TIA: Transparencë për zgjedhjet, partitë të shpallin CV e kandidatëve
Me afrimin e datës së zgjedhjeve, Transparency International Albania vlerëson si tepër të rëndësishme transparencën e partive politike në vend, për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet. Me bërjen publike të biografive të kandidatëve, TIA synon që mandatet e deputetëve të mos jenë peng i presionit financiar apo çfarëdo presioni tjetër, por vetëm shprehje e vullneti të votuesve që do të votojnë bazuar mbi informacion të plotë dhe të hollësishëm për kandidatët për deputetë. “Me këtë nisëm, TI synon që të minimizohen shanset që në Kuvendin e ardhshëm të futen njerëz, të cilët e kanë blerë postin e deputetit; njerëz të paarsimuar; njerëz me diploma të falsifikuara; njerëz me precedent penal; njerëz që komunikojnë me një zhargon rruge; njerëz pa kontribute në zhvillimin e shoqërisë; njerëz që kërkojnë të kapin shtetin, njerëz që nuk i kanë sytë tek e ardhmja por te të ardhurat”, tha përfaqësuesi i TIA-s, Endri Shabani. Transparency International Albania është e gatshme për të ndërmjetësuar në rritjen e transparencës në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet, duke ndërtuar një ëebsit ku të publikohen CV-të e çdo kandidati për deputet, deklarimin e pasurive, kontributin e tij shoqëror dhe si mendon ai të kontribuojë duke qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Me bërjen publike të biografive të kandidatëve TIA synon që votuesit që do të votojnë bazuar mbi informacion të plotë dhe të hollësishëm për kandidatët për deputetë. Botimi në kohë i biografive të kandidatëve do të bënte të mundur që njerëzit që kërkojnë të marrin besimin e votuesve të kenë mundësi të kalojnë në skanerin e publikut dhe të medias.