“Reformat e qeverisë detyruan krimin e organizuar të braktisë Shqipërinë”

Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë, Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të Mbretërisë së Bashkuar (SOCA), Bill Hughes
“Për shkak të goditjes që grupet e krimit të organizuar kanë marrë në Shqipëri, tani shoh një fenomen që elementë të krimit të organizuar, po braktisin Shqipërinë dhe po mundohen të gjejnë strehë në vendet e rajonit”. Këtë vlerësim ka dhënë dje Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të Mbretërisë së Bashkuar, Bill Hughes, gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha. Berisha falënderoi Hughes dhe SOCA-n për ndihmën që i është dhënë policisë shqiptare ndër vite. Ai theksoi se lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar është një prioritet parësor i qeverisë. Kjo platformë ka dhënë rezultate të shkëlqyera. Janë qindra grupe kriminale të shkatërruara dhe mbi 1000 persona të arrestuar. Niveli i përgjithshëm i krimit në Shqipëri është më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian. Për shkak të kësaj rënie, ka edhe një ulje drastike të trafikut të drogës, bëri me dije kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu se nuk ka asgjë më ndërkombëtare se krimi i organizuar dhe se përgjigjja e vendeve tona do të jetë po aq e organizuar. Koordinimi më i mirë mes agjencive tona është kyçi i suksesit në luftën kundër krimit të organizuar. Qeveria shqiptare është e gatshme të nënshkruajë çfarëdo lloj marrëveshjeje me qeverinë britanike, por edhe me qeveritë e tjera, në luftën kundër krimit të organizuar. Ndërsa drejtori i SOCA-s, Hughes u shpreh se Shqipëria është një aleate e çmuar e Britanisë së Madhe, në luftën kundër krimit të organizuar. “Për shkak të goditjes që grupet e krimit të organizuar kanë marrë në Shqipëri, tani shoh një fenomen që elementë të krimit të organizuar, po braktisin Shqipërinë dhe po mundohen të gjejnë strehë në vendet e rajonit. Ne do të kërkojmë që modeli i bashkëpunimit me ju, do të shtrihet edhe në shtetet e tjera. Një fushë ku do të kërkoja të rrisnim bashkëpunimin, është ajo në luftën e përbashkët kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e aseteve të krimit të organizuar. Organet britanike të zbatimit të ligjit, kanë një respekt gjithnjë e në rritje për policinë shqiptare”, u shpreh Hughes. Takimi u mbyll me mirëkuptimin për çuarjen më tej të bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit mes të dy vendeve.
...