KQZ: Skema e ndarjes së 140 mandateve në 12 qarqe
BLEDAR HOTI
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të realizojë sot ndarjen e 140 vendeve të Parlamentit, sipas 12 qarqeve që ka Shqipëria.KQZ-ja do të ndajë mandatet e 140 deputetëve, mbi bazën e një formule paraprake, të përcaktuar në nenet e ligjit “Kodi Zgjedhor”. Në bazë të kësaj ndarjeje, mësohet se Tirana do të ketë numrin më të madh të deputeteve. Qarku i Tiranës, ku përfshihen rrethet Tirana dhe Kavaja, do të përfaqësohet në Kuvend me 32 deputetë, pasi ka përqendrimin më të madh të popullsisë. Në bazë të shifrave zyrtare të paraqitura nga ana e Ministrisë së Brendshme, qarku i Tiranës ka një popullsi që shkon në 992,360 banorë. Ndërsa qarku i dytë me numrin më të madh të deputetëve do të jetë Fieri me 16 deputetë. Ndërsa qarku i Elbasanit renditet i treti, duke përfituar 14 deputetë. Qarku i katërt që do të përfitojë më shumë është Durrësi me 13 deputetë. Vetëm në këto katër qarqe përbëjnë mbi gjysmën e Parlamentit, aq sa për të krijuar dhe qeverisjen e ardhshme. Qarqet e tjera më pas vijnë Korça dhe Vlora, që kanë të njëjtin numër mandatesh. Në Parlamentin e ardhshëm do të kenë secili qark nga 12 deputetë. Qarqet e tjera, Shkodra do të ketë 11 deputetë, Lezha me 7 deputetë, Kukësi me 7 deputetë, Dibra me 6 deputetë, Berati me 8 deputetë dhe Gjirokastra me 5 deputetë.
Formula e ndarjes
Në relacionin e hartuar nga zyra juridike e KQZ-së, e cila do të vihet në tryezë para shtatë anëtarëve në mbledhjen e sotme është shpjeguar edhe formula e ndarjes së mandateve, e cila është bazuar në nenet 73,74 dhe 75. KQZ ka marrë numrin total të shtetasve të ofruar nga Ministria e Brendshme dhe ka realizuar ndarjen e mandateve. Numri total i shtetasve, 4.295.977, është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 30.686, si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati. Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati, 30.686, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë, të përfituar nga ky pjesëtim. Në relacionin e KQZ-së theksohet se pas këtij veprimi ngelen pa u shpërndarë edhe 6 mandate. Në bazë të nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve) që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përfituar nga pjesëtimi i mësipërm.
Në pikën 3 të nenit 75 theksohet se “numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar” “Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore me të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe”, thuhet në pikat 4,5 të nenit 75 të Kodit. Pas kësaj praktike ka rezultuar se 6 mandatet e mbetura iu janë shpërndarë qyteteve Lezhë, Kukës, Korçë, Fier, Elbasan dhe Berat. Në bazë të Kodit Zgjedhor është e parashikuar se ndarja e mandateve të Kuvendit realizohet katër muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve, por jo më vonë se gjashtë muaj nga mbarimi i mandatit të Kuvendit paraardhës. Vendimi i KQZ-së, nëse miratohet me konsensus nga ana e shtatë anëtarëve, do të dërgohet menjëherë në Kuvend, si një detyrim i përcaktuar edhe në Kodin Zgjedhor.