E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 30 mijë kosovarë sot në Kukës në përkujtim të eksodit të 10 viteve më parë

Nën moton "Eksodi '99 - marshimi 2009", pritet që paraditen e sotme të mbërrijnë në qytetin verilindor të Kukësit rreth 30 mijë kosovarë për të përkujtuar eksodin biblik të 10 viteve më parë. Një dekadë më parë, rreth 500 mijë kosovarë të dëbuar me dhunë nga regjimi i Milosheviçit qëndruan në qytetin e Kukësit për rreth dy muaj, ndërsa shumë të tjerë u mikpritën në rrethe të ndryshme të vendit. Një mikpritje dhe humanizëm i jashtëzakonshëm për të cilin qyteti i Kukësit u shpall në vitin 2000 kandidat për çmimin Nobel të paqes. Në përkujtim të eksodit të 10 viteve më parë, kortezhi i marshuesve është nisur dje nga qyteti i Mitrovicës. Rreth 100 prej tyre simbolikisht kanë kaluar përmes rrugës Gurakoc - Pejë- Dreçan- Gjakovë dhe në mbrëmje kanë qëndruar në Xërxë, fshat afër Prizrenit, ku 10 vjet më parë ushtria serbe grumbullonte të dëbuarit nga vise të ndryshme të Kosovës për t'i larguar më pas në drejtim të Kukësit përmes dogënës së Morinit.  Sot në mëngjes ata kanë mbërritur në doganën e Morinit, ku janë përshëndetur nga dhjetra banorë të qytetit të Kukësit që kanë dalë për t'u uruar mirëseardhjen si dhe nga drejtues të pushtetit lokal. Më pas kanë udhëtuar drejt qytetit të Kukësit, të cilin e kanë gjetur të 'veshur' me flamuj kombëtarë dhe të NATO-s si dhe me banderola ku shkruhej "Mirësevini vëllezër kosovarë në qytetin e Kukësit". Në nder të tyre pritet që sot në qytetin e Kukësit të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore dhe sportive. Ndërkohë, policia ka marrë të gjitha masat për të përballuar numrin e madh të mjeteve që do të hyjnë sot në qytetin e Kukësit, duke përcaktuar vendparkime të përkohshme për to. Sipas burimeve të policisë, autobuzët do të parkohen përgjatë shëtitores, ndërsa mjetet e vogla në sheshin pas pallatit të kulturës. Në të dy këto vende 10 vjet më parë ishin ngritur qindra çadra, ku kosovarët e dëbuar kaluan ditë të tëra.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›