“Masterat, 15 përgjigje për zgjedhjen e duhur”
Skepticizmit rreth studimeve Master, të mijëra të rinjve që përfundojnë ciklin e parë tri-vjeçar të studimeve sipas Sistemit të Bolonjës, u erdhi fundi. Lamtumirë SHPU! Është koha për Master! Studentët e prisnin, tregu i punës e kërkonte ngutshëm. Më në fund, pas “shumë zhurme për asgjë”, ishte pikërisht koha për ndryshime në paradigmën e arsimit të lartë. Por për të gjitha dilemat e pikëpyetjet që ngrihen ende, jo vetëm prej studentëve, domosdoshmërish përgjigjet duhet të vijnë nga ekspertët. Në intervistën e tij Adrian Civici, Rektori i Universitetit Evropian të Tiranës, jep orientimet e nevojshme për të bërë zgjedhjen më të mirë për Masterat e studimet e nivelit të dytë.
Cilat janë programet e ciklit të dytë të studimeve universitare që ofron sot sistemi shqiptar i Arsimit të Lartë?
Mbështetur në kërkesat dhe zbatimin rigoroz të “kartës së Bolonjës”, mbas përfundimit të ciklit të parë të studimeve, sistemi i Arsimit të Lartë shqiptar në kuadrin e programeve të ciklit të dytë ofron ndjekjen e studimeve dhe marrjen e një Diplome të Nivelit të dytë (DND) dhe një diplome Master të llojit M1. Cili është ndryshimi midis Master të Nivelit të Parë (MNP) dhe Diplomë të Nivelit të Dytë (DND)? - Nëpërmjet Masterit M1, një student që sapo ka përfunduar nivelin e parë të studimeve (DNP) përgatitet më shpejt dhe më direkt për një profesion apo profil të caktuar, duke qenë më kompetent në vende pune apo segmente të precizuara të tregut të punës. Studimet në Master M1 krijojnë mundësi të shpejta specializimi profesional ose ripërshtatje me kërkesat dinamike të tregut të punës. Ato mund të realizohen ose menjëherë mbas përfundimit të ciklit të parë, sidomos në rastet kur studentët janë të orientuar me kërkesat e punësimit dhe e kanë të qartë sektorin se ku mendojnë të punësohen, ose mbas një përvoje të caktuar punësimi, kur kanë nevojë të thellojnë specializimin apo të ecin paralelisht me evolucionin e profesionit apo vendit të tyre të punës. Nëpërmjet Studimeve të Diplomës së Nivelit të Dytë, studentët sigurojnë një thellim të njohurive të tyre akademiko-shkencore e praktike, në përputhje me degën dhe profilin e ndjekur në DNP. Studimet në DND janë një avancim më i gjerë dhe më i thellë në një fushë apo profesion të caktuar, duke qenë njëkohësisht një etapë e rëndësishme drejt një karriere me orientim më akademik si dhe realizimit të doktoraturës apo Masterit M2.
Sa është kohëzgjatja e studimeve ?
Studimet në Master M1 zgjasin 12 muaj, përfshirë këtu edhe një stazh 2 ose 3 mujor, si dhe kohën e nevojshme për përgatitjen e punimit të diplomës. Gjatë këtij cikli studimi përfitohen minimalisht jo më pak se 60 kredite. Studimet në DND zgjasin 2 vjet (24 muaj), përfshirë këtu një stazh 3 – 4 muaj plus përgatitjen e diplomës. Gjatë këtij cikli studimi përfitohen minimalisht jo më pak se 120 kredite.
A ofrohen studime të ciklit të dytë me kohë të pjesshme ?
