E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy kampuset, projektet kanë mbetur vetëm në letër

 

Numri i studentëve që pranohen ka ardhur duke u fryrë nga viti në vit. Por ndërkaq asgjë nuk është bërë për të përmirësuar infrastrukturën. Dy kampuse universitare kanë mbetur vetëm në letër. Njëri projekt i Universitetit të Tiranës, tjetri i Fakultetit Politeknik. Janë makete madhështore që do të zgjidhnin shumë punë, por në fakt kanë mbetur vetëm të tilla. Problem mbetet edhe stafi akademik. Me gjithë pedagogët e rinj që janë marrë në punë, mesatarisht në universitetet publike të vendit, raporti pedagog-student është 1 me 35. E gjithë kjo panoramë të ofrohet në një kohë kur, sipas standardeve që kërkon karta e Bolonjës, raporti pedagog-student nuk duhet t’i kapërcejë vlerat 1 pedagog për 20 studentë. Nga të dhënat rezulton gjithashtu se raporti hapësirë për student është ngushtuar aq shumë, sa është tejet normale që në një bankë të ulen 4 persona e, madje, edhe me 3 karrige. Ndoshta ndokujt e gjithë kjo i tingëllon qesharake, por për mijëra studentë që arsimohen në universitetet tona nuk përbën aspak çudi. Ata e përjetojnë çdo ditë këtë situatë, e madje për 4 vjet me radhë. Sipas standardeve të përcaktuara, hapësira për student duhet të jetë në raportin 1 me 3.5 metër katrorë. Por në universitetet tona nuk bëhet fjalë as për gjysmën e kësaj hapësire. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›