Aksesorët qe jane ne mode kete vere
Merita TOÇILA
Ato ndjekin gjithmonë tendencat e “Pret a porter” dhe ndonjëherë edhe prodhohen mëvete, por gjithmonë, bizhutë ndjekin rrjedhën e së kaluarës. Lulet e ngjyrat janë mbizotëruese në shumë aksesorë. Mund të mbajmë ripa dhe shalle të ngjyrave të ndryshme të vendosura në mënyrë të lirshme. Dhe mbi të gjitha, çantat e vogla, portofolat dhe të tjerë aksesorë, ndërkohë që çantat prej lëkure janë gjithmonë ato që nuk hiqen nga duart. Lulet dhe figurinat e presuara janë tashmë shumë mbizotëruese si mbi pëlhurat ashtu dhe mbi bizhutë. Kështu të gjithë ecin më të qetë me çanta më të lehta për t`u mbajtur e përdorur. Sidomos kur niseni për një takim, një çantë me lule do t`u ndihmojë të keni një humor të mirë dhe për më tepër, u jep një pamje më romantike.
Ka dhe tendenca të tjera që duken si me gjurmë nga Afrika ose Indianët e Amerikës. Janë të mirëpritura këtë verë puplat dhe presimet e forta. Tendencë tjetër është të luash me prekje të vogla. Falë aksesorëve, sa për të thyer uniformitetin realizojmë një prekje me ngjyrë për të vënë më në dukje një prerje, një model ose dhe për të zbutur kontrastet. Veshja dhe aksesorët realizojnë të tërën, atë që shohin të gjithë, siluetën tonë të modeluar. Për ato që nuk kanë kohë të studiojnë një veshje tendence nga koka te këmbët, më e thjeshta mbetet përdorimi i aksesorëve klasike, me të cilat janë mësuar dhe e kanë stërvitur syrin gjithmonë nga tv-të, revistat e modës dhe filmat. Me tendencat duhet më shumë kohë dhe guxim, pasi p.sh., duhen kombinuar një koleksion puplash mbi vathë, që duke u varur thyejnë paksa pamjen e rregullt e të urtë të një vajze.
Ndonjëherë, pendët mund të jenë edhe të vendosura në vathë metali, por gjithsesi, zgjedhja është e juaja. Le të kalojmë kështu te ngjyrat. Lind pyetja: “A ka ngjyra dominante?”
Po, patjetër, sezonin e kaluar ishin ngjyrat e ndezura. Këtë sezon, kjo forcohet më tepër me të verdhën e limonit, sigurisht, jeshilja e ndezur, bluja Klein, roza, e së fundi rikthimi i portokallisë, e cila ishte harruar pak nga fundi i vitit të kaluar. Ka çanta me temina të verdha, të kuqe, të kamufluar me temina vishnjë, byrzylykë të interpretuar nga ana grafike, por edhe vathë të qelqtë në një të verdhë të qendrueshme, apo dhe vargje me perla rreth qafës, të ngjyrave të ndryshme që përzihen me të verdha, blu, etj. Kalojmë kështu te aksesorë të tjerë të cilët në momente të veçanta bien shumë në sy, siç janë portofolet. Portofoli mund të jetë me temina, kapëse metalike, në format të madh dhe i lidhur me nyje. Mbani portofola këtë sezon. Përdorni dhe një varg me rruaza që të duket bukur dekolteja juaj. Do të tregonit shumë klas sikur rruazat dhe dekoltenë t’i kombinonit me një këmishë të thjeshtë e të bardhë. Tjetër e re, këtë sezon, është rripi i mesit që rrotullohet dy herë rreth belit dhe lidhet me dy nyje. Eshtë shumë fin dhe u shkon të gjitha siluetave, por nuk duhen harruar unazat që janë aksesori më shik i sezonit. Eshtë e pazakontë që një bizhu të dalë nga moda, por së fundmi mësoni që të gjitha markat e njohura ndjekin të njëjtat tendenca në këtë fushë. Ato u përgjigjen katër kritereve kryesore në krijime:
Krijime klasike: Ton i butë, figura gjeometrike ose jo.
Krijime me lule: Aksesorë në formë lulesh.
Krijime me gurë të çmuar: Çfarë vlere do të kishin bizhutë pa gurët?! Luhet me forma të ndryshme mbi unaza, te vathët, në byrzylykë, ose me thyerjen e dritës në ndonjë model, apo duke i përzierë me ngjyrat e kuqe ose portokalli.
Krijime me fantazi (Loja me ngjyrat):
E kuqe me smeraldë, ose blu me të bardhë, etj.
Dhe mos harroni, një veshje e dekoruar me aksesorë shndrin më shumë se një smerald!
29 Prill 2008