Në vendet e Bashkimit Evropian, SHBA, Kanada, etj., Masterat me kohë të pjesshme janë kryesisht Mastera të zhvilluar në kuadrin e studimeve në distancë apo në kuadrin e formimit profesional të organizuar me cikle leksionesh e seminaresh, të grupuara në periudha të ndryshme të vitit. Në kushtet e realitetit shqiptar dhe seriozitetit që kërkon realizimi i një programi Master, nuk më duket si mënyra më e mirë zhvillimi i tij me kohë të pjesshme, d.m.th. vetëm të shtunave e të dielave për një periudhë dy vjeçare, siç ndodh në disa raste në Shqipëri. Nga ana tjetër, ajo që mund ta lehtësojë ndjekjen e këtij cikli edhe nga një numër i madh studentësh të punësuar është zhvillimi i tij si kurs i vazhdueshëm normal, por i kombinuar me ofrimin e një orari të përshtatshëm studimesh, gjë që po bëhet me sukses edhe në UET
A mund të vazhdohen studimet e ciklit të tretë nëse zotërohet një Diplomë Master e Nivelit të Parë ? - Studimet e ciklit të tretë që përbëhen nga Master të nivelit të dytë, M2 dhe Doktoratura mund të vazhdohen vetëm nëse zotërohet një diplomë të nivelit të dytë DND. Megjithatë, nëse keni kryer një Master të nivelit të parë M1, ju mund të ndiqni studimet në DND duke ju njohur si të likuiduara në një përqindje të caktuar një pjesë e lëndëve dhe krediteve që ju keni realizuar në M1.
A ka kritere përzgjedhëse për studimet e ciklit të dytë ? Nëse po, cilët janë ? –
Kriteri kryesor është zotërimi i një diplome të nivelit të parë DNP. Kritere të tjera të rekomanduara janë nota e lartë mesatare e kandidatëve për studime të ciklit të dytë, njohja e mirë e gjuhës angleze ose e një gjuhe tjetër ndërkombëtare, njohuri themelore në përdorim kompjuteri, motivet profesionale, akademike dhe sociale të kandidatëve për ndjekjen e studimeve të ciklit të dytë, etj.
A ka kufizime për ndjekjen e Diplomës së Nivelit të Dytë të lidhura me llojin e Diplomës që kam marrë nga niveli i parë i studimeve universitare ? Nëse po, cilat janë ? - Masteri M1 nuk ka kufizime specifike me llojin e diplomës dhe mund të realizohet, qoftë si vazhdim i degës apo profilit të realizuar në kuadrin e DNP, qoftë si dhe në degë apo profile të tjera jashtë atyre të diplomimit bazë të secilit. Ai është ekskluzivisht i lidhur me aftësimin e ngushtë profesional të secilit. Nga ana tjetër, DND mund të realizohet direkt kur është vazhdim i degës apo profilit të DNP, dhe me debite plotësuese (lëndë të ndryshme plotësuese karakterizuese ose themelore të degës apo profilit) kur degët apo profilet janë të përafërta ose të njëjtës fushë studimi. Të gjithë universitetet që ofrojnë mundësinë e realizimit të ciklit të dytë të studimeve, duhet të kenë një strukturë të qartë dhe të precizuar të kushtëzimeve paraprake në sensin e lëndëve plotësuese apo kushtëzuese për pranimin dhe realizimin e M1 dhe DND.
Cilat janë detyrimet ekonomike për ndjekjen e MNP-së ose DND-së (tarifat e shkollimit dhe mënyrat e pagesës) ? - Në rastin e UET, tarifa e shkollimit për M1 është 3500 euro/vit, ndërsa tarifa e shkollimit për DND është 3000 euro/vit (6000 euro për të dy vitet). Natyrisht që në kuadrin e filozofisë dhe politikave mbështetëse e stimuluese që UET aplikon në aktivitetin e tij, ofrohen bursa të plota ose të pjesshme studimi për studentë të shkëlqyer, studentë në nevojë nga grupe e kategori të caktuara sociale, etj. Krahas kësaj, për kandidatë që vijnë nga profesione të caktuara specifike, UET ofron dhe një sërë lehtësish financiare të rëndësishme.
