E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akreditimi, universitetet në sitë për cilësinë e diplomave

 

Zirina Llambro

Në sitë për të vërtetuar nëse diplomat që lëshojnë, plotësojnë standardet. Me fillimin e vitit të ri akademik, të gjitha universitetet publike dhe private do vlerësohen jo vetëm nga Agjencia Shqiptare e Akreditimit, por edhe nga një agjenci gjermane. Në rast se nuk kalojnë testin për indikatorët që do të maten, atëherë diplomat nuk do të njihen jashtë vendit. Infrastruktura, kushtet e mësimdhënies, kurrikulat ,niveli i pedagogëve, janë baza mbi të cilën do të kontrollohen shkollat e larta. Akreditimi do të vazhdojë për më shumë se një simestër. Më tej do të shpallen rezultatet. Universitetet do të renditen sipas një liste, ku më të mirët do të kryesojnë. Përkarshi do të vendoset edhe një sistem pikësh, mbi bazën e së cilit do të bëhet vlerësimi. Nga sa pohojnë burime të sigurta nga Agjencia e Akreditimit, edhe në rast se nuk plotësojnë standardet, shkollat e larta nuk do të mbyllen. “Por të paktën studentët do të dinë mirë se çfarë kërkojnë dhe në çfarë fakulteti duhet t’i drejtohen, dhe u takon atyre zgjedhja. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos për shkollat private”, sqarojnë burimet.  Universiteti i Tiranës është i pari që do të nisë këtë proces. “I kemi bërë një kërkesë agjencisë gjermane dhe vitin e ri akademik do të fillojë edhe procesi i akreditimit. Pikë më të dobët kemi infrastrukturën dhe është kampusi që do ta zgjidhë këtë problem të universitetit”, deklaron Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Sipas tij, nga faza e parë, pra vetëvlerësimi i fakulteteve, kurrikulat dhe niveli i stafit mësimdhënës plotësojnë standardet. Gjithsesi nëse është vërtet kështu, mbetet për t’u parë në përmbyllje të vlerësimit. Akreditimi i shkollave të larta është një kusht i domosdoshëm për të matur cilësinë e diplomave që lëshohen. Gjithashtu me aplikimin e kartës së Bolonjës, ky realizim i këtij procesi bën të mundur që diplomat shqiptare të njihen jashtë kufijve të vendit. Në të kundërt, ato mbeten të vlefshme vetëm për tregun tonë të punës dhe nuk pinë ujë jashtë. Pak kohë më parë, Kosova mbylli vlerësimin e universiteteve. Një pjesë e mirë e tyre nuk arritën të klasifikoheshin si të “denja”, për të lëshuar diploma me cilësi. Tashmë radhën e ka Shqipëria. Në këtë mënyrë i jepet fund edhe konkurrencës së pandershme. Fjalën e fundit për nivelin e shkollave tona të larta do ta japin ekspertët. Ata do të saktësojnë qartë se cilat janë kriteret bazë për një universitet me standarde bashkëkohore. Po t’i referohesh situatës aktuale, nuk është vetëm infrastruktura që lë për të dëshiruar por në shumë fakultete, edhe vetë pedagogët dhe metodat e mësimdhënies që ata ofrojnë. Gjithaq nga sa ka konstatuar Ministria e Arsimit, problem mbetet edhe dypunësimi. Duke vrapuar sa në universitetet publike sa në ato private, pedagogët nuk arrijnë të japin maksimumin tek asnjëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›