Shkatërrohet banda greko-shqiptare e trafikut të drogës e klandestinëve
GREQI - Policia greke shkatërroi dje një bandë të trafikut të narkotikëve dhe emigrantëve të paligjshëm. Mediat greke, të cilat i janë referuar policisë vendase pohojnë se pas aksionit të zhvilluar dje kanë rënë në pranga tetë persona, nga të cilët katër shqiptarë, tre grekë dhe një femër, kombësia e të cilës nuk është bërë e ditur. Policia helene ka pohuar gjithashtu se të arrestuarve u është kapur një sasi prej 162 kilogramësh lëndë narkotike e llojit hashash, e presuar dhe një pistoletë. Ata akuzohen gjithashtu edhe për trafik të qenieve njerëzore, pasi tentuan të kalonin në tokën greke 8 persona, të cilëve u kishin marrë nga 300 euro secili. Për momentin, policia nuk ka publikuar asnjë prej emrave të tetë të arrestuarve, ndërsa mësohet se 4 të dyshuar të tjerë për pjesëmarrje në bande, janë në kërkim. Sipas policisë helene, grupi prej tetë personash ka qenë në hetim prej disa kohësh ndërsa vetëm dje është bërë e mundur prangosja e tyre gjatë kryerjes së veprës penale. Në aksionin, pas të cilit u vunë në pranga tetë të akuzuarit kanë marrë pjesë dhjetëra forca policie dhe agjentë të antidrogës dhe antitrafiqeve, të cilët kishin siguruar informacion të hollësishëm më parë. Policia greke është treguar e rezervuar për dhënien e informacioneve të hollësishme për aktivitetin e trafikut të bandës, origjinën e lëndës narkotike, si dhe origjinën e emigrantëve që u tentua të kalonin në tokën greke. Ende nuk dihet nëse grupi i emigrantëve po shoqëroheshin për në tokën helene së bashku me lëndën narkotike apo nga pjesëtarë të tjerë të rrjetit. Po kështu pohohet se shkak për mosdhënien e informacioneve të detajuara për këtë çështje është fakti i dekonspirimit të emrave të të kërkuarve. Për këta policia nuk pohon as origjinën si dhe zonën ku kërkohet. Ndërkohë mësohet se policia helene ka kërkuar nga kolegët shqiptarë informacione për katër të arrestuarit si dhe personat e kërkuar që mendohet se kanë pasur aktivitet në vendin tonë. Gjatë ditës së sotme pritet që policia helene të japë detaje nga operacioni si dhe të dhëna mbi aktivitetin kriminal të të pandehurve në trafikimin e lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore. Policia shqiptare ndërkohë pritet të analizojë ngjarjen dhe të verifikojë të dhënat e saj për rrugën që ndiqnin ngarkesat e drogës dhe për te zbuluar nëse banda ka bashkëpunëtorë rezidentë në vendin tonë.