Mediat kosovare: “Ryker do të zhvendoset në Nju Jork”
Pas lajmit se kryeadministratori Joakim Ryker do të largohet nga Kosova dhe kjo është thjesht çështje ditësh, mediat kosovare kanë bërë të ditur tashmë se Ryker mund të marrë një post tjetër në zyrën e kreut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ose në departamentin e OKB-së për operacione paqeruajtëse. Ky lajm është bërë i ditur nga e përditshmja kosovare “Express” të cilës i janë referuar edhe agjencitë e tjera kosovare.
Me planet për rikonfigurimin e pranisë së OKB-së në Kosovë parashikohet që shefi i UNMIK-ut të mos qëndrojë në Prishtinë, por në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Sipas burimeve të Express-it, në mungesë të Joakim Ryker, praninë e OKB-së në Kosovë e cila do të jetë e reduktuar do ta udhëheqë një tjetër i ngarkuar me këtë punë i cili mendohet të ketë një zyrë të vogël politike dhe ligjore puna kryesore e së cilës do të ishte raportimi në Nju Jork i asaj që ndodh në Kosovë. Çdo tre muaj ajo do të hartojë gjithashtu raportin teknik rreth zhvillimeve në Kosovë, që do t’i dorëzohet sekretarit të përgjithshëm në Nju Jork. Shefi aktual i UNMIK-ut, Joakim Ryker, do të punojë për OKB-në në Kosovë deri në përfundimin e procesit të rikonfigurimit, që pritet të zgjasë së paku deri në fund të qershorit.
SHBA-të apel Maqedonisë për zgjedhje të lira dhe demokratike
Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Xhilijan Milovanoviç, në një intervistë për gazetën “Dnevnik” është shprehur se ka porositur liderët politikë dhe institucionet që zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni të jenë të lira dhe demokratike. Milovanoviç bëri të ditur se ka biseduar me liderët politikë dhe institucione të ndryshme të vendit dhe shpreson se ata e kanë kuptuar porosinë se është shumë e rëndësishme për vendin të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Ambasadorja ka shprehur shqetësimin e saj për paraqitjen e incidenteve dhe dhunës duke këshilluar kështu partitë politike të jenë më të kujdesshme edhe gjatë fushatës zgjedhore dhe në përdorimin e retorikës. “Nuk flasim vetëm për dhunën, por edhe për atë se gjatë gjithë fushatës duhet t’i shmangen frikësimeve, keqpërdorimit e të qenit në pushtet, madje edhe nëse kjo bëhet pa ndonjë qëllim. Për shembull, nuk duhet të bëhen premtime të cilat nuk mund të mbahen edhe pse punësimi i tyre varet nga ajo se për kë do të votojnë”, - deklaroi ambasadorja Millovanoviç.
29 Prill 2008