Aksi Farkë-Baldushk, një nga segmentet më të fuqishme të boshtit të jugut
Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në inaugurimin e nisjes së punimeve për rrugën Farkë- Baldushk
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e nisjes së punimeve për rrugën Farkë- Baldushk, të cilën e konsideroi si "një nga segmentet më të fuqishme të boshtit të jugut". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, ky segment rrugor ka një gjatësi prej 14 kilometra dhe është investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 500 milionë lekë.Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Kryeministri vlerësoi se "me këtë rrugë i jepet një lidhje e re, shumë e fuqishme dhe shumë e rëndësishme, Tiranës me Shqipërinë juglindore dhe Shqipërinë Jugore. Kjo rrugë, do të jetë gjithashtu një nga segmentet më të fuqishme të boshtit të jugut, i cili afron Tiranën me Sarandën me mbi 110 kilometra shkurtim", u shpreh Kryeministri Berisha. Në këtë kuadër, Kreu i Qeverisë siguroi se "pas këtij segmenti rrugor, do të fillojë ndërtimi i rrugës Baldushk- Papër dhe në këtë mënyrë kompletohet një aks i ri rrugor midis Tiranës dhe Elbasanit". Duke u ndalur në investimet në këtë zonë të Tiranës, Kryeministri Berisha u shpreh se në komunën e Baldushkut në 3 vjet janë investuar 750 milionë lekë, ndërkohë që në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme janë investuar gjithsej 12 milionë lekë. "Gjatë më pak se 4 viteve, kjo qeveri ka investuar për rrugët, shkollat, ujësjellësat dhe kanalizimet në Baldushk, Farkë, Petrelë dhe mbarë komunat e vendit, 1.6 miliardë dollarë. Ne kemi dëshmuar qartë se braktisja që ju kishte bërë shteti tashmë ka marrë fund, sepse për ne, zhvillimi i qëndrueshëm i zonave tuaja dhe ngritja e infrastrukturës së njëjtë me lagjet e qyteteve, është objektivi ynë më madhor", tha Kryeministri Berisha. Së bashku, tha Kryeministri Berisha, "ne duhet të vijojmë rrugën e nisur të ndryshimit rrënjësor të Shqipërisë". "Ne duhet të vazhdojmë të kujdesemi për interesat tona. Interesat tona janë rrugët e shtruara, janë prodhimet tona në treg, janë fëmijët të shkolluar në shkolla moderne, janë sistemet e vaditjes për fermerët, uji i pijshëm, etj", tha Kreu i Qeverisë, duke garantuar "se do të punojmë së bashku për t’i plotësuar të gjitha këto interesa.
Fjala e plotë e kreut të qeverisë
Dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe t’ju uroj me rastin e inaugurimit të këtij segmenti shumë të rëndësishëm Farkë – Baldushk, që së shpejti do të lidhë Tiranën me Elbasanin me një rrugë të re. Me këtë rrugë, ne i japim një lidhje të re shumë të fuqishme, shumë të rëndësishme Tiranës me Shqipërinë juglindore dhe Shqipërinë Jugore. Kjo rrugë, do të jetë gjithashtu një nga segmentet më të fuqishme të boshtit të jugut, bosht i cili afron Tiranën me Sarandën me mbi 110 kilometra shkurtim. Në komunën e Baldushkut, në 8 vite, para kësaj qeverie, janë investuar gjithsej 12 milionë lekë, ndërkohë që në komunën e Baldushkut, në 3 vjet, janë investuar 750 milionë lekë. Rruga që ne nisëm sot së bashku, prej 14 kilometrash, ka një vlerë prej 500 milionë lekësh. Unë jam këtu për t’u zotuar se pas kësaj, do të fillojë ndërtimi i rrugës Baldushk- Papër dhe në këtë mënyrë kompletojmë një aks të ri rrugor midis Tiranës dhe Elbasanit.
Të dashur banorë të Farkës, fermerë të mbarë Shqipërisë.
Qeveria dhe mazhoranca që unë kryesoj, gjatë këtyre më pak se 4 vite, ka investuar për rrugët, për shkollat, për ujësjellës, kanalizime, në Baldushk, Farkë, Petrelë dhe mbarë komunat e vendit, 1.6 miliardë dollar. Ne kemi dëshmuar qartë se braktisja që ju kishte bërë shteti tashmë ka marrë fund, sepse për ne, zhvillimi i qëndrueshëm i zonave tuaja, ngritja e infrastrukturës së njëjtë me lagjet e qyteteve, është objektivi ynë më madhor. Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të keni shkolla të njëjta me qytetin, që ju të keni ujësjellës të njëjtë me qytetin, rrugë të asfaltuara të njëjta me qytetin. Do të bëjmë gjithçka që fëmijët tuaj të shkollohen me të njëjtat standarde. Kemi bërë dhe do të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur prodhimet tuaja. Kjo është alternative jonë.
