Kurti: “Heshtja e Kosovës më 11 maj hap shtegun për ndarje”
“Nëse Kosova hesht më 11 maj, hapet shtegu për kantonizimin ose ndarjen e Kosovës”. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. “Mendoj se më 11 maj po na masin pulsin, nëse e pranojmë një ndërhyrje të tillë të Serbisë. Nëse Kosova hesht, një gjë është e sigurt, do të hapet shtegu për kantonizimin e Kosovës, për ndarjen e saj të brendshme dhe për bërjen e saj një Bosnje të dytë, pra një vend tërësisht jofunksional”,-është shprehur lideri i Vetëvendosjes, organizatë kjo kundër zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Ndër të tjera Kurti e ka cilësuar qeverinë e Kosovës si një qeveri pa dhëmbë e cila është shkaktarja kryesore që pavarësia po mbetet veçse në letër.
“Kemi shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës në letër, i cili nuk ka as ministri të mbrojtjes, as ministri të punëve të jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme nuk e kontrollon policinë, nuk kemi ushtri, nuk kemi integritet territorial dhe as vend në OKB”,-u shpreh ai. Përderisa institucionet e Republikës së Kosovës prodhojnë dokumente, letra dhe imazhe të duartrokitjeve dhe buzëqeshjeve kolektive të zyrtarëve të ndryshëm kosovarë, sipas Kurtit, “Serbia po prodhon realitet të ri në terren”.
“Prandaj, përderisa populli i Kosovës nuk pyetet se në çfarë sistemi politik dëshiron të jetojë dhe në këtë mënyrë të vendosë po ashtu edhe për koordinatat e këtij sistemi, ne mendojmë se kemi shumë arsye të ekzistojmë kështu siç jemi”,-u shpreh Kurti.
29 Prill 2008