI-ja është krijuar për t’i dhënë Shqipërisë një rrugë të re dhe kjo rrugë, ne e shohim që po kthehet në një autostradë që do t’i çojë shqiptarët shumë larg”.
Zef Çuni, kandidat i LSI në Kukës
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi që zhvilloi dje me përfaqësues të komunitetit kuksian dhe tropojan, prezantoi kandidatin e kësaj partie në qarkun e Kukësit, Zef Çupi. Duke folur për rrugën Durrës-Kukës Meta tha se “me këto ritme duket që rruga nuk i ka mundësitë të përfundojë para zgjedhjeve, sikur është premtuar. Por ne pas fitores do ta përfundojmë dhe do ta inaugurojmë të gjithë së bashku, sepse është rrugë e të gjithë shqiptarëve. Por, do të bëjmë çdo gjë të mundur në mënyrë që edhe ju që jetoni këtu në Tiranë prej vitesh, të keni motivimin për të shkuar, për të qenë pranë shtëpive ku ju keni lindur, pranë komuniteteve nga të cilat ju keni ardhur këtu dhe në këtë mënyrë të japim atë gjallëri, që u mungon këtyre zonave, sepse nuk duhet të braktisen”.