E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rezistenca paqësore” e Edvinit, një çmenduri që konfirmon se jemi të vetëm në rrugën e integrimit

Histeria sot ka arritur kulmin. Një fytyrë e vjetër e socialistëve, kontributi më i madh politik i të cilit ishte apeli i para një dekade që t’u thyenin kafkat demokratëve, doli para ekraneve dhe tha se kishte ardhur koha për rezistencë paqësore, pasi demokracia shqiptare ishte në rrezik. Edhe totemi është krejt i njohur, është ai totemi bolshevik i Stalinit, i cili përpunoi terminologjinë e “Atdheut në rrezik”, por që përveç përballjes me hitlerianët kishte edhe përmasën e gjenocidit që ai ushtroi për vite me r”adhë ndaj bashkëkombasve të tij. Kjo terminologji ngërthen njohjet më të mëdha politike të Edi Ramës e Kastriot Islamit, prandaj edhe është thirrur sot si mundësia e mbrame për të përmbushur parakushtet e një destabilizimi politik, i cili do ta lejonte kastën të mbetej ende në elitën politike, edhe pas rrënimit të 28 qershorit. Ani pse shifrat e shpërndarjes së kartave të identitetit nuk janë në favor të tyre, ani pse koha është krejtësisht e mjaftueshme që ky proces të mund ta shpëtojë fatin e zgjedhjeve, edhe brenda këtij kuadri ligjor, kjo s’e pengon Kastriot (kafkë) Islamin të shpallë deklaratën-gjiriz (në emër të Edvinit), se vendi duhet të përgatitet për rezistencë paqësore. Por kjo rezistencë nuk është hiç mishërim i sakrificës për të marrë kartat e identitetit, edhe prej të varfërve që mund të jenë në ngushticë e që s’mund të paguajnë dot 2-3 mijë lekëshin e kërkuar, por kushtrim që askush të mos paraqitet në zyrat e gjendjes civile, që askush të mos bashkëpunojë me procesin zgjedhor e që askush të mos punojë për legjitimimin e verdiktit të 28 qershorit. Skema është disi më e vrazhdë sesa ajo e para 18 shkurtit të 2007-s, kur Edvini, në panik se mund të humbiste edhe bashkinë, vendosi që t’i prishte zgjedhjet, duke mos marrë pjesë në komisionet e votimit. Kjo rezistenca paqësore tani prezupozon përpjekjet për t’i fituar zgjedhjet në tavolinë, duke rikthyer skemën e mirënjohur të çertifikatave (specialitet i Edvinit), ose për t’i prishur ato, në mënyrë që Rama të konservojë partinë e bashkinë, duke i lënë Berishës të qeverisë në një fushë të minuar për nga legjitimiteti. Me daljen publike të Islamit dhe panikun e shumicës së grupit parlamentar socialist, i cili është i terrorizuar nga fakti se s’do të jetë më në listat edviniste të kandidatëve, s’ka shumë shpresa për zëra të moderuar në radhët e të majtëve. LSI është përballur boll me linçimin mediatik se po bashkëpunon si tepër me qeverinë, ndërkohë që faktori Fatos Nano është fort i pabesueshëm për t’u angazhuar në këtë fazë finale të procesit. Edvini ia ka arritur të bëjë dëmin e madh të shfaktorizimit të opozitës së majtë, çka po na shton përditë bindjen se në rrugën e reformave drejt integrimit euroatlantik, mazhoranca e djathtë është e vetme. E pamë nga zija që mbizotëroi në plevicën socialiste pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Po e shohim nga tentativat e pandërprera për të përdhosur institucionin e votës. Tashmë ndoshta ka vend për një kushtrim të mirëfilltë, atë të gjetjes së të gjitha konsensuseve të mundshme për të mbajtur një proces zgjedhor sipas standardeve. Mbarëvajtja e tij do të ishte konfirmimi më i madh i faktit se e djathta është lokomotiva e reformave integruese. Paçka se e vetme, e djathta s’mund të ndalet, duke i bishtnuar çdo hileje që prodhon histeria e Edvinit. Ajo ka një axhendë që duhet ta respektojë. Asgjë s’mund ta dëmtojë më shumë këtë axhendë sesa ndërhyrjet në të, për shkak të “rezistencës paqësore” që mund të prodhojë histeria e Edvinit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›