Pastrimi i gjirit detar nga municionet, nis në Vlorë operacioni Shqiptaro-Hollandez

Mjete dhe efektiva të Flotës Detare të Mbretërisë së Holandës dhe të Shqipërisë janë përfshirë në një operacion të përbashkët që synon pastrimin nga municionet të sipërfaqes nënujore të gjirit detar të Vlorës. Burime nga Distrikti Detar i Vlorës bënë të ditur sot se operacioni i përbashkët, i koduar EOD, do të përqëndrohet në disa pika të gjirit detar të Vlorës, që në terminologjinë përkatëse cilësohen “të nxehta” për shkak të pranisë në to të municioneve luftarake të mbetura nga periudha e Luftës së Dytë Botërore apo prej vitit 1997. Mes këtyre zonave, përfshihen hapësira nënujore pranë bregdetit të Zvërnecit, ajo në afësi të vendit të emërtuar “Kalaja”, “Shën Vasil”, “Raguza 1”, “Shën Jani”, në gadishullin e Karaburunit. Krahas këtij operacioni, që do të zgjasë disa javë, mjetet lundruese të Flotës Detare të Shqipërisë dhe asaj holandeze do të përfshihen edhe në stërvitjen e përbashkët të koduar “Albania Lion 09” që ka si synim perfeksionimin e ndërsjelltë të efektivave në pastrimin e hapësirave detare nga minat dhe municionet luftarake. Ajo do të shtrihet në të gjithë hapësirën detare të gjirit të Vlorës, duke u përqëndruar më së shumti në atë mes ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Operacion i pastrimit të sipërfaqes nënujore të gjirit të Vlorës është vazhdim i atij të koduar “Plazhe të sigurta”, faza e parë e të cilit përfundoi në muajin qershor të vitit të kaluar. Në prag të fillimit të atij operacioni, në gjirin e Vlorës ishin evidentuar 11 pika të infektuara. Gjatë asaj faze që nisi në 26 prill, u nxorrën nga fundi i ujit 40 tonë predha dhe municione, që u transportuan në drejtim të Gadishullit të Karaburunit, në një distancë rreth 12 km, në vendin e quajtur Shën Vasil ku u realizua shpërthimi i tyre në bunkerë në kushtet e një sigurie të plotë. Në operacion, u angazhuan dy grupe polumbare, mjetet dhe personeli i Flotiljeve Detare, Shërbimi Hidrografik, Batalioni i Mbështetjes Logjistike, Policia Ushtarake e Vlorës, Njësia e Municioneve dhe Eksploziveve, si dhe mjete të Grupit të 28-të Naval Italian, ndërkohë që gjithcka u drejtua nga një strukturë e vecantë në formën e Task Grup.Operacioni shqiptaro-holandez, është aktiviteti i parë i përbashkët mes këtyre dy vendeve pas anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
...