Fullani: Defiçiti buxhetor për vitin 2008 arriti në 5.7%

Deficiti buxhetor për vitin 2008 vlerësohet të ketë arritur në 5.7 për qind të PBB-së, duke u thelluar me rreth 2.2 pikë përqindjeje në terma vjetorë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, theksoi sot në Kuvend, gjatë prezantimit të raportit vjetor të BSH-së për vitin 2008, se niveli i borxhit publik shënoi rritje gjatë vitit 2008, duke arritur në 55.6 për qind të PBB-së nga 52.2 për qind që ishte një vit më parë. Sipas tij, të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore u rritën përkatësisht me 15.3 për qind dhe 22.6 për qind gjatë vitit 2008, duke u vlerësuar në 27.3 për qind dhe 32.9 për qind e PBB-së. "Përmirësimi i administrimit të borxhit publik në drejtim të zgjatjes së afatit të maturimit dhe të diversifikimit të burimeve të financimit është zhvillim pozitiv që ka ndihmuar rifinancimin e borxhit dhe kontrollin e impaktit të kostos së tij në treguesit e buxhetit", vijoi kreu i Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, sipas tij, "Banka e Shqipërisë gjykon se politika fiskale nuk duhet ta shkëpusë fokusin nga ruajtja e qëndrueshmërisë afatgjatë të treguesve fiskalë dhe minimizimi i impaktit të tyre në tregjet financiare". Guvernatori Fullani theksoi se ulja e deficitit buxhetor gjatë vitit 2009 dhe angazhimi për reduktimin e borxhit publik në horizontin afatgjatë, duhet të jenë prioritete konstante të organeve fiskale. "Paralelisht me këtë, Banka e Shqipërisë gjykon se duhen bërë më shumë përpjekje për përmirësimin e strukturës së shpenzimeve, në funksion të uljes së peshës së shpenzimeve korente dhe rritjes së investimeve kapitale", nënvizoi Fullani.
Ekonomia shqiptare paraqet stabilitet makroekonomik
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani tha gjatë prezantimit në Kuvend të raportit vjetor të BSH-së për vitin 2008, se ekonomia shqiptare plotëson një sërë premisash për të patur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë, primare ndër të cilat është stabiliteti makroekonomik i vendit. "Aktiviteti ekonomik në vend është zhvilluar mbi baza të shëndetshme", deklaroi ai. Sipas Fullanit, në kushtet e sfidave aktuale me të cilat përballet ekonomia shqiptare, këto baza duhet të ruhen dhe të forcohen më tej, nëpërmjet hartimit të politikave të duhura ekonomike nga autoritetet përkatëse dhe nëpërmjet rishikimit të planeve të zhvillimit nga të gjithë agjentët ekonomikë. Duke u ndalur në ecurinë e ekonomisë për vitin 2008, Fullani theksoi se ekonomia botërore shënoi një përkeqësim të vazhdueshëm gjatë harkut kohor të vitit 2008. "Rritja ekonomike në shkallë botërore arriti në 3.4 për qind gjatë vitit 2008, përkundrejt rritjes mesatare prej 5 për qind gjatë periudhës katërvjeçare paraardhëse". Por, sipas Fullanit, në këtë sfond të trazuar botëror, ekonomia shqiptare ka patur një ecuri zhvillimi krahasimisht pozitive."Në pritje të konfirmimeve nga statistikat zyrtare, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia e vendit është rritur në linjë me parashikimet e fillimvitit", vijoi ai. Sipas tij, kjo rritje ka reflektuar zhvillimin dinamik të disa sektorëve të ekonomisë, të mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve në ekonomi, si dhe përmirësimet e vazhdueshme strukturore dhe infrastrukturore të ekonomisë. "Rritja ekonomike në vend është mbështetur kryesisht në rritjen e shpejtë të kërkesës së brendshme, që mbetet dhe gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike", tha Guvernatori i BSH-së. Fullani theksoi se konsumi, investimet dhe shpenzimet qeveritare kanë shënuar rritje gjatë vitit 2008. "Aktiviteti ekonomik në vend është financuar kryesisht nga burime të brendshme", vijoi ai, duke shtuar se "në sajë të likuiditetit të tij të lartë gjatë vitit 2008, sistemi bankar shqiptar ka mundur t`i përgjigjet kërkesës për fonde të ekonomisë me rritje të ndërmjetësimit financiar". Sipas kreut të BSH-së, gjatë vitit 2008 portofoli i kredisë bankare u rrit me 7.3 pikë përqindjeje të PBB-së gjatë vitit 2008. Fullani nënvizoi se edhe gjatë vitit 2008 Banka e Shqipërisë ka përmbushur objektivin e saj ligjor për ruajtjen stabilitetit të çmimeve në ekonomi. "Inflacioni i çmimeve të konsumit është luhatur brenda nivelit të synuar nga Banka e Shqipërisë", tha ai. Në këtë drejtim, Fullani tha se norma mesatare e inflacionit vjetor shënoi vlerën 3.4 për qind gjatë vitit 2008, duke qenë mjaft afër objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind dhe brenda intervalit tonë të tolerancës prej 2-4 për qind. "Viti 2008 u karakterizua nga zhvillime intensive në sistemin bankar shqiptar. "Tërheqja e depozitave gjatë tremujorit të fundit testoi ndjeshëm qëndrueshmërinë e sistemit, por zhvillimet e kësaj periudhe dëshmuan se sistemi bankar shqiptar e kaloi me sukses provën e tij të parë të qëndrueshmërisë", deklaroi Guvernatori Fullani.
...