Në 3 vite, ne kemi vendosur në pensionet tuaja një shumë të njëjtë me aq sa është vendosur në 17 vite të marra së bashku. Ju i meritoni plotësisht ato. Unë ju garantoj se ky është vetëm hapi i parë i madh. Hapi i dytë i madh do të jetë barazimi i pensioneve tuaja me pensionet në qytet, sepse e meritoni plotësisht.
Pra, një gjë është e sigurt, që jemi përpjekur dhe përpiqemi të mos diskriminoheni më, t’i japim fund diskriminimit ndaj jush. Ajo që dua të kërkoj nga ju është që të jeni të vëmendshëm. Ju e dëgjuat programin elektoral të Partisë Socialiste, ku thuhej “sovranitet ushqimor”. Unë shfletova dhe pashë që teoria e “sovranitetit ushqimor” ishte formuluar nga disa grupe marksiste-leniniste të Brazil, kur kishin organizuar një tubim antiglobal kundër tubimit kombëtar, për t’i dhënë fund varfërisë. Në qoftë se zoti Rama servir platforma të tilla për fermerët e Shqipërisë, ta harrojë se mund të mashtrojë qoftë edhe një fermer të vetëm. Po ky grup që kishte shpikur doktrinën e “sovranitetit ushqimor” antiglobal, është grupi që vite më parë i kishte dhënë gjysmë dajës së Edi Ramës, Sofo Lazeri, çmimin e ushqimit, ndërkohë kur ju i kishit vatrat bosh.
Ndaj, në këto zgjedhje le të shkojmë të kthjellët, të bindur se çdo votë majtas është votë pas. Nuk ka nevojë fermeri shqiptar, as për “sovranitet ushqimor”, pasi ai prodhon vet ushqime nga më të mirat, nuk ka nevojë as për enciklikat e Edi Ramës. Juve ju kujtohet para tre vjetësh kur ai dilte dhe u thoshte që po ju lexoj enciklikat. Enciklika është dokumenti që Ati i Shenjtë u lexon besimtarëve dhe nuk ekziston politikan në botë që të flasë për enciklikë, përveç Edi Ramës. Ndaj dhe duhet të kemi shumë kujdes nga terminologji të tilla. Ne duhet të vazhdojmë të kujdesemi për interesat tona. Interesat tona janë rrugët e shtruara, janë prodhimet tona në treg, interesat tona janë që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla moderne, të kemi vaditje për tokën, të kemi ujë të pijshëm. Unë ju garantoj se do të punojmë së bashku për t’i plotësuar të gjitha këto interesa.
Dua të bëj një kërkesë miqësore për të gjithë ju, për të gjithë ata që na dëgjojnë; të marrin letërnjoftimet e reja, sepse e meritojmë të kemi një dokument të njëjtë me atë që kanë qytetarët e Gjermanisë, Francës dhe vendeve më të zhvilluara. Duhet të marrim Kartat e Identitetit sepse në këto zgjedhje duhet t’i faktojmë njëri-tjetrit, t’i faktojmë Europës dhe botës, NATO-s që na dha një besim kaq të madh, se ne do të votojmë si qytetarë të lirë, me dinjitet të plotë.
Natyrisht, do të vazhdojmë në mandatin e ri ndërtimet e nisura në këtë mandat, por kjo është zgjidhja juaj dhe unë nuk ka dyshim për këtë.
Do ta mbyll fjalën time duke ju garantuar se, kjo qeveri do të mbështesë çdo projekt të komunave tuaja, për zhvillimin e qëndrueshëm të tyre, për urbanizimin e tyre, sikundër do të përfshijmë këtu dhe projektin e ullirit, një nga projektet më të mëdha, më të rëndësishme, ku në këto komuna, Shqipëria ka një nga traditat më të shkëlqyera të ullirit.
Le të vazhdojmë ndryshimin e madh që kemi shënuar, ta thellojmë më tej atë në mandatin e dytë. Investimet tek ju do të jenë 2 herë më të mëdha se sa kanë qenë deri më sot. Gëzuar rrugën dhe ta inaugurojmë së shpejti atë. Gjithashtu, së shpejti ne do të inaugurojmë edhe rrugën e bashkimit me Paprin dhe të kemi një rrugë të re Tiranë- Elbasan. Faleminderit.
...