Në cilën gjuhë zhvillohen studimet e ciklit të dytë ? -
Në përgjithësi studimet zhvillohen në gjuhën shqipe. Në raste të veçanta, për grupe dhe studentë që e zotërojnë mirë anglishten, frëngjishten apo ndonjë gjuhë tjetër ndërkombëtare, mund të ketë dhe lëndë të veçanta ose pjesë lënde që mund të zhvillohen direkt në këto gjuhë nga pedagogë të huaj me reputacion në fushat përkatëse. Ndërkohë, duhet theksuar fakti, se literatura kryesore e përdorur dhe rekomanduar duhet të jetë në gjuhë të huaj për të krijuar mundësi që të punohet me informacionin më bashkëkohor dhe më cilësor të mundshëm. Kjo është dhe arsyeja kryesore pse një nga kushtet bazë të pranimit në Master është dhe zotërimi i kënaqshëm i një gjuhe të huaj, me preferencë anglishten.
Nëse kam përfunduar studimet universitare me sistemin e vjetër, a mund të ndjek studimet e Ciklit të Dytë ?
Studimet e ciklit të dytë DND dhe Master M1 mund të ndiqen nga studentët që kanë përfunduar nivelin e parë të studimeve universitare dhe zotërojnë një diplomë të këtij niveli DNP (Bachelor 3 vjet, 120 kreditë) ose studentë të pajisur me një diplomë universitare të sistemit me 4 ose 5 vite studimi.
Po flitet shumë për Masterat, ka debat gjithandej në universitetet publike dhe ato private. A mund të na thoni shkurt çfarë ka të re futja e sistemit MASTER dhe DIPLOMA TË NIVELIT TË DYTË në sistemin universitar shqiptar?
Në një këndvështrim tërësor kjo është një hap cilësor drejt aplikimit të plotë të kërkesave të Kartës së Bolonjës në Arsimin e Lartë Shqiptar. Është një përshtatje më e mirë me gjithë dinamikat e sistemit universitar në botë. Ndërsa në një vlerësim më konkret, futja e sistemit Master dhe DND e bën më direkt lidhjen e Arsimit të Lartë me tregun e punës dhe kërkesat e tij, i bën shumë më të vëmendshme universitetet në raport me dinamikat e këtij tregu, i afron më tepër mjediset akademike me institucionet publike, qendrat e kërkimit shkencor dhe biznesin në përgjithësi. Në fund të fundit, M1 dhe DND i lejojnë çdo studenti ta projektojë dhe ndërtojë më mirë evolucionin dhe specifikat e karrierës së tij.
A kanë kapacitete universitetet shqiptare për të ofruar vërtet Mastera dhe në përgjithësi diploma të ciklit të dytë me cilësi?
Mendoj se një pjesë e tyre i kanë tashmë këto kapacitete, si porsa i përket kapaciteteve akademike, ashtu dhe atyre organizative e materiale. Natyrisht, Masterat dhe DND nuk janë dhe nuk duhet të konsiderohen si një zgjatje mekanike e rutinore e studimeve në ciklin e parë. Konceptimi dhe qëllimet e tyre janë të ndryshme. Por, sot në botë ka një eksperiencë shumë të madhe në këtë drejtim, që duhet njohur e përvetësuar për ta aplikuar me sukses dhe në sistemin universitar shqiptar. Pse të mos ikin shqiptarët jashtë për Master, të marrin një Master në perëndim, pse duhet të qëndrojnë këtu edhe për Master, a mos është një investim pa ndonjë vlerë të veçantë një MASTER shqiptar? - Vlera e vërtetë e një Masteri nuk qëndron vetëm te fakti se në cilin universitet shqiptar apo të huaj zhvillohet ai, por te përmbajtja dhe cilësia e tij. Natyrisht, duke pasur parasysh mjaft dobësi të universiteteve dhe stafeve tona akademike mendohet e gjykohet se një Master në perëndim është më i vlefshëm dhe kjo nuk mund të mohohet, por nga ana tjetër, po të kemi parasysh se përse bëhet një Master, mendoj se ne duhet të orientohemi më shumë drejt atyre që zhvillohen në Shqipëri. Masteri në vetvete, në çdo vend të botës ndërtohet për t’iu përgjigjur nevojave dhe perspektivave të tregut specifik të punës në këtë vend apo grup vendesh dhe jo gjithmonë është 100% i vlefshëm dhe i “transportueshëm” në një realitet tjetër. Ajo që duhet të na preokupojë më shumë në Shqipëri është cilësia e Masterave dhe fleksibiliteti e lidhja e tyre reale me evolucionin dhe strukturën e tregut të punës. Duke ju referuar kulturës perëndimore në zgjedhjen e Masterave, mund të thuhet se kjo është një nga zgjedhjet më të kujdesshme që bën secili, natyrisht i konsultuar gjerësisht nga zyra specifike të karrierës, nga ekspertë kompetentë të fushës. Një Master nuk është kurrsesi një stoli akademike, por është mbi të gjitha një instrument më shumë në karrierën tënde, për të qenë sa më profesional.
Universiteti Evropian i Tiranës, a mos është shumë i ri për të ofruar gjithë këto Mastera dhe DND që shohim në reklama?
Besoj se mbas një eksperience të suksesshme që tashmë po bëhet 3 vjeçare, UET i ka kapacitetet e nevojshme akademike, organizative e materiale për të ofruar studime në nivelin e dytë Master dhe DND. Ne e kemi trajtuar me gjithë seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur këtë aspekt gjatë një periudhe të gjatë dhe intensive përgatitjesh paraprake, që janë të lidhura ngushtë me seleksionimin dhe punësimin e një stafi akademik nga më të kualifikuarit, me studimin dhe përvetësimin e elementeve më cilësore të një numri shumë të madh programesh Master nga universitetet më të mira perëndimore, me seleksionimin e një numri fondamental tekstesh e burime informacioni, dhe mbi të gjitha, mbas një konsultimi shumë rigoroz me përfaqësuesit dhe aktorët kryesorë të tregut të punës, të cilët do të jenë dhe “përdoruesit” kryesorë të “produkteve” tona në këtë fushë.
Për të thënë të vërtetën, Rektor Civici, a mos po bëhet shumë treg kjo puna e arsimit, reklama dhe promo gjithandej, nuk ndodh kështu në Evropë.
Si çdo fushë tjetër, edhe arsimi ka si të thuash tregun e tij që nënkupton një raport ndërmjet kërkesës dhe ofertës për produktet e këtij sektori. Nga kjo pikëpamje, po ta shikosh me kujdes realitetin shqiptar do të thosha se ne kemi një kërkesë të munguar për arsimin në përgjithësi (në Shqipëri vetëm 8-10 % e popullsisë ka një diplomë universitare, ndërkohë që në Evropë e SHBA kjo shifër është mbi 35%; niveli mesatar i viteve të shkollimit është vetëm 9.2 vjet, ndërkohë që në BE është mbi 15 vjet) dhe një ofertë që është vazhdimisht nën presionin e realizimit vetëm të parametrave sasiorë. Edhe në Evropë për arsimin bëhen jashtëzakonisht shumë promo e reklama, por instrumentet që ata përdorin janë më akademike apo mësimore, n.q.s. mund të shprehem kështu. Atje përdoret më shumë informimi elektronik, website e institucioneve arsimore, revistat e publikimet e ndryshme, fletëpalosjet, kontaktet direkte në formën e workshopeve, konferencave, fletëpalosjeve, etj., ndërsa në Shqipëri duket se për momentin mbizotëron rruga mediatike me TV, reklama në revista, gazeta e ambiente publike, etj.